Erhard Busek: Mos u fiksoni me korrupsionin. Dilini vetes zot. Bota mund të shkojë drejt Luftës së Tretë

Shqipëria

Erhard Busek: Mos u fiksoni me korrupsionin. Dilini vetes zot. Bota mund të shkojë drejt Luftës së Tretë

Më: 13 tetor 2015 Në ora: 22:13

Nga Kosova, ku politikani i ‘regjur’ austriak, Erhard Busek, ishte së fundmi si i ftuari special në një aktivitet të Shoqatës Austri-Kosovë, komentoi në një intervistë ekskluzive për DITA situatën në Ballkan, perspektivën e saj europiane dhe qëndrimin e kryeministrit Edi Rama kundrejt Serbisë.

Duke folur për gazetaren Rudina Hoxha, Busek, i cili është President i Forumit Ekonomik të Vjenës është goxha “më pak teorik” se standardi kur flet për korrupsionin:

Pyetjes si i shikoni përpjekjet e Shqipërisë për të luftuar korrupsionin si një kusht kryesor për tu bërë pjesë e familjes europiane? – z.Busek i përgjigjet ndër të tjera:

“Nuk mendoj se është vetëm çështja e korrupsionit… Korrupsion ka edhe në pjesën tjetër të Europës. Mendoj se është traditë e drejtimit të gishtit drejt vendeve të Ballkanit se ato janë të korruptuara. Nuk po e them këtë që të justifikoj vendet e rajonit. Por kjo cështje duhet të shihet si më normale këtu dhe shpresoj se BE po e mëson historinë sepse shumë nga kompanitë, që vijnë nga vendet e BE-së, po paguajnë shumë para për korrupsion…”

Busek komenton edhe qasjen e Ramës ndaj Vuçiç dhe Beogradit dhe anasjelltas.

“Ishte shumë impresionuese në Procesin e Berlinit, Konferencën e Ballkanit në Vienë tek shikoje partneritet mes Vuçiç dhe Ramës. Ata u paraqitën shumë mirë duke qënë kritikë ndaj vetes. Strategjia e Ramës nuk është e keqe…”

Politikani që mban edhe shumë poste honorifike, pyetet nga gazetarja në intervistën në DITA edhe për faktin pse Shqipëria me rezerva natyrore të mëdha dhe bukuri natyrore, nuk “shfrytëzohet” në kuptimin e mirë të fjalës nga Europa.

“Kjo varet nga vetë Shqipëria. Mund të them se Mali i Zi është shumë i rëndësishëm për turizmin që ofron duke pasur një vijë bregdetare. Shqipëria ka të njëjtën vijë bregdetare por deri më tani, ajo nuk ka qënë e aftë ta shfrytëzojë situatën e turizmit. Varet shumë nga vetë shqipëtarët. Gjërat po përmirësohen por shumë duhet të bëhet nga ata vetë – thotë ai.

Busek prek më pas çështjen më delikate të momentit, sfidën e emigrantëve dhe nuk ngurron ta konsiderojë atë një sfidë që mund ta dërgojë botën drejt Luftës III Botërore.

“Ky është një problem vërtet i madh dhe ne nuk jemi të përgatitur për tu përballur me të. Ishte parashikuar nga disa studime të realizuara në të shkuarën por fakti është se ne nuk jemi të përgatitur për këtë lloj situate. Dhe deri më tani, nuk kemi një sistem për ta zgjidhur këtë problem. Ka shumë propozime si ndarja e kuotave për shtet apo mbyllje kufinjsh ndaj emigrantëve por këto nuk do të funksionojnë. Sipas mendimit tim, e vetmja zgjidhje është që vendet anëtare të BE-së të bashkohen më fort se kurrë. Ndoshta ky është problemi që do ti bëjë ato bashkë. Për momentin, ato janë duke ecur në drejtime të ndryshme. Dhe sigurisht kjo është gabim. Kemi të bëjmë me një sfidë dhe nëse nuk e menaxhojmë dot, mbase mund të arrijmë edhe tek një Luftë e Tretë Botërore – thotë Busek.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat