PD: Kushëriri i Tahirit konfirmoi Zaganin për trafik droge

Shqipëria

PD: Kushëriri i Tahirit konfirmoi Zaganin për trafik droge

Më: 9 tetor 2015 Në ora: 15:12

Partia Demokratike e konsideroi dëshminë e një prej kushërinjve të MInistrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, si një konfirmim të akuzave për trafik droge.

Sipas deputetit Alban Zenel, u konfirmua fakti që Habilajt përdorin makinën e Saimir Tahirit dhe se kanë pasur më parë probleme me policinë.

Deklarata e plotë e deputetit Alban Zeneli:

“Kushëriri i Saimir Tahirit konfirmoi para publikut të gjithë denoncimet dhe akuzat që rëndojnë ndaj Ministrit të Brendshëm.

Një prej habilajve doli në ekran enkas për të ndihmuar kushëririn ministër, por në fakt e rëndoi atë, kur pohoi me gojën e tij këto fakte;

Makinën me imunitet, me të cilën nuk të ndal policia e të hapen të gjitha rrugët, e përdorin herë ata, herë Ministri i Brendshëm.

Pra konfirmoi dëshminë e oficerit Zagani, i cili u shpreh se trafikantët që ai vëzhgonte përdornin makinën private të Saimir Tahirit.

Habilaj tha vetë se ka pasur probleme me policinë për një shumë të madhe parash.

Pikërisht, denoncimi që bëri oficeri Zagani për paratë e drogës.

Habilaj vërtetoi lidhjen me Saimir Tahirin, duke deklaruar se janë kushërinj.

Dhe Habilaj foli gjithashtu për lidhjet me shefin e kufirit të Dhërmiut, pikërisht të zonës ku sipas dëshmisë së oficerit Zagani magazinohej dhe trafikohej droga.

Cfarë do thotë sot Saimir Tahiri?

Pozita e tij është edhe më e rënduar pas dëshmisë së kushëririt, dëshmi që e vërteton katërcipërisht akuzën e rëndë nën të cilën ndodhet ministri i brendshëm.

Akuzën për bashkëpunim në trafikun e drogës, akuzë për të cilën ai prej 37 ditësh nuk mban asnjë përgjegjësi, asnjë reflektim, vetëm nxjerr alibi e gënjeshtra që i rrëzohen pas disa orësh.

Nuk ka asnjë gomone shpëtimi për Tahirin.

Ai duhet të largohet një orë e më parë nga detyra, për t’i hapur rrugë hetimeve, dhe për të nxjerrë lidhjet kriminale jashtë zyrës së Ministrit të Brendshëm”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat