Shqipëri, shtyhet sërish koncesioni i Rrugës së Kombit

Shqipëria

Shqipëri, shtyhet sërish koncesioni i Rrugës së Kombit

Më: 13 tetor 2015 Në ora: 17:03

Shtyhet për të disatën herë procesi i dhënies me koncesion të Rrugës së Kombit. Këtë herë hapja e ofertave të katër kompanive që garojnë për të marrë me koncesion për Rrugën e Kombit është shtyrë me dy javë.

Ministria e Transporteve e Shqipërisë konfimon se, edhe pse ishte vendosur si datë 15 Tetori, këtë herë kanë qenë kompanitë që kanë kërkuar një shtyrje, duke bërë që të zgjatet sërish ky proces. Katër kompanitë kanë kërkuar më shumë kohë për të bërë certifikimin financiar, dhe konsulenti ndërkombëtar me Ministrinë e Transportit kanë pranuar kërkesën.

Duket se kompanitë nuk janë të sigurta nëse marrja me koncesion e autostradës Milot -Morinë do të kthejë investimin e më pas fitimin, pasi llogaritet që të kryhen punime në vlerën e 42 milion dollarëve. Vlerësimi i ofertave, do të përcaktojë edhe tarifën e saktë për të kaluar në aksin Milot-Morinë, megjithëse deri më tani është thënë se do të jetë 5 euro. Objektivi kryesor i këtij koncesioni është përmirësimi i autostradës, funksionimi dhe mirëmbajtja efektive e saj.

Koncesioni do të zgjasë për një pe riudhë 30 vjeçare dhe kompania fituese do të mbledhë dhe të mbajë të ardhurat nga taksa dhe në këmbim do të ketë përgjegjësinë për të zbatuar dhe financuar përmirësimet e autostradës, të ndërtojë një urë të re mbi lumin Drin në Kukës dhe të zbatojë punimet më urgjente gjeoteknike të stabilizimit. Dhënia me koncesion e rrugës së Kombit është lajmëruar dy vjet më parë./E.Duraj/

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat