Reforma në drejtësi, Ambasadorët e BE ashpërsojnë tonet/Vlahutin: E pashpjegueshme që gjyqtarët kanë pasuri miliona euro

Shqipëria

Reforma në drejtësi, Ambasadorët e BE ashpërsojnë tonet/Vlahutin: E pashpjegueshme që gjyqtarët kanë pasuri miliona euro

Nga: Gjergj Koja Më: 24 nëntor 2015 Në ora: 17:10

Ambasadorja e Bashkimit Europian në Tiranë Romana Vlahutin, ashtu si edhe kolegu isaj amerikan Donald Lu, duket se kanë hequr dorezat në lidhje me reformën në drejtësi.

E pranishme në tryezën e konsultimit mbi reformën në drejtësi, Vlahutin është shprehur se ndihej e cuditur sesi gjyqtarë me paga të vogla kanë një pasuri miliona euro.

“Ka disa gjyqtarë në vend, prona e të cilëve kanë vlerë miliona euro dhe që janë të pashpjegueshme. Është pak e pashpjegueshme kur në një vend të vogël e të varfër, dhe ku paga më e madhe e një gjyqtari është 1500 euro, disa kanë akumuluar miliona euro.

Pse ndodh kjo? Ndoshta shumë prej tyre janë martuar me partnerë shumë të pasur apo për shkak të faktit që vijnë nga familje të pasura. Si është e mundur që 150 referime kriminale për pasuri të pashpjegueshme gjatë vitit të fundit kanë përfunduar në 4- 5 ndjekje penale?! A është ky një sistem që mendohet se do t’i mbrojë qytetarët nga korrupsioni apo është sistem për të mbrojtur personat e korruptuar nga përballja me ligjin?! Duhet të ketë qartësi”,  tha Vlahutin.

Ndërsa, Ambasadori francez në Tiranë, Bernard Fitoussi deklaroi se Qeveria shqiptare duhet të marrë masa për luftën ndaj korrupsionit. Teksa u ndal tek ndryshime kushtetuese, ai theksoi se emërimet në drejtësi duhet të jenë transparente.

“Lufta ndaj korrupsionit ka shumë rëndësi. Puna mund të bëhet në afatshkurtër, qeveria të marrë masa. Emërimet në drejtësi duhet të jenë transparente. Të bëhet dallimi cilët janë gjyqtarët e korruptuar”, tha ambasadori Fitousi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat