BE ndihmon policinë për regjistrimin dhe kontrollin e armëve

Shqipëria

BE ndihmon policinë për regjistrimin dhe kontrollin e armëve

Më: 9 tetor 2015 Në ora: 15:16

Bashkimi Evropian ndihmon Policinë e Shtetit me pajisje kompjuterike në mbështetje të Regjistrit Elektronik Kombëtar të Armëve.

Ndihma me vlerë 182 mijë dollarë vjen si pjesë e projektit “për çarmatimin dhe kontrollin e armëve në Evropën Juglindore” (EUSAC) dhe synon të përmirësojë kapacitetet për mbajtjen e të dhënave të armëve duke forcuar zbatimin efektiv të ligjit, veçanërisht në kuadër të zbatimit të ligjit të ri për armët në Shqipëri.

Ndihma përfshin 110 kompjuterë, 110 bateri kompjuteri, 60 printerë, 15 skanerë, një server dhe gjashtë switche, të cilat janë duke u instaluar aktualisht në drejtoritë dhe komisariatet e policisë në mbarë vendin për të ngritur bazën e të dhënave elektronike kombëtare për armët e vogla dhe të lehta.

Në ceremoninë e dorëzimit mbajtur sot në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, zëvendësministri i Brendshëm, Ilirjan Mustafaraj, evidentoi rëndësinë e këtij projekti. “Regjistri elektronik i armëve është krijuar për të mbuluar gjithë territorin e vendit dhe gjithë pikat e kalimit kufitar, duke regjistruar çdo armë që hyn apo del në kufirin e Republikës së Shqipërisë. Për këtë arsye ne e konsiderojmë vendosjen e këtij regjistri një hap mjaft të rëndësishëm dhe të domosdoshëm, pasi është një ndihmesë e çmuar për ekspertët e armëve të zjarrit dhe forcimin e shërbimeve zbatuese të ligjit në vendin tonë”, deklaroi Mustafaraj.

“Regjistri elektronik për armët - vijoi - është një domosdoshmëri për unifikimin e procedurave sipas udhëzimeve të Bashkimit Evropian për kontrollin, gjurmimin, regjistrimin, transportin dhe transferimin e armëve. Ky aplikacion do të regjistrojë çdo armë që do të jetë e regjistruar nga strukturat policore, por edhe çdo armë private në pronësi të subjekteve juridike e fizike. Ligji i ri për armët i miratuar në 2014-ën e ka bërë të domosdoshëm kontrollin e armëve në formate elektronike. Jemi të bindur gjithashtu se rritja e kapaciteteve kombëtare për kontrollin e armëve të vogla dhe të lehta do të rrisë shkallën e ekspertizës në këtë fushë dhe do të lehtësojë më tej shkëmbimin e informacionit mbi problematikat dhe sfidat e përbashkëta në nivel rajonal, duke promovuar bashkëpunimin dhe fuqizuar kapacitetet në luftën kundër trafikut dhe mbajtjes së paligjshme të armëve”.

Kurse drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Haki Çako, u shpreh: “Lufta ndaj krimit të organizuar, trafiqeve dhe terrorizmit shtron para policisë domosdoshmërinë e rritjes së kapaciteteve si njerëzore ashtu edhe infrastrukturore, duke u pajisur me mjetet dhe teknologjinë me bashkëkohore, për t’u përgjigjur të gjitha sfidave me të cilat përballet sot shoqëria jonë. Në kuadër të këtij projekti rajonal të filluar në nëntor 2013, Policia e Shtetit nëpërmjet specialistëve të IT-së dhe Sektorit për Armatimin, bëri të mundur krijimin e programit kompjuterik ‘SIMA’, në të cilin do të regjistrohen të dhënat për të gjitha armët e dhëna për shkak të funksioneve organike, të armëve të kapura apo sekuestruara, të armëve të subjekteve private dhe personave fizikë të cilët janë të pajisur apo do të pajisen në të ardhmen. Ky projekt nuk do të ishte i plotë nëse nuk do të shtrihej në të gjithë vendin. Mbështetja nëpërmjet këtij donacioni bën të mundur realizimin e plotë të këtij projekti. Krijimi i një baze të dhënash elektronike, siç është edhe Regjistri Elektronik i Armëve, do të ketë ndikimin e vet, duke rritur kontrollin ndaj armëve të lehta dhe trafikimit të tyre. Ky regjistër do të përmirësojë kapacitet e Policisë së Shtetit në regjistrimin dhe mbajtjen e të dhënave në lidhje me armët dhe zotëruesit e tyre, por gjithashtu edhe duke gjeneruar informacione tepër të vlefshme në një kohe shumë të shkurtër. Pa dyshim që ky projekt është një shembull i një bashkëpunimi të frytshëm me partnerët tanë ndërkombëtarë, të cilët nëpërmjet mbështetjes e ekspertizës së ofruar kanë ndikuar ndjeshëm në rritjen e rezultateve të Policisë së Shtetit”.

Ndërkohë përfaqësuesi i delegacionit të BE-së në Shqipëri dhe shefi i seksionit politik, Jan Rudolf tha: “Ne mezi presim qe ky proces të sjellë frytet e tij në përmirësimin e aftësive dhe mundësive të autoriteteve shqiptare të zbatimit të ligjit të kontrollojnë në mënyrë efektive mbajtjen e armëve të vogla dhe të lehta në mbarë vendin”.

“UNDP-ja mbetet fuqimisht e përkushtuar në rritjen e kapaciteteve teknike të institucioneve të zbatimit të ligjit që rezultojnë në forcimin e bashkëpunimit dhe ekspertizës së rajonit për të luftuar trafikimin dhe zotërimin e paligjshëm të armëve të zjarrit dhe uljen në të njëjtën kohë të rreziqeve për paqen, stabilitetin dhe zhvillimin e qëndrueshëm”, theksoi koordinatorja e përhershme e OKB-së dhe përfaqësuese e përhershme e UNDP-s së në Shqipëri, ZinebTouimi-Benjelloun.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat