Taksat e makinave, ndalohet shitblerja pa shlyer detyrimet

Shqipëria

Taksat e makinave, ndalohet shitblerja pa shlyer detyrimet

Më: 10 tetor 2015 Në ora: 08:51

Nga sot që çdo person që dëshiron të shesë makinën, fillimisht duhet të marrë një vërtetim nga Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimit të Transportit Rrugor, ku të provohet se pronari i mjetit ka paguar të gjitha taksat. Udhëzimi i Ministrit të Financave Shkëlqim Cani për një shtesë në udhëzimin nr.26, datë 4.9.2008 “Për Taksat Kombëtare”, të ndryshuar, është botuar në Fletoren Zyrtare dhe urdhëron të gjithë noterët që të mos lidhin aktmarrëveshjen e shit-blerjes së mjetit pa marrë më parë konfirmimin për pagesën e taksës vjetore të mjetit.

Udhëzimi

Udhëzimi i ministrit Shkëlqim Cani mban datën 5.10.2015, dhe ndryshon udhëzimin nr. 26, datë 4.9.2008, “Për taksat kombëtare”, të ndryshuar ku bëhet edhe shtesa. Në udhëzim shtohen paragrafët me këtë përmbajtje: “Në rastet e tjetërsimit të mjetit, zyrat noteriale përpara se të kryejnë procedurat e nevojshme ligjore për shitjen e tij, i kërkojnë shitësit të mjetit vërtetim nga DPSHTRR-ja nëpërmjet drejtorive rajonale të shërbimeve të transportit rrugor që mjeti nuk është debitor i taksës vjetore të mjeteve të përdorura të transportit apo nuk është i bllokuar nga organet kompetente të përcaktuara me ligj. Drejtoritë rajonale tatimore që të lëshojnë vërtetim “Për shlyerjen e detyrimeve tatimore” për çdo tatimpagues duhet të kërkojnë më parë vërtetim nga drejtoritë rajonale të shërbimeve të transportit rrugor për shlyerjen e “Taksës vjetore të mjeteve të përdorura”, të mjeteve në pronësi të tatimpaguesit”. Vendimi hyn në fuqi menjëherë pas botimit në Fletoren Zyrtare, çka do të thotë që zbatimi i tij nis sot.

Taksat e makinave

Taksat e makinave sipas ligjit në fuqi përcaktohet sipas cilindratës dhe llojit të karburantit. Sipas ligjit, taksa vjetore e mjeteve të përdorura të transportit është taksë vjetore për çdo vit kalendarik dhe ka vlefshmëri 365 ditë.

Kjo taksë caktohet sipas formulës: Cilindrata në cm3 x koeficienti fiks sipas vjetërsisë x taksa fikse për llojin e karburantit. Taksa fikse për llojin e karburantit është 12.5 lekë për naftën dhe 10 lekë për benzinën. Koeficienti sipas vjetërsisë së mjetit është si në tabelën e paraqitur anash. Mjetet me vjetërsi nga 0-3 vjet nuk janë subjekt i kësaj takse. “Viti i vjetërsisë” është diferenca ndërmjet vitit, kur mjetit i lind detyrimi për të kryer pagesën e taksës me vitin e prodhimit. Tashmë kanë hyrë në fuqi “Për disa ndryshime në ligjin nr. 9975, datë 28.7.2008 “Për taksat kombëtare”, të ndryshuar, pas vitit të 24-t të përdorimit, për autoveturat, koeficienti rritet me 0.04.

Detyrimi për pagimin e taksës i takon pronarit të mjetit. Vlera e taksës është për vitin kalendarik në të cilin arkëtohet, me vlefshmëri 365 ditë, pavarësisht nga momenti në të cilin ajo paguhet. Pagesa e taksës bëhet brenda afatit të vlefshmërisë, por gjithnjë para kryerjes së kontrollit teknik vjetor të detyrue-shëm të mjetit. Pronari i mjetit, i cili nuk kryen pagesën e kësaj takse brenda 10 ditëve nga mbarimi i afatit të vlefshmërisë së parashikuar, detyrohet të paguajë një gjobë prej 5% të shumës së detyrimit të papaguar për çdo muaj vonesë, por jo më shumë se 25% për çdo vit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat