Kokëdhima: Emërimet nepotike, shkak për humbjen e mbështetjes së PS

Shqipëria

Kokëdhima: Emërimet nepotike, shkak për humbjen e mbështetjes së PS

Më: 24 nëntor 2015 Në ora: 15:22

Deputeti socialist Koco Kokedhima, i caktuar si koordinator i Qarkut të Vlorës dhe Gjirokastrës, përmes platformës së tij “Stina e re në PS”, kritikon praktikat e ndjekura deri më tani, si shitja e një vendi punë apo emërimet nepotike, të cilat sipas tij janë bërë shkak për humbjen e mbështetjes së PS.

“Rezultojnë shumë të emëruar pa rekomandimin e strukturave të partisë; shkelje thelbësore të marrëveshjeve PS-aleatë për ndarjen e pushtetit në dëm të PS-së, sikurse dhe punësimet prej 3-4 personash nga e njëjta familje me propozim të funksionarëve të ndryshëm që ndërhyjnë vend e pa vend. Ne nuk mund të fitojmë zgjedhjet parlamentare të vitit 2017 duke vazhduar akoma të shiten poste pune dhe duke bërë emërime nepotike” thotë Kokëdhima.

Platforma prej 45 faqesh e depozituar nga Kokëdhima ka ngjallur debate në PS, edhe për faktin se ai propozon shtyrjen e Kongresit të kësaj partie për në muajin Prill, dhe jo në Janar sikurse ka përcaktuar Asambleja e PS.

Kjo datë, vjen si rezultat i disa proçesve që duhet ti nënshtrohet partia, si trajnimi i grupeve të punës në organizatat socialiste, zbatimi fushatës së pranimeve në PS, formimi i Asamblesë në gjysmën e dytë të shkurtit dhe mbajtja e Forumit të Gruas në mars.

Kokëdhima propozon riorganizimin e strukturave në bazë rajonesh, për t’iu përshtatur ndarjes së re administrativo-territoriale, struktura që parashikojnë grupin e drejtimit të rajonit, kreun e grupit të rajonit dhe konferencën e rajonit.

Kokëdhima shprehet se riorganizmi në bazë rajonesh, do të ndihmojë në eleminimin e disa problematikave që kanë ndikuar negativisht në shtimin e anëtarësimit të PS.

Ndërkohë në riorganizimin në nivel bashkie propozohen Asamble socialiste dhe ekzekutivi pranë secilës asamble. Plaftorma i është vënë në dispozion deputetëve të Vlorës dhe Gjirokastrës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat