Ekstremizmi islamik, Kodheli: Shqipëria krah NATO-s

Shqipëria

Ekstremizmi islamik, Kodheli: Shqipëria krah NATO-s

Më: 8 tetor 2015 Në ora: 20:32

Ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli ishte sot e pranishme në punimet e Ministerialit të Mbrojtjes që po zhvillohet në Bruksel lidhur me sigurinë dhe mbrojtjen.

Në një prononcim për median, Kodheli deklaroi se situata gjeopolitike në mbarë botën është me probleme dhe se duhet të jemi të përgatitur për t’iu përgjigjur në kohë kërcënimeve.

“NATO ka kërcënime që vijnë nga lindja dhe nga jugu. Evropa vazhdon të ketë dhe do të ketë për një kohë të gjatë probleme me refugjatët që vijnë nga të gjitha vendet që kanë konflikt. Aleanca duhet të jetë e përgatitur si nga pikëpamja strategjike, ashtu dhe nga pikëpamja praktike për një përgjigje sa të shpejtë aq edhe të gjatë në kohë, ndaj gjithë këtyre kërcënimeve”, tha Kodheli.

Ministrja ka shtuar se një problem tjetër i rëndësishëm që u diskutua në punimet e Ministerialit ishte “Fondamentalizmi islamik” me të cilin kufijtë e Aleancës përballen, me të cilat aleatët do të vazhdojnë të përballen, dhe për pasojë edhe Shqipëria. Ajo ka theksuar se Shqipëria është përgjigjur dhe do të vazhdojë të jetë në linjën e parë të gjithë përgjigjes pozitive në raport me aleatët.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat