Basha: Dekriminalizimi, çlirim i institucioneve dhe politikës nga krimi. Qytetarët të marrin në dorë fatet e qeverisjes si 25 vjet më parë

Shqipëria

Basha: Dekriminalizimi, çlirim i institucioneve dhe politikës nga krimi. Qytetarët të marrin në dorë fatet e qeverisjes si 25 vjet më parë

Më: 25 nëntor 2015 Në ora: 16:23

Clirim të institucioneve dhe politikës nga krimi, e ka cilësuar kreu demokrat Lulzim Basha procesin e dekriminalizimit, duke e konsideruat atë, si një interes kombëtar. “Projektligji i Dekriminailzimit është një interes kombëtar i përmbushur, që do të vuloset në seancë plenare; është një hap i madh përpara që krijon premisat e plota ligjore për të hequr një prej njollave me të zeza dhe për të kuruar një prej plagëve më mëdha të vendit tonë, të demokracisë sonë. Drafti konsensual pret miratimin në parlament, por po kështu unë dua sot tu bëj thirrje të gjithë deputeteve të japin miratimin e tyre edhe për testin e drogës.

Politikëbëresit duhet të japin shembullin te paret te modelit qe duhet te kete nje shoqeri, drejtuesit e saj”, tha Basha në fjalën e mbajtur në mbledhjen e përjavshme të Grupit Parlamentar të PD-së. Kreu i PD-së theksoi se populli e ka provuar përgjatë shekujve se çdo të thotë për skrupujt, për moralin, për virtytin, për urtësinë, për dijen, për paqen, për dinjtetin, për zhvillimin, mirëqënien pra për gjithë sistemin e vlerave pozitive mbi të cilat mbahet familja dhe shoqëria, t’u mbivendoset e liga, të diktojë e dhunshmja, kriminalja.

“Familja shqiptare, prindërit shqiptarë investojnë shumë, sakrifikojnë për shkollimin e fëmijëve, për edukimin e tyre me virtytet me të mira. Krimi në sistem është mohimi brutal dhe më i poshtër i gjithë këtij investimit. Krimi në sistem e shumëzon me zero dijen dhe virtytin. Krimi në sistem është fundi për gjithçka. Projektligji i Dekriminailzimit është një interes kombëtar i përmbushur, që do të vuloset në seancë plenare; është një hap i madh përpara që krijon premisat e plota ligjore për të hequr një prej njollave me të zeza dhe për të kuruar një prej plagëve më mëdha të vendit tonë, të demokracisë sonë”, theksoi Basha.

Duke e cilësuar draftin si të përshtatur sipas praktikave më të mira perëndimore, kreu i PD-së theksoi se ligji konsensual i dekriminalizimit, vendos filtrin e pakalueshëm të individëve me rekorde kriminale në Kuvendin e Shqipërisë, në qeveri, në pushtetin vendor, në institucionet shtetërore, në poste të rëndësishme publike. “Ky ligj parashikon ndërprerjen e çdo mandati dhe shfuqizimin e çdo emërimi që bien ndesh me dispozitat e tij.

Nuk do të ndodhë më që individë me rekorde kriminale, sipas përcaktimeve të ligjit për Dekriminalizimin, ta shohin veten deputetë, kryetarë bashkish, këshilltarë bashkish, drejtorë, shefa, funksionarë dhe zyrtarë të lartë. Nuk do të ketë më nga kjo kategori në piramidën e institucioneve të zgjedhura apo të emëruara. Ata që ligji i zë në detyrat e pamerituara, do të largohen. Me ketë ligj merr fund një mankth i keqe, i shëmtuar, i tmerrshëm që po konturonte projektin e një Republike të malavitës. Me kete ligj nis çlirimi i institucioneve dhe politikës nga prania dhe pushteti i krimit. Me ketë ligj nis sprapsja e pakthyeshme e krimit, rivendosja e autoritetit të ligjit dhe moralit të shëndoshë në gjithë ngrehinën e shtetit.

Kjo është një betejë që e luftuam dhe e fituam bashkë me qytetarët tanë, të cilët, pavarësisht bindjeve politike, mbështetën dhe nxitën fuqishëm kauzën jetike të dekriminalizmit. Bashkë me miqtë dhe partnerët tanë, SHBA dhe BE, që reaguan me ndjeshmëri të lartë miqësore dhe demokratike, ndaj problemit të mprehtë që nxorri në pah opozita e Shqipërisë, duke këmbëngulur parreshtur për zgjidhjen konsensuale që u dha e po jepet”, tha ai.

Kreu demokrat trajtoi disa cështje gjatë fjalës së tij në prani të mediave, ndërsa ka ftuar qytetarët që në 8 Dhjetor të marrin pjesë masivisht në marshimin e protestës për të marrë në dorë fatet e qeverisjes së vendit.
“Varfëria e skajshme, kriza ekonomike, ngrirja e gjithçkaje, e biznesit, e prodhimit, e bujqësisë, ndalimi i zhvillimit, është dramatik. Gjendja është alarmante.

Unë e shoh çdo ditë në takimet që kam me qytetarët në çdo cep të vendit. Qeveria ka një shpresë të ligë, se qytetarët do të mësohen me të keqen, por kjo nuk ndodh dhe ska për të ndodhur. Qytetarët duan jetë më të mirë, duan punë, duan siguri, duan shpresë për të ardhmen. Edi Rama me buxhetin dhe paketën fiskale që ka sjellë, po tregon qartazi se viti që vjen do të jetë edhe më i vështirë. Ka ndërmend të rrisë luksin për vete, por jo investimet që sjellin vende pune.

Do shtrëngojë edhe më shumë qytetarët duke rritur barrën e sigurimeve shoqërore e shëndetësore. Asnjë qindarkë më shumë për mësuesit, infermierët e punonjësit e administratës. Asnjë qindarkë më shumë për pensionistët. Ndërkohë që çmimet rriten çdo ditë, energjia elektrike është rritur, nafta më e shtrenjë në rajon e më gjërë, dhe gjobat e penalitetet kanë bërë kërdinë. Nuk ka asnjë shpresë se kjo qeveri sjell zgjidhje. Zgjidhja vjen vetëm me largimin e saj.

Thirrja jonë për tu bashkuar me 8 Dhjetor në Tiranë për të nisur marshimin e madh, të dëbimit të këtij regjimi, është mirëpritur nga mbarë qytetarët, anembanë vendit. Shqiptarët që e kanë kuptuar burimin e së keqes, që e kanë identifikuar qartë atë me Edi Ramën dhe qeverinë e tij, me këtë ngrehinë korrupsioni të përbindshëm që ekziston sot vetëm për të zhvatur e pasuruar, janë në këmbë dhe të gatshëm për këtë lëvizje të madhe.

Ashtu si në dhjetorin e 25 viteve më parë, ora i thërret sot sërish shqiptarët, për të marrë në dorë fatet e vendit, për të sjellë ndryshimin e merituar, një stad të ri të demokracisë, përfaqësimit, dhe krijimit të mundësive për çdo shqiptar e shqiptare të gëzojë frutet e lirisë dhe zhvillimit”, theksoi Basha.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat