Moti i keq/Emergjencat Civile: S’ka vend për panik. Ja qarqet më problematike në ditët në vijim

Shqipëria

Moti i keq/Emergjencat Civile: S’ka vend për panik. Ja qarqet më problematike në ditët në vijim

Më: 25 nëntor 2015 Në ora: 14:56

Drejtoria e Emergjencave Civile në MPB, nisur nga parashikimet e motit për ditët në vijim, njofton gjithë qytetarët se nuk ka vend për panik, por u kërkon gjithë strukturave në qendër apo në pushtetin lokal, të dëshmojnë angazhimin maksimal për përballimin në kohë të çdo situate.

Ministri i Punëve të Brendshme Saimir Tahiri ka urdhëruar mbledhjen e Shtabeve të Emergjencës në qarqe, për të mbajtur nën mbikqyrje çdo situatë.

Nisur nga parashikimet e Institutit të Gjeo-shkencës dhe Shërbimit Metrologjik Ushtarak, sot mbi vendin tonë do të mbizotërojë mot me vranësira dhe shira intensiv. Mot i përkeqësuar, kryesisht në jug të vendit do të ketë edhe për 5 ditët e ardhshme, ndërsa në lartësitë mbi 1000 metra priten reshjet dëbore.

Pas marrjes së njoftimit, Drejtoria e Emergjencave Civile në MPB ka nisur komunikimin intensiv me Prefektët në 12 qarqe, me Drejtoritë e Bordeve të Kullimit, me Drejtoritë e Autoritetit Kombëtar Rrugor dhe specialistët e emergjencave apo të ngarkuarit për ndjekjen e situatës, pranë ministrive që kanë përgjegjësi për emergjencat civile.

Reshjet mund të shoqërohen edhe me rritje të nivelit të përrenjve dhe të lumenjve në qarqet: Elbasan, Fier, Berat, Korçë, Vlorë dhe Gjirokastër.

Nisur nga parashikimet e motit, nuk përjashtohet mundësia për përmbytje të lokalizuara anës brigjeve apo përmbytje urbane në varësi të gjendjes së infrastrukturës së kanalizimeve. Prurjet maksimale të ujit janë parashikuar për ditën e enjte, datë 26 nëntor.

Institucionit i Prefektit në çdo qark i është kërkuar marrja e masave parandaluese për përballimin e ndonjë situate që mund të sjellë premisa për rrezikimin e komunitetit nga përmbytjet apo rrëshqitje masive të dherave dhe inerteve.

Qendra operacionale e Emergjencave është në kontakt të vazhdueshëm me specialistët dhe Drejtoritë përkatëse që kanë në administrim dhe mbulojnë problemet e mbarëvajtjes së hidrovoreve dhe ujëmbledhësve problematikë në të gjithë qarqet.

Por ndërkohë, Drejtoria e Emergjencave Civile këshillon gjithë qytetarët që konstatojnë rritje të nivelit të prurjeve apo përmbytje në zona të caktuara, të kufizojnë lëvizjet deri në përmirësimin e situatës.

Ministria e Punëve të Brendshme fton qytetarët të telefonojnë për të kërkuar ndihmë në numrin falas të Policisë së Shtetit 129, por edhe t’i përgjigjen thirrjes për ndihmë të strukturave shtetërore në raste emergjencash.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat