Basha: Më 8 Dhjetor, marshim protestë. Qytetarët të mblidhen në Tiranë në marrin në dorë fatet e vendit

Shqipëria

Basha: Më 8 Dhjetor, marshim protestë. Qytetarët të mblidhen në Tiranë në marrin në dorë fatet e vendit

Nga: Gjergj Koja Më: 24 nëntor 2015 Në ora: 17:39

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka ftuar qytetarët në një marshim protestë në Tiranë më 8 Dhjetor. Gjatë një takimi në Vaun e Dejës në kuadër të turit “Fjalën e kanë qytetarët”, Basha i ka drejtuar një apel qytetarëve që të marrin në dorë fatet e qeverisjes së vendit, duke e cilësuar këtë si nisjen e një përballjeje pa kthim.

“Problemet e Vaut të Dejës janë shumë të ngjashme me problemet e Selenicës, të Mallakastrës, Devollit, Kukësit, Shkodrës e të Tiranës sepse shkaku i problemeve është i njëjti, është një qeveri që nuk ia ndjen për njerëzit e vet, është një qeveri e papërgjegjshme e korruptuar deri në palcë e cila pasi rriti borxhin, pasi rriti taksat jo vetëm që nuk solli asnjë lek përmirësim në jetën tuaj, as rritje rrogash, as rritje pensionesh, as një rritje të asistencës për të papunët, por shtoi papunësinë, shtoi zullumin, shtoi gjobat, shtoi kërbaçin dhe e ka sjellë sot Shqipërinë në ditën më të zezë që shqiptarët mbajnë mend në dekada. Me papunësinë që shtohet ditë për ditë, me varfëri që thellohet ditë për ditë, me taksa të papagueshme, me gjoba që po u marrin frymën qytetarëve, me çmimin e naftës dhe të energjisë më të lartin në Ballkan dhe me asnjë perspektivë për të zgjidhur problemet e shumta, të cilat i ka bërë kapic dhe është përgjegjëse kjo qeveri”, theksoi Basha.

Në vijim kreu demokrat shtoi se nuk ka dhe nuk mund të ketë asnjë propagandë, asnjë shfaqje televizive që ta fshehë apo zhbëjë atë që po përjetojnë sot shqiptarët.

“Së bashku t’i tregojmë njëri-tjetrit nga jugu në veri, nga Shkodra në Vlorë dhe ti tregojmë qeverisë gjendjen reale të vendit dhe vendosmërinë tonë për të mos lejuar më që koha të rrjedhë pa përgjegjës. Përgjegjëse për këtë situatë është qeveria e Edi Ramës. Në fakt në vend që të marrin përgjegjësitë po duan të shtyjnë më shumë kohën me gënjeshtra. Gënjeshtra si buxheti që kanë sjellë në Parlament që është buxheti i parë në 25 vite që vjen me ulje.

Sa do të thoni ju?! 200 milionë dollarë më pak se buxheti i këtij viti. Taksat i rrit, borxhin e rrit, po shpenzimet i ul, me përjashtim të shpenzimeve për veten e tij, për luksin qeveritar i cili vazhdon të rritet në mënyrë të shfrenuar. Ky është vendi i vetëm në Europë ku paratë për shëndetësinë, për arsimin, për pensionet, për rrogat, për investimet ulen por luksi i qeveritarëve rritet. Në mënyrë që të kenë mundësi dy herë në javë si turistë të shëtisin nga Kina në Arabi me paratë që ju grabisin ju, me paratë e bukës së fëmijëve tuaj, me paratë që i nxjerrin me kërbaç dhe që çojnë drejt vetëflijimit familjarët shqiptarët”, tha Basha.

Duke i cilësuar reformat e Qeverisë Rama si hajdutëri, Basha u shpreh se kjo nuk është qeveri, kjo është banda e Edi Ramës me 40 hajdutë.

“Ndaj pyetja që shtrohet sot është a do të vazhdojmë ti japim kohë kësaj qeverie, kësaj palo qeverie edhe një vit tjetër të rrisë taksat, të rrisë zullumin, të rrisë kërbaçin e të mos ketë përgjegjësi para jush për mënyrën sesi i harxhon këto lek, për mënyrën sesi zhduken ato mijëra e mijëra fatura abuzive që kthehen në tendera luksi për ndërtuesit e vilave e sarajeve të Edi Ramës, Koço Kokëdhimës e oligarkëve të tjerë në qeveri.

A meriton kjo qeveri të vazhdojë ti japim kohë se mos ndoshta ndryshon dhe reflekton, kur na ka treguar dhe në projektbuxhet se nuk ka ndërmend as ta ndjejë dhimbjen tuaj, as të reflektojë për dhimbjen tuaj, as t’ju vijë në ndihmë për të lehtësuar sado pak dhimbjen tuaj?

Në qoftë se mendoni se duhet ti japim prapë kohë ma thoni sot, përndryshe në qoftë se mendoni se koha e kësaj qeverie ka mbaruar, se është koha për të hapur një kapitull të ri, se është koha për të bërë atë që bën çdo popull europian kur qeveria e braktis, e vjedh dhe e shkel me këmbë atëherë ju ftojmë me 8 dhjetor në marshimin e protestës në Tiranë për ti dhuruar një përballje pa kthim deri në largimin e kësaj qeverie kusarësh, hajdutësh dhe banditësh.
Me 8 dhjetor për të gjithë ata që kanë shpresuar se do të kishin një vend pune, kuptojnë se sot u mbyllën edhe ato vende pune që ekzistonin.

Me 8 dhjetor për të gjithë ata që u gënjyen për ulje taksash dhe që sot kruajnë xhepat për monedhën e fundit e s’kanë bukë për fëmijët e tyre, sepse taksat, gjobat, çmimet e larta janë kthyer në makthin e përditshëm të nënave dhe baballarëve shqiptarë.

Me 8 dhjetor për të gjithë ata që në mënyrë të padrejtë, antiligjore goditen me gjoba dhe kamatëvonesa të bandës që i thotë vetes OSHEE.

Me 8 dhjetor për të gjithë ata fermerë që jo vetëm s’ kanë parë një kacidhe ndihmë nga shteti, por i kanë lënë produktet t’u prishen dhe t’u kalbëzohen frutat, perimet, drithërat nga një qeveri që nuk e çan kokën, jo të mbajë premtimet por as të bëjë detyrat elementare për të siguruar së paku tregun e shitjeve por godet fermerët, iu kërkon NIPT-in fermerëve këta që nuk tregojnë kuponat për sarajet dhe pasuritë e tyre.

Me 8 dhjetor pra ju ftoj të gjithë banorëve të Vaut të Dejës të bashkohemi në Tiranë pa dallime politike, të gjithë atyre që iu ka ardhur laku në fyt, e që janë gati për të nisur një përballje pa kthim e për të marrë në dorë fatet e qeverisjes së vendit, fate që burojnë nga dora juaj, nga sovraniteti juaj, e nga vullneti juaj e s’mund ti tjetërsojë e vjedh askush tjetër”, tha Basha.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat