Marrëveshja/Krijohet rrjeti i shkollave profesionale sipas modelit gjerman

Shqipëria

Marrëveshja/Krijohet rrjeti i shkollave profesionale sipas modelit gjerman

Më: 13 tetor 2015 Në ora: 11:55

Të gjithë nxënësit dhe kursantët e Qendrës Shumëfunksionale Profesionale në Kamëz do kenë mundësi që të marrin një profesion ose zanat sipas modelit dhe standardit gjerman. Kjo falë marrëveshjes së nënshkruar mes Ministrisë së Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Ambasadës gjermane dhe GIZ, e cila do mundësojë marrjen në patronazh të kësaj Qendre nga qeveria gjermane dhe kjo, jo vetëm për degë të caktuara, por për të gjitha profilet dhe kurset që zhvillohen në të. Në fjalën e tij gjatë kësaj ceremonie, ministri Klosi u shpreh se Shkolla e Mesme Profesionale e Kamzës, me këtë marrëveshjeje do të jetë realisht model i bashkëpunimit me arsimin e mesëm profesional ndërmjet Shqipërisë dhe qeverisë gjermane edhe për shkollat e tjera. “Ajo që duam të bëjmë është që e gjithë shkolla të transformohet në një model për sistemin arsimor profesional shqiptar. Dhe kjo do realizohet vetëm duke bërë që çdo klasë e kësaj shkolle të ketë një kurrikul të përcaktuar, çdo mësues i kësaj shkolle të marrë trajnimin e nevojshëm, çdo nxënës i kësaj shkolle të ketë mundësi që praktikën ta bëjë sipas sistemit dual gjerman në biznesin e zonës dhe kryesisht në biznesin gjerman që funksionon në zonën Tiranë-Durrës”, - tha Klosi.

Më tej ai shtoi se synimi është binjakëzimi dhe krijimi i një rrjeti të shkollave profesionale të ekselencës nën patronazhin e qeverisë gjermane. “Kemi shembuj konkretë tashmë në Shqipëri që rruga e emigracionit ilegal është një rrugë e dështuar. Rruga nëpërmjet formimit profesional është një rrugë me shanse shumë të mëdha për të afruar nxënës të kualifikuar për tregun shqiptar të punës, por edhe për tregun gjerman apo europian të punësimit. Është koha që Shqipëria të prodhojë punonjësit e saj të kualifikuar, të gatshëm për tregjet europiane dhe ato shqiptare, tashmë të unifikuara të punës”, - tha Klosi në fjalën e tij.

Ndërsa ambasadori gjerman siguroi për mbështetjen që ky lloj arsimi do të ketë nga qeveria gjermane, duke theksuar se Shqipëria dhe tregu i punës kanë nevojë të krijojnë një sistem të ngritur mirë në lidhje me arsimin profesional, si një rrugë e sigurt për të ecur përpara. “Unë do doja që t’iu bëja thirrje veçanërisht të rinjve që të investojnë për arsimin dhe formimin e tyre profesional, i cili do t’u sigurojë atyre më pas një punë të mirë në tregun e punës, një punë të mirëpaguar dhe mbi të gjitha një punë afatgjatë”, - tha ambasadori Hoffman.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat