Meta ‘thumbon’ Ramën për të inkriminuarit dhe ekonominë

Shqipëria

Meta ‘thumbon’ Ramën për të inkriminuarit dhe ekonominë

Më: 23 nëntor 2015 Në ora: 20:43

Në mbledhjen e Komitetit Drejtues Kombëtar të Lëvizjes Socialiste për Integrim, kreu i kësaj partie, lëshoi disa mesazhe të nënkuptuara për kreun e qeverisë.

Meta, pa përmendur emra, pohoi se në partinë e tij deputetët nuk paguajnë për t’u bërë pjesë e listave të kandidatëve.

“Edhe në rastet kur individë të caktuar sillen në mënyrë jo-transparente, ne kemi gjetur forcën të shkëputemi nga ata. Edhe kur kemi mbështetur procesin e dekriminalizimit, nuk kemi bërë e as nuk bëjmë llogari se kë na prek e si na prek. Njerëz të cilët kanë patur apo kanë probleme me drejtësinë, kanë të drejtët të kenë jetën e tyre pa asnjë diskutim, por absolutisht që ne e kemi për detyrë të ngremë standardet e përfaqësimit publik. Nuk mjafton vetëm të kesh një diplomë, apo të kesh qenë qoftë edhe i padënuar, por duhet edhe shumë më tepër se kaq, në mënyrë që të mos kemi më këtë lloj të enjte, por të kemi një të enjte tjetër për qytetarët tanë në Kuvend dhe kudo në të gjitha institucionet ku merren vendime në emër të interesit publik.

Po kështu ne besojmë se është i domosdoshëm kufizimi i përfaqësimit të sipërmarrësve në postet publike. Nuk mund të themi përjashtim, sepse do të ishte një vendim i padrejtë edhe i tepruar për arsyem se sektori privat është sektori kryesor që çon vendin përpara. Por njëkohësisht jemi të ndërgjegjshëm të një shqetësimi, që nuk mund të jetë kontributi financiar as për partinë, as për fushatën e kandidatit, kriteri për të çuar në Parlament apo në detyra të rëndësishme publike një individ apo një përfaqësues të qytetarëve shqiptar.

Sepse ky është një mesazh shumë i gabuar, është një mesazh që ul nivelin e Parlamentit, por edhe rrezikon thellimin e konfliktit të interesave që nga ligjet e deri në çdo vendim që merret,” tha Meta.

Sipas kreut të LSI, ka një përpjekje për të dëmtuar imazhin e kësaj partie.

“Është shumë e rëndësishme të thellohet raporti transparent i përfaqësuesve të LSI-së në çdo nivel me qytetarët kudo. Sepse besoj faktin që LSI nuk ka qenë dhe nuk mund të pretendojë se është një forcë e imunizuar nga fenomenet e praktikave korruptive apo jo transparente, por njëkohësisht besoj se jeni dëshmitarë të faktit që ka një përpjekje për të dëmtuar imazhin e LSI-së në mënyrë të padrejtë për arsye politike.

Ndaj, përgjigja jonë më e drejtpërdrejtë në këtë drejtim, ndaj gjithë atyre që janë të shqetësuar për rritjen e LSI-së, është transparencë maksimale dhe në çdo gjë. Është goditje pa mëshirë ndaj korrupsionit ndaj cilitdo dhe në radhë të parë kur këto do të shfaqen tek përfaqësues të caktuar të LSI-së.

Askush nuk do të gëzojë mbrojtjen më të vogël, por do të meritojë përbuzjen tonë më të madhe. Nuk të detyron askush që të bëhesh drejtor me pahir, të bëhesh ministër me pahir, të bëhesh deputet me pahir. Në qoftë se e aspiron një pozicion të tillë, do të thotë që do të tregosh veten se je në gjendje të bësh diçka, të performosh, të lësh një gjurmë, të bësh diçka të mirë për ata që votojnë për ty apo për forcën politike që të jep këtë besim dhe për qytetarët e vendit tënd. Kush nuk e kupton kështu, nuk ka vend a këtu dhe në asnjë strukturë tjetër të LSI”.

Meta foli edhe për situatën ekonomike në vend.

“E dimë që situata ekonomike në vend nuk është e mrekullueshme. Na vjen keq kur opozita nuk ndjen përgjegjësitë e saj në këtë drejtim dhe nuk jep alternativat më të besueshme dhe më konstruktive. Dihet që Shqipëria është një vend tashmë i integruar dhe natyrisht përderisa ekonomia në Greqi ka probleme mjaft të mëdha, përderisa ekonomia në Itali, ku shkojnë gati 50 për qind e eksporteve tona, nuk shkëlqen dhe shumë e shumë faktorë të tjerë që ndikojnë, edhe ekonomia jonë nuk mundet të realizojë ndryshime të shpejta dhe të menjëhershme.

Por e rëndësishme është që të kemi një kurbë përmirësimi, e cila duhet të vazhdojë dhe mbi këtë drejtim duhet jo vetëm të mirëkuptojë qytetarët tanë për pritshmëritë e mëdha që ata kanë, ndonjëherë edhe për mungesën e durimit dhe aq më keq për fenomenin dhe të largimit nga vendi. Por duhet të rrisim përgjegjshmërinë tonë në raport me këtë situatë, për çdo sjellje, për çdo shërbim ndaj qytetarëve për t’i respektuar ata në maksimum dhe sidomos për t’u sjellë me modesti me ta. Sepse kini parasysh, kur vështirësitë janë të tilla, të kuptoni se çfarë do të thotë të silleni me arrogancë, me një qytetar që të voton, që zgjedhin për të ndryshuar më shpejt dhe më mirë jetën e tyre”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat