Samiti i Berlinit/Bushati: Vendet e rajonit në kërkim të një pakti demokracie. Steinmeier: Reformë të thellë në drejtësinë shqiptare

Shqipëria

Samiti i Berlinit/Bushati: Vendet e rajonit në kërkim të një pakti demokracie. Steinmeier: Reformë të thellë në drejtësinë shqiptare

Më: 25 nëntor 2015 Në ora: 12:08

Ministri i Punëve të Jashtme Ditmir Bushati mori pjesë në Konferencën VII të Ministrave të Punëve të Jashtme të Evropës Juglindore në Berlin, në fokus të së cilës ishin paketa e zgjerimit për Ballkanin Perëndimor, metodologjia e re e KE –së në këtë drejtim, kriza e refugjatëve dhe migracioni, lufta kundër terrorizmit si dhe politikat e integrimit në strukturat Euro-Atlantike.

Gjatë fjalës së tij në këtë takim, Bushati vlerësoi potencialin e BE-së si faktori kryesor në formësimin e jetës ekonomike, politike dhe sociale ne Ballkanin Perëndimor.

“Ndërsa Ballkani Perëndimor ka operuar mbi një pakt stabiliteti, procesi i Berlinit mundësoi krijimin e një pakti ndërlidhshmërie dhe tashmë vendet tona janë në kërkim të një pakti demokracie dhe zhvillimi”, tha Bushati.

Duke u ndalur në zhvillimet më të fundit dhe krizat migratore me të cilat përballen sot BE-ja dhe vendet e Ballkanit Perëndimor, ministrat në këtë konferencë vunë theksin në impaktin që kanë fenomene të tilla në jetën e përditshme të qytetarëve si dhe nevojën për një qasje kolektive në përballimin e tyre, duke bërë thirrje për solidaritet, përgjegjshmëri dhe bashkëpunim pragmatik mes vendeve anëtare dhe atyre të Ballkanit Perëndimor.

Ministri i Punëve të Jashtme të Gjermanisë Steinmeier, duke u ndalur në ecurinë e secilit prej vendeve të rajonit në proceset integruese, u shpreh se “Shqipëria është në rrugë të mbarë dhe duhet të vijojë tashmë me detyrën e vështirë të një reforme tërësore dhe të thellë të sistemit të drejtësisë”.

Ndërsa ministri italian i i Punëve të Jashtme, Gentiloni, gjatë fjalës së tij, tha se “Italia është angazhuar në procese kreative të bashkëpunimit rajonal, duke përfshirë trilateralin Shqipëri-Itali-Serbi, Iniciativën e vendeve të Evropës Qendrore si dhe Strategjinë e BE-së për Makro Rajonin Adriatiko-Jonian”.

Gjatë qëndrimit në Berlin, Ministri Bushati zhvilloi gjithashtu takime në Bundestag si dhe në Kancelarinë Federale për të këmbyer pikëpamje mbi ecurinë e reformave në Shqipëri dhe zhvillimet më të fundit në rajon.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat