Haxhinasto inspekton punimet në Unazën e Re të Tiranës: Projekti shtyhet me 1 vit, shkak shpronësimet

Shqipëria

Haxhinasto inspekton punimet në Unazën e Re të Tiranës: Projekti shtyhet me 1 vit, shkak shpronësimet

Nga: Gjergj Koja Më: 9 tetor 2015 Në ora: 16:54

Ministri i Transportit dhe Infrastrukturës, Edmond Haxhinasto, zhvilloi një inspektim të punimeve në Unazën e Re të Tiranës, një nga segmentet më të rëndësishme, që do sjellë ulje të ndjeshme të afikut.

Ministri tha se projekti ka një shtyrje me 1 vit, për shkak të problematikave, që lidhen me shpronësimet apo cilësinë e projekteve, për të cilat po punohet për të gjetur zgjidhje. Duke vëne theksin se për këtë aspekt duhet një bashkëpunim dhe koordinim më i madh mes ARSH, ALUIZNIT dhe OSSHE.

Projekti ka patur një tjetër ndryshim, që erdhi si pasojë e kërkesave të banorëve të zonës së Selitës, për të shtuar një nyje që lehtëson lëvizjen e tyre, mbikalimi nuk ishte parashikuar në projektin fillestar.

"Ky është një segment shumë i rëndësishëm i Unazës së Re të Tiranës, me një gjatësi prej 1,5 kilometrash, me një vlerë investimi 1,9 miliard lekë të reja. Ka problematikën e shumë projekteve të sektorit të rrugëve, që janë shpronësimet, cilësia e projekteve, të cilat ne po përpiqemi ti zgjidhim. Konkretisht, kjo kontratë është shtyrë për të përfunduar në Tetor të vitit 2016, pikërisht për shkak të këtyre vonesave, kërkohet domosdoshmërisht një koordinim shumë më i mirë, midis institucioneve të përfshira, por duke intensifikuar punën mes ARSH-së së bashku me ALUIZNIN, dhe me OSSHE, me qëllim që gjithë ato pengesa që janë në rrugën e realizimit të këtij segmenti të zgjidhen sa më shpejt. Dhe banorëve të Tiranës por edhe gjithë Shqipërisë, ti ofrohet një korridor i rëndësishëm për të lehtësuar trafikun që kalon përmes Tiranës, duke ofruar një standart të ri, shumë më të lartë në qarkullimin në rrugë. Një element shumë i rëndësishëm është ndryshimi projektit, për të pranuar kërkesat e banorëve të një zone me një intesitet jashtëzakonisht të lartë popullsie, një kërkesë e drejtë, që nuk ishte parashikuar në projektin e mëparshëm, që është një mbikalim, që bën të mundur aksesin e banorëve në të dyja anët e unazës, për të kaluar në krahun tjetër dhe për të qarkulluar normalisht", është shprehur Haxhinasto.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat