Sot reshje të dendura shiu, Bashkia Tiranë: Ja rrugët që mund të bllokohen

Shqipëria

Sot reshje të dendura shiu, Bashkia Tiranë: Ja rrugët që mund të bllokohen

Më: 25 nëntor 2015 Në ora: 07:53

Bashkia e Tiranës njofton të gjithë qytetarët se gjatë gjithë ditës dhe mbrëmjes së sotme, priten sasi të mëdha dhe rreshje të dendura shiu, deri në nivele të atilla saqë mund të shkaktojnë vështirësi në qarkullim dhe bllokimin e disa prej rrugëve problematike të kryeqytetit.

Për këtë arsye, Bashkia e Tiranës bën me dije se ka marrë të gjitha masat për të ulur numrin e problematikave që mund të shfaqen gjatë ditës së nesërme.

Ndërmarrjet e rrugëve, pastrimit, kanalizimeve, ndriçimit, Policia Bashkiake, Inspektorati i Mbrojtjes së Territorit dhe Zjarrfikëset, kanë ngritur grupe të posaçme pune dhe do të jenë në terren, në shërbim të qytetarëve gjatë gjithë ditës, së bashku me administratorët e 24 njësive administrative.

Bashkia e Tiranës këshillon qytetarët që të minimizojnë lëvizjet tyre ditën e nesërme, për të shmangur trafikun e rënduar që mund të krijohet për shkak të rreshjeve, si dhe bllokimin e rrugëve.

Për të lehtësuar transportin e qytetarëve, Bashkia e Tiranës u ka kërkuar linjave të transportit publik që të shtojnë numrin e autobusëve në qarkullim.

Bashkia e Tiranës ka evidentuar se rrugët më problematike dhe me mundësi më të lartë për t’u bllokuar janë:

Rr. Siri Kodra (segmenti te Frigoriferi)
Rr. Don Bosko
Rr. e Kavajës
Rr. Imer Ndregjoni
Rr. Bardhyl (segmenti ku kryqëzohet me rr. ‘Qemal Stafa’)
Unaza (segmenti ‘Vasil Shanto’ – ‘21 Dhjetori’)
Rr. Myslym Shyri
Rr. e Dibrës

Nga ana tjetër, Bashkia e Tiranës u bën thirrje qytetarëve që të tregohen të kujdesshëm dhe të shmangin kalimin pranë lumenjve në zonat periferike të Tiranës.

Në raste emergjencash, ju lutemi të kontaktoni Bashkinë e Tiranës në numrin 0800 0888 (nga numrat fiks), Policinë Bashkiake në numrin 04 24 19 465, Zjarrfikëset në numrin 129 ose administratorin e njësisë tuaj administrative.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat