Raunig: Të garantohet sistem gjyqësor që u shërben më mirë qytetarëve

Shqipëria

Raunig: Të garantohet sistem gjyqësor që u shërben më mirë qytetarëve

Më: 25 nëntor 2015 Në ora: 14:23

"Këto ndryshime duhet të garantojnë themelin për një sistem drejtësie të përtërirë e që do t’u shërbejë më mirë qytetarëve shqiptarë".

Ambasadori i OSBE-së në Tiranë, Florian Raunig, ishte sot i pranishëm në forumin e radhës mbi reformën në sistemin e drejtësisë, i cili u mbajt në Universitetin e Durrësit. Rauning vlerësoi punën e ekspertëve dhe përkushtimin e tyre personal për pjesëmarrjen e qytetarëve në reformën në drejtësi dhe theksoi se ndryshimet e propozuara duhet të garantojnë një sistem drejtësie të përtërirë.

“Çdo ndryshim i Kushtetutës ndikon në jetën e qytetarëve. Por tani ne po flasim për 53 ndryshime të propozuara që ndikojnë në të gjithë sistemin gjyqësor. Këto ndryshime duhet të garantojnë themelin për një sistem drejtësie të përtërirë e që do t’u shërbejë më mirë qytetarëve shqiptarë. Ato duhet të ndiqen nga një veprimtari legjislative intensive dhe nga një sërë masash për zbatim, përfshirë këtu rregullore të reja, procedura, sisteme programesh kompjuterike dhe menaxhimi, si dhe trajnim”, deklaroi ambasadori.

Raunig shtoi se konsultimi nuk është vetëm punë e qeverisë ose e Parlamentit.

“Edhe pse është detyrë e autoriteteve publike t’i hapin derën pjesëmarrjes së qytetarëve, është po aq edhe detyrë e juaja, dhe e jona, të trokasim në atë derë. Epo, ajo derë tashmë është hapur. Nëse keni vullnetin, ajo mund të çojë në një shtet më të mirë të së drejtës, në përputhje me Kushtetutën, në qeverisje gjyqësore që respekton standardet ndërkombëtare dhe angazhimet e OSBE-së. Kjo është dera e së ardhmes suaj”, tha ai.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat