Nesër reshje të dendura shiu, ja rrugët që mund të bllokohen në Tiranë

Shqipëria

Nesër reshje të dendura shiu, ja rrugët që mund të bllokohen në Tiranë

Më: 25 nëntor 2015 Në ora: 01:11

Reshje të dendura shiu priten gjatë ditës së nesërme, ndërkohë që Bashkia e Tiranës ka publikaur masat e marra në terren për të shmangur problematikat.

Bashkia e Tiranës njofton të gjithë qytetarët se, gjatë gjithë ditës dhe mbrëmjes së nesërme, priten sasi të mëdha dhe reshje të dendura shiu, deri në nivele të tilla saqë mund të shkaktojnë vështirësi në qarkullim dhe bllokimin e disa prej rrugëve problematike të kryeqytetit.

Për këtë arsye, Bashkia ka marrë të gjitha masat për të ulur numrin e problematikave që mund të shfaqen gjatë ditës së nesërme. Ndërmarrjet e rrugëve, pastrimit, kanalizimeve, ndriçimit, Policia Bashkiake, Inspektorati i Mbrojtjes së Territorit dhe Zjarrfikëset, kanë ngritur grupe të posaçme pune dhe do të jenë në terren, në shërbim të qytetarëve gjatë gjithë ditës, së bashku me administratorët e 24 njësive administrative.

Bashkia e Tiranës këshillon qytetarët që të minimizojnë lëvizjet tyre ditën e nesërme, për të shmangur trafikun e rënduar që mund të krijohet për shkak të reshjeve, si dhe bllokimin e rrugëve. Për të lehtësuar transportin e qytetarëve, Bashkia e Tiranës iu ka kërkuar linjave të transportit publik që të shtojnë numrin e autobusëve në qarkullim.

Rrugët më problematike dhe me mundësi më të lartë për t’u bllokuar janë:

Rr. Siri Kodra (segmenti te Frigoriferi)

Rr. Don Bosko

Rr. e Kavajës

Rr. Imer Ndregjoni

Rr. Bardhyl (segmenti ku kryqëzohet me rr. ‘Qemal Stafa’)

Unaza (segmenti ‘Vasil Shanto’ - ‘21 Dhjetori’)

Rr. Myslym Shyri

Rr. e Dibrës

Nga ana tjetër, bashkia iu bën thirrje qytetarëve që të tregohen të kujdesshëm dhe të shmangin kalimin pranë lumenjve në zonat periferike të Tiranës. Në raste emergjencash, ju lutemi të kontaktoni Bashkinë e Tiranës në numrin 0800 0888 (nga numrat fiks), Policinë Bashkiake në numrin 04 24 19 465, Zjarrfikëset në numrin 129 ose administratorin e njësisë tuaj administrative.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat