Dita e Falenderimeve, Nishani: Vlerat e kulluara të njerëzimit, të kërcënuara nga aktet barbare

Shqipëria

Dita e Falenderimeve, Nishani: Vlerat e kulluara të njerëzimit, të kërcënuara nga aktet barbare

Nga: Gjergj Koja Më: 24 nëntor 2015 Në ora: 10:41

“Shqipëria i konsideron Shtetet e Bashkuara një mik të vyer dhe një partner strategjik për interesat e saj kombëtare dhe në saje të ndihmesës dhe mbështetjes shumëvjeçare e të pandërprerë amerikane si dhe të vendeve të tjera partnere Shqipëria është sot anëtare krenare dhe e denjë e NATO-s dhe një vend kandidat me meritë për në Bashkimin Evropian.

Ne jemi pamasë mirënjohës për mbështetjen e vazhdueshme e të pandërprerë dhënë nga qeveritë dhe populli amerikan, duke qenë të ndërgjegjshëm se pa këtë ndihmë të çmuar, Shqipëria nuk do të kishte arritur përparimin e deritanishëm”.

Kështu u shpreh Presidenti Bujar Nishani në fjalën përshëndetëse të mbajtur në Pallatin e Brigadave ku organizoi një veprimtari festive me rastin e Ditës së Falënderimeve. Në prani të Ambasadorit Donald Lu, qytetarëve amerikanë që jetojnë dhe punojnë në vendin tonë, miq e të ftuar shqiptarë mes të cilëve edhe mjaft ish-të përndjekur politikë, Nishani theksoi se Shqipëria ka qenë që në fillim pjesë e koalicionit kundër terrorizmit ndërkombëtar dhe forcat tona ushtarake kanë shkëlqyer dhe janë dalluar kudo ku kanë shërbyer në misionet paqeruajtëse krah për krah me sivëllezërit e tyre amerikanë.

“Aq më shumë rëndësi ka kjo festë në ditët e sotme, kur vlerat e kulluara të njerëzimit janë seriozisht të kërcënuara e të sulmuara nga aktet barbare dhe terroriste, që kanë goditur popuj dhe vende të ndryshme vetëm e vetëm se ata i luten dhe i falen Zotit tonë të përbashkët në gjuhë dhe mënyrë të ndryshme”, theksoi Presidenti.

Kreu i Shtetit vuri në dukje se kjo festë na shërben edhe për t’u shkundur nga mospërfillja e përditshme dhe për t’u kujtuar se në botë, në Amerikë, në Shqipëri, në çdo cep të rruzullit ka edhe njerëz me më pak fat se ne: të sëmurë, të vuajtur, të varfër, të pamundur, të braktisur, të përndjekur, të uritur e pothuajse të harruar në mjerimin, të cilët kanë nevojë për dorën e ngrohtë dhe përkujdesjen e gjithsecilit prej nesh.

Ndërsa Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Tiranë, Donald Lu, në përshëndetjen e tij vuri në dukje mes të tjerash se: “Ne jemi mirënjohës për mikpritjen e ngrohtë të Presidentit Nishani dhe Zonjës së Parë si dhe për miqësinë e sinqertë të ofruar nga popullit shqiptar. Le të shërbejë kjo Ditë Falënderimesh për të na kujtuar të gjithëve se sa shumë gjëra kemi për t’u shprehur mirënjohjen tonë!”

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat