Lirohet ish-kryekomunari i Rrashbullit, dënohen vartësit e tij

Shqipëria

Lirohet ish-kryekomunari i Rrashbullit, dënohen vartësit e tij

Më: 8 tetor 2015 Në ora: 10:23

Gjykata e Durrësit ka shpallur të pafajshëm ish-kryetarin e Komunës Rrashbull, Hysen Gashi, i akuzuar për dhënien e të paktën 16 lejeve të ndërtimit në kundërshtim të plotë me ligjin në zonën turistike bregdetare të “Shkëmbit të Kavajës” dhe për të cilin Prokuroria e Durrësit kërkoi 5 vjet burgim. Në këtë proces, bashkë me të pandehurin Gashi, ishin konsideruar përgjegjës edhe 5 ish-zyrtarë të kësaj komune, për të cilët, pas një shqyrtimi gjyqësor me procedurë të shkurtuar, u shpallën fajtorë nga gjykata e Durrësit.

Procesi ndaj ish-kryetarit Gashi u zhvillua me procedurë të rregullt dhe seancat u drejtuan nga gjyqtarja Shpëtime Pitaku. Në përfundim të procesit, ditën e djeshme, gjyqtarja Pitaku e shpalli të pafajshëm ish-kryetarin Gashi për të njëjtat fakte dhe akuza, për të cilët gjykata e Durrësit shpalli fajtorë 5 funksionarët e tjerë që ishin edhe bashkë të pandehur. Gjatë shqyrtimit gjyqësor ndaj të pandehurit Gashi, Prokuroria e Durrësit kishte bërë kërkesë për përjashtimin e gjyqtares Pitaku, pasi, për prokurorinë, gjyqtarja kishte paraqitur njëanshmëri gjatë procesit. Kjo kërkesë u rrëzua nga një tjetër gjyqtar i Gjykatës së Durrësit dhe procesi ndaj të pandehurit Gashi vijoi nga gjyqtarja Pitaku.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat