Veliaj dhe Beqaj, shpjegime për mungesën e ujit në Tiranë

Shqipëria

Veliaj dhe Beqaj, shpjegime për mungesën e ujit në Tiranë

Më: 24 nëntor 2015 Në ora: 07:25

Në një njoftim për mediat, Bashkia e Tiranës dhe Ministria e Shëndetësisë shpjeguan, se përse ka mbetur pa ujë thuajse gjysma e kryeqytetit përfshirë edhe spitalet.

Situata e krijuar në impiantin e Bovillës thuhet se është “si asnjëherë tjetër në vitet e fundit”. Sipas këtij shpjegimi, shirat e dendur të ditës së dielë, erdhën pas një periudhe thatësire, ndaj uji i liqenit është turbulluar.

“Si pasojë e kushteve të rënduara atmosferike në 24 orët e fundit, ku pas një periudhe të gjatë thatësire patëm shira të dendur e të rrëmbyeshëm, uji i Liqenit të Bovillës është turbulluar si asnjëherë tjetër në vitet e fundit. Kjo e ka vështirësuar kalimin e këtij uji në impiantin e Bovillës, për t’u trajtuar e shpërndarë më pas në rrjetin e shpërndarjes”,- shkruhet në njoftim.

Specialistët e Ujësjellësit po kryejnë analizat e ujit çdo 30 minuta, sipas Bashkisë, për të konstatuar momentin kur uji do të jetë i gatshëm për t’u kaluar në rrjetin e shpërndarjes.

“Për këtë arsye, gjatë gjithë ditës së sotme, specialistët e UKT-së kanë kryer analizat e ujit çdo 30 minuta, për të garantuar cilësinë e tij.” sipas njoftimit të autoriteteve.

Ajo që mungon në këtë njoftim, është një afat kohor se kur mund të rinisë furnizimi normal me ujë i spitaleve apo i banorëve të Tiranës. Sipas një njoftimi të mëparshëm lagjet që vuajnë mungesën e ujit janë thuajse gjysma e kryeqytetit.

Zonat të cilat nuk furnizohen momentalisht me ujë të pijshëm janë:

Kinostudio

Zona e Xhamllikut

Allias

Pazari i Ri

5 Maji

Laprakë

Rruga e Kavajës

Rruga e Durrësit

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat