Të rinjtë serbë festojnë në Shqipëri

Shqipëria

Të rinjtë serbë festojnë në Shqipëri

Më: 9 tetor 2015 Në ora: 09:32

Në mes të tensioneve dhe sigurisë së lartë përpara ndeshjes së futbollit me Serbinë në Elbasan, Ministria e Arsimit të mërkurën mirëpriti 50 studentë serbë, koordinatorët e tyre dhe ministrin serb të arsimit, Srdjan Verbiç. Mikpritësit e festës ishin 50 studentë shqiptarë, koordinatorët vendas dhe Ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla dhe zv. Kryetari i bashkisë së Tiranës, Arbi Mazniku. Qindra policë rrethuan të gjithë zonën rreth Qendrës Rinore të Tiranës të mërkurën në mbrëmje për të ruajtur sigurinë. Grupi i koordinatorëve shqiptarë po inspektonte me kujdes punët po ashtu, për të siguruar që media apo të jashtmit të mos shkatërronin festën. Çdo herë që ndonjë student serb largohej nga holli për një bisedë të shkurtër apo një cigare, ata e ndiqnin dhe i mbanin nën mbikëqyrje.

Milica Jankoviç, një studente e artit pamor në Beograd, i tha BIRN se ajo ishte entuziaste për pjesëmarrjen me bashkëmoshatarët e saj shqiptarë, megjithë sigurinë e rëndë. “Nuk e kam problem, është në rregull. Ç’ka është e rëndësishme është që të argëtohemi dhe të ndihemi të sigurt,” tha ajo. Ivan Djuriç, nga Iniciativa për Rininë me bazë në Beograd, që është koordinator për studentët serb, tha për BIRN se gjithë kjo siguri nuk ishte e pëlqyeshme. “Të shohësh që i gjithë qyteti duhet të bllokohet që ne të vijmë këtu të sigurt nga aeroporti në qendër nuk më bën të ndihem rehat,” tha ai.

Por masat e forta të sigurisë nuk e kanë shuar dëshirën e studentëve serbë për të eksploruar qytetin. Tamara Skobo, një studente e gazetarisë nga Universiteti i Beogradit, tha për BIRN se ajo do të preferonte të endej nëpër Tiranë në vend që të merrte pjesë në ndeshjen në Elbasan. “Nuk jam një fanse e madhe e futbollit. Supozoj se nëse fiton Shqipëria do të bëhet një festë e madhe, ndaj shpresoj që të fitojë Shqipëria, që edhe ne të festojmë,” tha ajo, duke i bërë serbët e tjerë rreth saj të qeshin. Katër studente serbe në grup studiojnë gjuhën shqipe në Universitetin e Beogradit.

“Vendosa të studioj shqipen sepse rashë në dashuri me mënyrën si tingëllon gjuha juaj. Kënga e këngëtares shqiptare Olta Boka në konkursin e Eurovizionit 2008 “Zemrën e lamë peng”, më mbeti në mendje për një kohë të gjatë,” tha Milena Bera për BIRN. Mikesha e saj, Natalija Nikoliç tha se ajo vendosi të studiojë shqipen si një mënyrë për të lidhur më mirë njerëzit në rajon. Për të, kjo është vizita e tretë në Tiranë. Grupi i studentëve serbë e kaloi natën e parë të qëndrimit në Tiranë në shtëpitë e kolegëve të tyre shqiptarë. Organizatorët menduan se do të ishte një mënyrë shumë e mirë për të lidhur miqtë e saponjohur. Valentina Murati, nëna e Rigers Muratit, një studenti shqiptar për arkitekturë, tha se ajo ndihej entuziaste që po mirëpriste dy studentë serbë.

“Kur djali na pyeti për të pritur bashkëmoshatarët e tij serbë ne thamë: ‘Përse jo’? tha ajo. “Një nga djemtë tanë po studion në Londër dhe si një nënë unë e kuptoj sa e rëndësishme është të ndihesh i mirëpritur jashtë shtetit,” shtoi ajo. Pengu i vetëm i Valentinës është koha e shkurtër që studentët serbë kanë për të qëndruar në shtëpinë e saj. “Dua t’i bëj ata të provojnë më shumë ushqime tradicionale shqiptare”, tha ajo. Studentët serbë të shoqëruar nga bashkëmoshatarët shqiptarë do të drejtohen të enjten në mbrëmje në Elbasan ku do të jenë të vetmit tifozë në stadium në mbështetje të skuadrës serbe. Marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Serbisë mbeten të brishta pas tensioneve në ndeshjen e futbollit të një viti më parë në Beograd.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat