“Fajtorët për humbjen e PD-së në zgjedhje të kërkohen te ish-ministrat”

Shqipëria

“Fajtorët për humbjen e PD-së në zgjedhje të kërkohen te ish-ministrat”

Më: 13 tetor 2015 Në ora: 08:23

Deputeti i opozitës Dashamir Shehi debatet e fundit në PD i cilëson përplasje mes brezave dhe garës për pushtet. Në një intervistë për “Shekull”-in ai tha se debati që ka dalë jashtë PD-së është i nevojshëm, pasi, sipas tij, gjatë kohës që drejtonte Berisha, debati ishte i pamundur të ndodhte. Ndërsa urdhrin e Bashës për të gjetur fajtorët në bazë e cilëson të pavend sepse sipas tij, në Shqipëri këtë përgjegjësi duhet ta mbajnë drejtuesit e partive. Ai ka folur dhe për skandalin e CEZ-it, raportet mes Ramës dhe Metës si dhe dy fjalë për kualifikimin e Shqipërisë në kampionatin Evropian të futbollit.

Prej ditësh ka nisur një debat në Partinë Demokratike, ku disa nga krerët e PD-së në rrethe po sulmojnë ish-ministrat për mos mosangazhim në zgjedhjet lokale. Në mbledhjet e fundit të grupit të PD-së, Ruli ka kërkuar nga Basha që t’i tërheqë veshin krerëve. Si e keni lexuar ju këtë debat ?

Debati është një lloj pasurie, pasi duhet thënë se nuk është se krijohen përditë debate të brendshme mes personazheve të partive politike. Nëse e marrim në këtë prizëm, duhet vlerësuar. Pastaj nëse ndalemi tek ata që e kanë bërë këtë debat, duhet thënë se personazhet nuk krijohen për një ditë në politikën shqiptare. Për më tepër humbja në zgjedhjet lokale nuk është se ka ardhur prej këtyre personazheve. Unë them se pezmatimi i këtyre debateve të fundit e ka zanafillën që pas humbjes së zgjedhjeve parlamentare të 2013-ës, humbje e cila duhet kapërcyer. Por nuk është ky problemi, pasi halli më i madh që ka Partia Demokratike është që të krijojë një platformë fituese për zgjedhjet parlamentare të 2017-ës, ku të krijojë një ekip i cili e çon PD-në drejt fitores. Por duhet thënë se kjo nuk bëhet pa angazhimin e të gjithëve sepse duhen ide dhe njerëz, të cilët duhet të jenë të besueshëm, gjë që deri më sot kreu demokrat nuk ia ka arritur.

Nuk ju duket se po bëhet “shumë zhurmë për asgjë” ?

Shumë mirë që po bëhet zhurmë, sepse vetëm në këtë mënyrë do të mbushet piramida, për të cilën PD-ja ka shumë nevojë, sidomos nëse do të mbushej me njerëz që kanë vlera, që kanë eksperiencë. Por dhe me njerëz që kanë vota, sepse demokracia është votë. Ndërsa nëse do të ndalemi te njerëzit që nga anonimati duan të bëhen çeto, u them që rruga është e gjatë.

Zërat mes përfaqësuesve të Partisë Demokratike që po kërkojnë zgjedhje të parakohshme janë shtuar. Ndërkohë që ju thoni që më parë Bashës i duhet një program qeverisës, duke ofruar njerëz me ide dhe eksperiencë. Nga ana tjetër duhet të thyejnë diferencën e madhe me vota. Duke parë situatën brenda PD-së dhe diferencën e madhe të votave në zgjedhjet e fundit sa e mundur është përmbysja?

Unë mendoj që përmbysja është gjithnjë e mundshme. Nuk e quaj të pamundur. Po ashtu politika nuk bëhet vetëm mbi frazën që ne e quajmë përmbytje. Liria vjen dhe me fjalët e avancuara. Nëse pas dy vitesh do vihet një ekuilibër mes të djathtës dhe të majtës edhe këtë unë e quaj përmbysje, një zhvillim dhe emancipim i gjithë jetës së politikës shqiptare, sepse edhe kështu pa opozitë kjo punë nuk shkon, pasi deri më sot kjo maxhorancë i ka pasur duart e lira për të prodhuar çdo lloj ligji.

Basha përmes një udhëzimi që i ka dërguar krerëve të degëve i kërkon atyre që të gjejnë fajtorët që sollën humbjen në zgjedhjet lokale. Si e gjykoni kërkesën e zoti Basha për të bërë “koka turku”?

Nuk ka pse të kërkojmë fajtorët, pasi koha e ka treguar kush janë ata që i sollën të djathtës humbjen. Ndërsa Basha e ka për detyrë që të fillojë të ngjisë kodrën që ka përpara e cila duhet thënë se nuk është e vogël. I duhet të bëjë programin. Atë të bëjë. Nëse kërkon që të gjejë fajtorët në bazë unë them që nuk ka për të gjetur asgjë. Në Shqipëri fajorët janë gjithnjë sipër. Kjo ideja për të kërkuar fajtorët në bazë më kujton kohën e regjimit, kur për dështimet në sektorë të ndryshëm mblidhej kolektivi dhe i binin në qafë ndonjërit. Ajo që duhet bërë në bazë është riorganizimi i partisë duke krijuar struktura të reja dhe për të nxjerrë në krye figura të reja të cilët kanë nevojë për t’u reklamuar.

Si ju duket PD-ja sot nën drejtimin e zoti Basha?

Partia Demokratike tashmë është bërë më e hapur dhe normalisht që do të ketë debate dhe konflikte të vazhdueshme mes të vjetërve dhe të rinjve ku do të dalin në sipërfaqe politikanët që anojnë në të majtë dhe në djathtë. Deri dje këto debate nuk dilnin në sipërfaqe sepse janë mbuluar nën autoritetin e Berishës. Sot më nuk është ai autoritet dhe është krejt e natyrshme që të kemi sherre mes politikanëve dhe ato të dalin jashtë dyerve të partisë, sherre që për hir të vërtetës nuk janë ta pranishme vetëm të PD-ja, por janë kudo, vetëm se partitë e tjera i fshehin.

Nga ajo që kemi parë këto ditë në PD më shumë se sa përplasje pikëpamjesh a nuk ju duket zoti Shehi si përplasje brezash?

As që nuk bëhet fjalë që ka përplasje. Por duhet shpjeguar se kjo është normale dhe nuk duhet parë si një hata e madhe që ka përplasje brezash. Duhet të kuptojmë se në politikë ka përplasje për shkak të ndryshimit të mentalitetit mes brezave. Po ashtu përplasja ka ardhur për shkak të garës për pushtet.

Në këtë përplasje që ju e cilësoni garë mes brezave, më shumë se përplasje për ndryshim mentaliteti nuk ju duket se është përplasje për inate personale?

Ky është tjetër kapitull. Kur një përplasje bëhet me mjete që nuk janë të fisme, në këto momente nuk jemi duke bërë politikë, pasi kjo e dëmton jetën politike. Por në qoftë se bëhet si konkurrencë politike unë e gjykoj të shëndetshme. Madje unë them që brenda PD-së debati moral politik dhe konfrontimi midis ideve të djathta e të majta, debati mes të rinjve dhe të vjetërve. Por kjo që po shohim ne nuk është debat i majtë dhe i djathtë, por është më shumë sherr mes individëve që kanë inate të vjetra. Debati duhet të bëhet realisht dhe duhet të lëvizë.

Shehi kundër Berishës: Hetimi i CEZ-it, jo prej të huajve

Si e komentoni skandalin e çështjes “CEZ”?

Unë mendoj që kësaj çështjeje duhet t'i shkohet deri në fund, qoftë me prokurorë të huaj ose me të vendit. Por unë mendoj që me të huaj kjo punë nuk bëhet. Edhe dita e votimit tregoi që nuk kishte sinqeritet për këtë punë. Gjysma e LSI-së votoi po, gjysma jo. Po ashtu edhe Berisha, edhe pse debatoi katër orë në momentin e votimit doli jashtë. Nuk është e sinqertë. Unë mendoj që organet shqiptare duhet t'i hapin letrat. Pastaj tjetër kapitull është nëse duan t'i hapin që nga fillimi apo jo. Por dhe kështu nuk mund të lihet pezull sepse po bëhet fjalë për shifra marramendëse, 600 milionë euro, sepse kur dëgjon këto shifra një shqiptar i varfër lemeriset. E mira është t'i vihet një kapak kësaj çështjeje, duke gjetur fajtorët. Nuk jam i sigurt për këtë dhe ndaj e kam të pamundur të jap një përgjigje përfundimtare. Se u bënë këto 10 vitet e fundit që këta protagonistët që janë këtu, i hapin dhe i mbyllin këto çështje sipas orekseve dhe qejfeve të tyre. Dhe mendoj se për të marrë vendime të pastra dhe afatgjata, duhen njerëz të ndryshëm nga këta që na kanë qeverisur vitet e fundit. Pra, përveç reformës në drejtësi, ka ardhur koha që të reformohet e gjithë klasa politike. Sepse, kjo nuk është historia e parë që diskutohet dhe që ka shkaktuar jo pak ndikim në opinionin publik, pasi u bë e dhjeta herë, mbas vitit 2000 e këtej, dhe fatkeqësisht, protagonistët janë po të njëjtët persona. Kështu që në këtë vjeshtë ka mbaruar vetëm shtatori, do ketë ditë të tjera përpara dimrit.

Ka pasur sipas jush një përplasje mes Ramës dhe Metës ?

Për këtë duhet të pyesim ata. Por unë e shoh si një aleancë politike. E ndërtuar mbi elementë pragmatistë dhe jo me ndonjë dashuri të madhe. Ndërsa prishjeve ne në gjuhën politike i themi pragmatizëm, ndërsa në gjuhën popullore i themi interesa. Në këto kushte që jemi, unë mendoj që çarja mes dy aleatëve do të arnohet dhe maxhoranca do ta mbyllë mandatin deri në fund.

Shqipëria është kualifikuar në kampionatin shqiptar. Si e përjetuat ?

Është emocionuese pasi është hera e parë dhe shanset që ta shohim sërish për mua janë të pakta. Përtej batutës, djemve të Kombëtares duhet t'i themi faleminderit, por gjithnjë këto ngjarje duhen marrë me sportivitet. Unë mendoj që shqiptarët me pasionin e vet kalojnë kufirin e lojës, sepse i kanë vënë skuadrës detyra të mëdha; të përfaqësojnë kombin, të ngrenë flamurin, të ngrenë nderin e shqiptarit. Kjo është shumë për një skuadër futbolli. Një skaudër futbolli ka për detyrë t'i bjerë topit më mirë se skuadra kundërshtare. Pjesën tjetër që po kërkohet prej futbollistave duhet ta bëjnë njerëzit e tjerë.

Sa i përket ndeshjes me Serbinë ka pasur ndikim politik?

Jo nuk ka pasur ndikim politik. Është e vërtetë që ka pasur tension të panevojshëm, i cili është shkarkuar mbi futbollistët.

Do të shkoni në Francë për të ndjekur kombëtaren?

Me qejf të madh. Nëse do të kem mundësi pse jo.

Kritikat e ish-ministave, Spaho: Janë qëndrimet e tyre personale

Nënkryetari i Partisë Demokratike Edmond Spaho qartëson qëndrimin e PD-së për ata persona të cilët mendohet se në strukturat në bazë kanë punuar në fushatë për forca të tjera politike. Sipas tij udhëzimi i kryetarit Basha nuk bën fjalë për reagimet në Facebook të kryetarëve të degëve ndaj ish-ministrave por për anëtarët e Partisë Demokratike që janë përfshirë në listat për këshilltarë në forca të tjera politike. “Bëhet fjalë për ata të cilët kanë konkurruar në këshilla, pra anëtarë të Partisë Demokratike, të cilët kanë hyrë në listën e këshillave të partive të tjera politike, pra nuk bëhet fjalë për individë të cilët janë drejtues në nivele të ndryshme të Partisë Demokratike por kanë kryer le të themi fushatë për kundërshtarët tanë politikë”, tha Spaho. Nënkryetari i PD-së i konsideron si individuale dhe jo institucionale qëndrimet kritike të kryetarëve të degëve ndaj ish-ministrave dhe deputetëve të PD. Megjithatë Spaho thotë se për këto çështje do të kërkohet llogari, por nënvizon faktin se analiza dhe riorganizimi i strukturave të PD nuk është një proces përmes të cilit do të dalin “koka turku”. “Në mënyrë individuale ato nuk janë qëndrime zyrtare as të Partisë Demokratike këtu në qendër as qëndrime zyrtare të degëve të cilat ata përfaqësojnë dhe sigurisht këto çështje do të trajtohen sipas rregullave që kemi brenda partisë. Nuk synohet që ky proces të ketë objektiv kryesor gjetjen e kokave të turkut, procesi synon të evidentojë fenomenet se çfarë shkoi mirë çfarë nuk shkoi mirë dhe mbi këtë bazë të korrigjojmë për zgjedhjet e vitit 2017”, u shpreh Spaho. Por sfida më e madhe për demokratët aktualisht nuk është analiza e vetes, por përballja me qeverinë e majtë. Nënkryetari i PD-së, thotë se tashmë janë pjekur kushtet edhe për zgjedhje të parakohshme.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat