Ambasada ruse në Tiranë flet për të vërtetën e bazës së tyre ushtarake në Serbi

Shqipëria

Ambasada ruse në Tiranë flet për të vërtetën e bazës së tyre ushtarake në Serbi

Më: 25 nëntor 2015 Në ora: 09:43

Ambasada ruse në Tiranë reagoi dje për disa komente të botuara nga Gazeta Shqiptare me autor diplomatin dhe analistin Shaban Murati lidhur me marrëveshjet ushtarake Rusi-Serbi.

“I jemi sinqerisht mirënjohës zotit Murati që u referohet edhe burimeve ruse. Kjo, për fat të keq, në gazetarinë shqiptare ështe një gjë e rrallë”, thuhet në reagimin e ambasadës dërguar të gjitha mediave.

“Serbia, nga ana e saj, dëshiron vetëm të disponojë mjete të mbrojtjes së qiellit të saj dhe të sigurohet nga sulmet e mundshme ajrore dhe raketore, aq më tepër kur jo shumë kohë përpara, populli serb i përjetoi bombardimet e NATOs dhe kujtimet janë ende të gjalla. Çfarë ka këtu agresive apo ofensive? Me se i kërcënon kjo vendet e rajonit?”, thuhet në letrën e hapur të ambasadës ruse.

Lidhur me bazën ushtarake ruse në Nish të Serbisë, ambasada deklaron: “Po, baza ruse në Nish ekziston vërtet, por është një bazë e Ministrisë së Emergjencave Civile të Rusise dhe në fakt shërben si një qendër administrative me një depo pajisjesh shpëtuese dhe sendesh të nevojës së parë, si dhe me disa makina zjarrfikëse. Dhe pikerisht nga kjo bazë ‘ushtarake’ në mars të këtij viti në Tiranë është çuar një ngarkesë me ndihma humanitare për rajonet e Shqipërisë të prekura nga përmbytjet. Agresive ju duket kjo?”, pyet retorikisht ambasada.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat