Ministria e Drejtësisë kërkon 100 milionë lekë më shumë në buxhetin vjetor të vitit 2016. Këto para do të vihen në dispozicion të buxhetit për Paraburgimin e ri të Shkodrës (personel, drita, ujë), do të shkojnë për zërin e pagave në Avokaturën e Shtetit, si dhe do të përdoren për investime në infrastrukturën e institucionit të Ministrisë së Drejtësisë.
Lajmin e bëri të ditur Zv/Ministri i Drejtësisë, Arben Isaraj, gjatë seancës dëgjimore për pr/buxhetin e vitit 2016, që po diskutohet në parim nga Komisioni për çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut.
Ai në fjalën e tij sqaroi se si do të shpërndahen fondet shtesë të kërkuara nga institucioni që kujdeset për politikat e sistemit të drejtësisë në vendin tonë.
Zv/Ministri Isaraj u shpreh se fondet do të shkojnë kryesisht për Drejtorinë e Burgjeve dhe avokaturën e Shtetit, si dhe për investime infrastrukturore në godinën e Ministrisë së Drejtësisë. “Ministria e Drejtësisë kërkon 63.1 milionë lekë shtesë për fondin e pagesave, pasi është hapur paraburgimi i ri i Shkodrës, ku do të punësohen personel i ri, janë shpenzimet për energjinë dhe po ashtu për ujësjellës. Fondi i kërkuar nga ne si shtesë e pr/buxhetit të paraqitur deri më sot, do të ndihmojë dhe në pajisjen e policisë së burgjeve me uniforma të reja, pasi aktualet janë në gjendje jo të mirë. Shpesh Policia e Burgjeve ka marrë uniforma nga Policia e Shtetit”, vijoi Isaraj, duke shtuar se pjesë e këtij fondi do të shkojë dhe për ristrukturime të burgjeve ekzistuese.
Po ashtu, Zv/Ministri bëri të ditur se një pjesë tjetër e fondit shtesë prej 100 milionë lekësh të kërkuar nga Ministria e Drejtësisë do të shkojë dhe për avokaturën e Shtetit. “Ky institucion me VKM ka shtuar 45 punonjës dhe tashmë ne kërkojmë pagën e tyre”, tha Isaraj.
Sekretarja e Përgjithshme e Ministrisë së Drejtësisë, Jola Misto në fjalën e saj u shpreh se fondi shtesë i kërkuar nga ministria në fjalë do të shkojë dhe për dy projekte të rëndësishme të institucioneve të Burgjeve. “Do të krijojmë sistemin online të qendërzuar të burgjeve, që shmang korrupsionin dhe abuzimet e shumta që mund të ketë në këtë sistem. Po ashtu, me këto fonde është parashikuar të ecin përpara dy projektet. Projekti i burgut të hapur, si dhe projekti i ndërtimit të një burgu për persona me probleme mendore”, theksoi Misto.
Ajo sqaroi gjithashtu se akuzat e deputetëve të opozitës lidhur me keqpërdorimin e fondit për të përndjekurit politik nuk qëndron. Sipas saj, fondi në fjalë është pjesë e buxhetit të Ministrisë së Mirëqenies Sociale dhe jo Ministrisë së Drejtësisë, kjo e fundit nuk bënë gjë tjetër vetëm formalizon procesin e mbikëqyrur nga ministria tjetër.
Sekretarja Misto gjithashtu tha se nga buxheti i Ministrisë së Drejtësisë do të përfitojnë rreth 800 persona nga fondi i alokuar për Agjencinë e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave. “Kjo agjenci do të përfitojë 2 miliard lekë, të cilat do të shpërndahen tek 800 persona që përfitojnë nga kthimi apo kompensimi i pronave të tyre”, mbylli fjalën e saj Sekretarja e Ministrisë së Drejtësisë, Jola Misto