PD: Janë shtuar krimi dhe pasiguria, hapi i parë largimi i Tahirit dhe hetimi lidhjeve të tij me bandat

Shqipëria

PD: Janë shtuar krimi dhe pasiguria, hapi i parë largimi i Tahirit dhe hetimi lidhjeve të tij me bandat

Më: 10 tetor 2015 Në ora: 12:59

Megjithëse krimi dhe pasiguria në vend po shtohen, sërisht në postin e Ministrit të Brendshëm qëndron Sajmir Tahiri, i cili është nën akuzë të tmerrshme për bashkëpunim me bandit e drogës.

Kështu u shpreh deputeti demokrat Asllan Dogjani, sipas të cilit krimi në vend po rritet në mënyrë dramatike, dhe siç e shohim vrasjet janë shtuar, grabitjet me maska ndodhin në rrugët kryesore të vendit, si mbrëmë, 5 kilometra larg qendrës së kryeqytetit në autostradën Tiranë-Durrës, në aksin kombëtar më të përdorur nga qytetarët, ku me maska dhe me armë u terrorizuan udhëtarët dhe u grabit makina.

“Eshtë e qartë në sytë e mbarë opinionit publik se Saimir Tahiri është nxitës i krimit dhe aleat i tij. Derisa ministri i brendshëm ndan makinën e tij private me bandën e trafikut të drogës, siç denoncoi oficeri i lartë Zagani, derisa oficerë në pikat kyçe të trafikut të drogës, si kufiri në Dhërmi, janë në dispozicion të kushërinjve të Tahirit, atëherë krimi rritet, trafiku i drogës rritet.

Provat dhe faktet janë bërë publike. Vetë kushëriri i Ministrit i konfirmon dëshmitë e përfshirjes së Tahirit. Shtypi italian shkruan për akuzat tronditëse. Anti-mafia italiane jep alarmin për volumet e drogës që kalojnë nga Shqipëria në vendin fqinj. Vetë qytetarët e shohin çdo ditë se si hashashi ka mbuluar vendin. Krimi kërcënon sigurinë publike. Çfarë duhet të ndodhë tjetër që Saimir Tahiri të largohet nga detyra e tij? Ai duhet të lërë zyrën një orë e më parë, inkrimnimi që po i bën policisë së shtetit është shërbim ndaj krimit e trafikut të drogës, është demotivim i forcave të policisë të cilët sakrifikojnë me punën e tyre me përkushtim e ndershmëri ndërsa shohin se eprori i tyre, ministri i tyre është i lidhur me bandat. Kjo gjendje duhet të marrë fund, dhe hapi i parë është largimi i Saimir Tahirit dhe hetimi i tij i plotë për lidhjet me bandat e me krimin”, tha Dogjani.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat