Përmbytjet/Ministria e Bujqësisë: Në Fier, 300 ha tokë nën ujë. Situata sipas qarqeve

Shqipëria

Përmbytjet/Ministria e Bujqësisë: Në Fier, 300 ha tokë nën ujë. Situata sipas qarqeve

Më: 12 tetor 2015 Në ora: 14:54

Ministria e Bujqësisë, përmes një njoftimi për shtyp, bëri të ditur sot në mesditë situatën e krijuar nga reshjet gjatë dy ditëve të fundit (10-11 tetor 2015).

Sipas MB-së, gjatë fundjavës në të gjithë territorin e vendit kanë rënë reshje intensive, por veçanërisht në ultësirën perëndimore.

Në zonën e Shkodrës, Lezhës, Durrësit dhe Kavajës, të gjithë hidrovoret kanë qenë në funksion të plotë dhe janë furnizuar normalisht me energji elektrike, dhe nuk ka pasur përmbytje të tokave bujqësore. Ndërsa në zonën e Lushnjes, Fierit dhe Vlorës ka pasur përmbytje të lokalizuara të tokave bujqësore, kryesisht për mungesë të furnizimit me energji elektrike të hidrovoreve.

Në zonën e Fierit, gjatë ditës së djeshme janë përmbytur rreth 500 ha tokë bujqësore në Frakull, Levan dhe Hoxharë. Aktualisht, uji po largohet dhe sipërfaqja e përmbytur deri në orën 12:00, është rreth 300 ha. Në përmbytjen e kësaj sipërfaqeje, ka ndikuar edhe çarja e bankinës së Kanalit të Ujërave të Larta Levan-Pojan, në të cilën po punohet për riparimin e saj me një ekskavator. Ndërsa me një ekskavator tjetër po punohet për largimin e papastërtive që bllokojnë punën e hidrovorit të Hoxharës.

Të gjithë hidrovorët në zonën e Fierit punojnë me kapacitet të plotë

Në zonën e Lushnjes, megjithëse hidrovoret kanë qenë në gatishmëri të plotë, gjatë ditës së shtunë dhe të diel, hidrovori i Karavastasë nuk është furnizuar me energji elektrike për rreth 20 orë (hidrovori ka hyrë në punë në orën 11:00 të ditës së diel), ndërsa hidrovori i Tërbufit nuk është futur në punë për rreth 15 orë, pasi tensioni në hidrovor nuk lejonte elektropompat.

Kjo bëri që niveli i ujit në hidrovorin e Tërbufit, të rritej 60 cm mbi kuotën kritike dhe në hidrovorin e Karavastasë 70 cm mbi kuotën kritike.

Për pasojë, u përmbytën rreth 600 ha tokë bujqësore (kryesisht toka të kripura dhe të pambjella), në zonat Bedat – Karavasta, dhe rreth 20 në zonën e Ngurrzës.

Gjithashtu, përroi i Karbunarës doli nga shtrati por situata u stabilizua brenda disa orësh. Aktualisht, hidrovoret punojnë me kapacitet të plotë dhe sipërfaqja e përmbytur po zvogëlohet gradualisht.

Në zonën e Vlorës, hidrovori i Akernisë ndonëse ka qenë në gatishmëri, nuk ka punuar për mungesë të energjisë elektrike për rreth 24 orë.

Aktualisht janë futur në punë të 4 elektropompat e këtij hidrovori dhe po punohet për largimin e ujërave në rreth 450 ha toka të kripura dhe të pambjella.

Hidrovori i qytetit është mbajtur në punë pandërprerje me 3 elektropompa. Nivelet e ujit në kolektorin furnizues të tij, kanë qenë gjatë gjithë kohës në kuota normale, duke mos ndikuar në përmbytjet e vetë qytetit të Vlorës.

Hidrovori i Orikumit është në punë, por ka pasur ndërprerje të energjisë elektrike.

Në zonën e Beratit janë evidentuar përmbytje të pjesshme të tokave bujqësore në rreth 200 ha, në Kutalli, Drenovicë, Samatiçe dhe Rërëz. Aktualisht, po punohet me dy ekskavatorë për largimin e shpejtë të ujërave.

Në zonën e Elbasanit, dëmtime ka pasur në përroin e Zaranikës, Elbasan, si pasojë e prurjeve të mëdha të shoqëruara me gurë, duke dëmtuar argjinaturat mbrojtëse në disa segmente.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat