Rama në Kinë: Po presim financimin e projektit rajonal “Korridori i Kaltër”

Shqipëria

Rama në Kinë: Po presim financimin e projektit rajonal “Korridori i Kaltër”

Më: 24 nëntor 2015 Në ora: 14:48

Kryeministri Edi Rama, i cili ndodhet në Kinë, në krye të një delegacioni ku po merr pjesë në punimet e Samitit Ekonomik dyditor, Kinë-Europa Qendrore dhe Lindore, qëi po zhvillohet në qytetin Suzhou të Kinës Lindore i vlerësoi marrëdhëniet midis Kinës dhe Shqipërisë, shumë pozitive ndërsa shprehu kënaqësinë për forcimin e tyre në drejtime të tjera.

“Marrëdhëniet midis Kinës dhe Shqipërisë në vitin e tyre të 66-t janë shumë pozitive për momentin dhe jam i kënaqur të nënvizoj që po forcohen në drejtime të tjera. Nisma 16+1 dhe projektet Belt e Road janë dy platforma të tjera që forcojnë marrëdhëniet tona. Lidhja e qytetit Shantou, ku nis Rruga e Mëndafshit në Kinë, me qytetin e Durrësit, qyteti ynë i dytë më i madh do të shtrojë rrugën për zhvillimin e portit të Durrësit”, tha Rama.

“Shqipëria, vijoi Kyeministri, po punon që t’i japë hov turizmit, i cili është një sektor prioritar kombëtar dhe një mjet për të promovuar rritje dhe zhvillim gjithëpërfshirës. Vendi ynë ka ofertë turistike të pasur dhe të shumëllojshme.

Në vetvete, turizmi është ngushtësisht i lidhur me infrastrukturën, gjë që është e rëndësishme për zhvillimin e gjithë rajonit. Së bashku me qeverinë e Malit të Zi, si edhe me Bosnie-Hercegovinën dhe Kroacinë, presim me padurimin financimin e Autostradës Adriatike-Ioniane që e quajmë ndryshe “Korridori i Kaltër”.

Ky takim është katërti që zhvillohet mes kryetarëve të qeverive të 16 vendeve të Europës Qendrore dhe Lindore dhe Kryeministrit të Kinës, Li Keqiang. Tradita e këtij takimi nisi në Varshavë, në vitin 2012 dhe më pas vijoi me takimet në Bukuresht dhe Beograd, duke zgjeruar gjithnjë e më shumë platformën ​​për bashkëpunim.

Tema e takimit të këtij viti është, ” Pikënisje e re, sfera të reja, vizion i ri”, nëpërmjet të cilit synohet të promovohet partneriteti i deritanishëm mes vendeve, si dhe të shqyrtohen propozime të reja lidhur me bashkëpunimin në infrastrukturë, ekonomi, bujqësi, investime, shkëmbime tregtare etj. Zhvillimi i këtij samiti pritet të shënojë një moment të ri në zhvillimin e bashkëpunimit Kinë-EQL.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat