Modeli i shërbimit ndaj klientit, Rama: Kurseni para dhe kohë

Shqipëria

Modeli i shërbimit ndaj klientit, Rama: Kurseni para dhe kohë

Më: 24 nëntor 2015 Në ora: 01:02

Prezantohet modeli i ri i shërbimit ndaj qytetarëve në sportelet e shtetit shqiptar. ADISA, Qendra e ofrimit të Shërbimeve Publike të Integruara ka nisur menaxhimin e sporteleve të ZRPP Tiranë, sipas një modeli krejtësisht të ri, me standarde dhe procedura të përcaktuara qartë dhe me cilësi të lartë shërbimi. Kjo reformë, e cila ka marrë tashmë edhe mbështetjen financiare të Bankës Botërore, synon të modernizojë Shërbimet Publike në vend, sipas parimeve të Kujdesit ndaj klientit, që aplikojnë kompanitë më të mëdha në vend.

Thelbi i reformës është ndarja e sporteleve ku ofrohet shërbimi nga institucionet që prodhojnë shërbimin. Të gjitha sportelet e institucioneve shtetërore tashmë do të menazhohen nga ADISA. Ky standard do të arrihet përmes thjeshtimit dhe standardizimit të procedurave administrative, dixhitalizimit të shërbimeve dhe ngritjes së sistemeve teknologjisë së informacionit, zgjerimit të hapësirave për marrjen e informacionit të shpejtë dhe të saktë për shërbimet nga qytetarët dhe ngritjes së mekanizmave për mbledhjen e mendimeve dhe vlerësimeve të qytetarëve për shërbimet, për të siguruar përmirësimin në vazhdimësi të tyre. Kryeministri Rama veçoi disa nga aspektet themelore të reformës, duke thënë e kjo është një strukturë e standardeve evropiane.

“Kjo reformë ka dy aspekte. Atë të dukshmin dhe atë të padukshmin. Ai i dukshmi është ky që shihet sot. Një strukturë shërbimi e standardeve europiane. Aspekti i padukshëm është ai pas këtyre mureve, ku vazhdon intensivisht puna për të pastruar të gjitha kanalet e komunikimit dhe për të transformuar të gjithë bazën e të dhënave, në një bazë të integruar, të qëndrueshme e të besueshme dixhitale.

Pjesë e kësaj reforme janë 9 ministri dhe 20 institucione varësie që ndërveprojnë me njëri-tjetrit, për ta transformuar të gjithë strukturën sporteleve të shtetit shqiptar, për ta transformuar shërbimin që jep shtetit shqiptar, në një shërbim të integruar, me standarde, me kritere e me rregulla të unifikuara. Pra, nuk ka rëndësi nëse ti je në sportelin e hipotekës apo të ISKSH-së, apo në një sportel tjetër.

Një nga parimet bazë të kësaj reforme është që të arrijmë sa më shpejt në ditën që qytetarit të mos i kërkohet më të dorëzojë dokumente që i lëshon vetë shteti për marrjen e shërbimit. Pra, ka qytetarë që për nevoja të caktuara, kanë nevojë për një dokument, për të marrë të cilin, duhet të shkojnë deri në 21 pika të tjera, që të marrë 21 dokumente të tjera dhe të vijnë pastaj dhe të marrin dokumentin që kërkojnë.

E njëjta gjë për sipërmarrjen. Kjo do të thotë kursim i miliarda orëve që shqiptarët konsumojnë prej 20 e kusur vitesh, derë më derë, e shteg më shteg e sportel më sportel.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat