Nebiaj: Godina e OSHEE, zhvatje parash për t’ia dhënë ndërtuesit personal të Ramës

Shqipëria

Nebiaj: Godina e OSHEE, zhvatje parash për t’ia dhënë ndërtuesit personal të Ramës

Më: 9 tetor 2015 Në ora: 13:21

Partia Demokratike thotë se korrupsionin me paratë e OSHEE, paratë e gjakut të shqiptarëve, e bën edhe më skandaloz shuma e madhe e vënë në dispozicion për rikonstruksionin e godinës. Kështu tha sot zëdhënësja e demokratëve Oriela Nebiaj, e cila deklaroi se nga të dhënat, OSHEE ka vënë në shërbim të mikut të Edi Ramës, ndërtuesin e sarajeve të tij në Surrel, gati dyfishin e shumës që nevojitet për punën. “Këtë e vërteton më së miri ofertuesi i dytë, i skualifikuar, i cili merr përsipër të kryejë rikonstruksionin me shumën 3 miliardë e 800 milionë lekë, ku përfshihet sigurisht dhe fitimi i tij, ndërkohë që kryehajduti i OSHEE ka ndarë që në fillim 5 miliardë lekë për këtë aferë”, deklaroi Nebiaj, duke shtuar se 5 miliardë lekë të marra me kërbaç, me burg, u kanë kushtuar jetën shumë bashkëqytetarëve. Sipas saj, pikërisht kjo shumë e madhe i jepet fituesit të paracaktuar, mikut të Edi Ramës, i cili ka bërë ofertën me 740 milionë lekë më të lartë se subjekti i skualifikuar. Për Nebiaj, ky është një korrupsion i neveritshëm, i ngjizur që në krye si zhvatje e parave të qytetarëve për t’ia dhënë ndërtuesit personal të Edi Ramës. Qytetarët që po dhunohen çdo ditë për një kupon, që përfundojnë në burg e në errësirë nga OSHEE e bandat e tjera të qeverisë, tha ajo, po shohin se çfarë ndodh me paratë e tyre, me taksat e tyre. “Ato trajtohen si plaçkë e ndahen sipas interesave të Edi Ramës, i cili vendos për çdo tender, duke përcaktuar në fillim fituesin”, u shpreh më tej zëdhënësja e demokratëve. Ajo e mbylli qëndrimin duke thënë se PD angazhohet se bashkë me qytetarët do të vendosë para ligjit dhe para përgjegjësisë abuzuesit e zhvatësit e parave publike.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat