Ministria e Jashtme i përgjigjet Serbisë: Po shkon përtej rregullave të të drejtës ndërkombëtare

Shqipëria

Ministria e Jashtme i përgjigjet Serbisë: Po shkon përtej rregullave të të drejtës ndërkombëtare

Më: 8 tetor 2015 Në ora: 16:03

Ministria e Jashtme e Shqipërisë e konsideron një reagim jo proporcional atë të Serbisë, lidhur me ambasadorin shqiptar në Beograd, Ilir Boçka.

Reagimi erdhi pasi Serbia paralajmëroi se është gati të shpallë person “non grata” ambasadorin shqiptar Ilir Boçka. Pas refuzimit të notës së protestës nga Boçka ditën e djeshme, kryeministri Vuçiç tha se po shqyrtojnë dy mundësi. E para është të bllokojnë marrëdhëniet diplomatike me të për gjashtë muaj. E dyta është ta shpallin atë person “non grata”.

Por, Zëdhënësi i MPJ-së, Glevin Dervishi tha për mediat se reagime të tilla shkojnë përtej rregullave të gjithë pranuara të së drejtës ndërkombëtare.

“Jemi të zhgënjyer nga veprimet e autoriteteve serbe, që paragjykojnë vullnetin e mirë e të plotë të Autoriteteve shqiptare për mbarëvajtjen e ndeshjes së futbollit dhe ndarjen e sportit nga politika.

Komunikimi i papërshtatshëm nga Ministria e Punëve të Jashtme serbe me përfaqësuesin e Republikës së Shqipërisë në Serbi, është një reagim jo-propocional.

Reagime të tilla, si dhe leximi arbitrar i imuniteteve dhe privilegjeve të diplomatëve, shkojnë përtej rregullave të gjithë-pranuara të së drejtës ndërkombëtare dhe na kujtojnë praktika të tejkaluara”, është shprehur Dervishi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat