Më 18 tetor “Dita pa makina”

Shqipëria

Më 18 tetor “Dita pa makina”

Më: 13 tetor 2015 Në ora: 17:14

Sot, Bashkia e Tiranës ka nismuar javën e solidaritetit dhe të punës në komunitet, e cila do të kulmojë në 18 tetor, në “Ditën pa makina”, dhe në 19 tetor, në “Ditën e Lumturimit të Nënë Terezës”.

Sipas një njoftimi të baskisë: “Të gjithë ata që duan t’i bashkohen kësaj nisme të re të bashkisë, mund të dhurojnë diçka për njerëzit në nevojë apo të shpenzojnë pak orë në shtëpinë e fëmijës”.

Arbjan Mazniku, nënkryetari i Bashkisë së Tiranës tha se “bashkia ka menduar për një sërë nismash konkrete për qytetarët që duan të kontribuojnë duke ndihmuar dikë tjetër në nevojë, edhe në kuadër të Ditës së Lumturimit të Nënë Terezës në 19 tetor”.

Më pas Mazniku ka deklaruar: “Nisma ‘Tirana Dhuron’ do të zgjasë një javë. Para datës 19, në të gjithë qytetin do të vendosen kosha përmes të cilëve ne ftojmë qytetarët të dhurojnë diçka, rroba që nuk i duan, ushqime, lodra për fëmijë, që më pas t’ua dhurojmë njerëzve që nuk munden”.

Teksa e cilësoi Nënë Terezën si modelin e një qytetareje, e cila ia kushtoi gjithë jetën ndihmës ndaj të tjerëve, nënkryetari i bashkisë tha se në ditën e shenjtërimit dhe lumturimit të saj, mënyra më e mirë që ne si qytetarë të Tiranës mund ta përkujtojmë këtë ditë është duke ndihmuar dikë që është në nevojë.

Ai ka shtuar: “Ne ndoshta nuk mund të ndërrojmë gjithë botën, por secili prej nesh mund të ndërrojë apo të bëjë më të mirë jetën e një personi tjetër, duke dhuruar diçka nga vetja e vet, për t’i përmirësuar jetën dikujt tjetër. Ju ftojmë të gjithëve që të bëheni pjesë e kësaj nisme. Të ndihmojmë dikë është mënyra më e mirë, për të përkujtuar lumturimin e Nënë Terezës”.

Për këtë arsye, Bashkia e Tiranës në bashkëpunim me organizatat joqeveritare kanë vendosur 12 kosha dhurimi në rrugët kryesore të qytetit, ku çdo qytetar mund të dhurojë diçka modeste.

Gjithashtu, bashkia ka parashikuar edhe një sërë aktivitetesh të tjera, të cilat synojnë rritjen e kontributit të qytetarëve që mund të dhurojnë diçka të nevojshme për shtresat në nevojë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat