Spaho: Qeveria nuk është në gjendje të mbledhë të ardhura

Shqipëria

Spaho: Qeveria nuk është në gjendje të mbledhë të ardhura

Më: 23 nëntor 2015 Në ora: 21:50

Nënkryetari i Partisë Demokratike, Edmond Spaho e cilëson vitin 2015 si shumë të vështirë në aspektin ekonomik. Gjatë emisionit “5 pyetje nga Babaramo”, Spaho duke folur për projektbuxhetin e vitit të ardhshëm tha se, bazohet tek një rezultat i dobët i mbledhjes të të ardhurave gjatë vitit aktual.

“Janë përllogaritur saktësisht çfarë trendi ka ekonomia shqiptare. Të gjykosh për projektbuxhetin duhet të shikosh dhe ecurinë e ekonomisë gjatë 2015 bazën për buxhetin e ardhshëm. Vitit 2015 ka qenë vit shumë i vështirë ekonomik. Janë rishikuar disa herë pritshmëritë. Buxheti bazohet mbi një ecuri mjaft të dobët përgjatë vitit 2015. Qeveria nuk është në gjendje të mbledhë të ardhura. Të ardhurat nuk vijnë nga biznesi i vogël. Është 1.5% e GDP-së. Të ardhurat vijnë nga TVSH dhe akciza. Në dy vite e gjysmë ka një rritje prej 10% të borxhit”, tha Spaho.

Për vitin 2015, nënkryetari i PD-së tha se buxheti është rishikuar disa herë duke ulur pritshmëritë. “FMN bëri një rishikim në qershor të këtij viti për shkak të mungesave në mbledhjen e të ardhurave. Dha edhe një periudhë prove për qeverinë për mbledhjen e të ardhurave. Sot nuk jemi më tek 3.4% sa vlerësonte buxheti i vitit 2015, por në 2.3%. Jemi 250 milionë dollarë më pak të ardhura. Edhe plani i rishikuar ka mungesë realizimi”, tha Spaho.

Zv.kryetari i Kuvendit i Kuvendit më tej tha se përveç parashikimeve të projektbuxhetit, e shqetësojnë treguesit e tjerë duke thënë se edhe viti i ardhshëm nuk do të jetë ashtu siç parashikohet në letër.

“Në radhë të parë njerëzit largohen për shkak të ekonomisë. Nuk shikojnë mundësi për të siguruar të ardhura për familjet e tyre. Nuk shikojnë shpresë në një të ardhme afatmesme. Unë nuk mbaj mend në tre buxhetet e kësaj qeverie të ketë munguar optimizmi në moment ne paraqitjes së buxhetit. Kur fillon zbatimi, detyrohemi të rishikojmë të gjithë treguesit. Kështu do të ndodhi, edhe në dhjetor do të nxjerri akt normative për rishikimin e treguesve”, tha Spaho.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat