Nishani përshëndet Forumin e Biznesit Bullgari-Shqipëri: Të shfrytëzojmë të gjitha kapacitetet në funksion të bashkëpunimit

Shqipëria

Nishani përshëndet Forumin e Biznesit Bullgari-Shqipëri: Të shfrytëzojmë të gjitha kapacitetet në funksion të bashkëpunimit

Më: 7 tetor 2015 Në ora: 17:13

Presidenti Bujar Nishani së bashku me homologun Rosen Plevneliev morën pjesë dhe përshëndetën Forumin e përbashkët të Biznesit Bullgari-Shqipëri që u zhvillua në Sofje.

Duke iu drejtuar të pranishmëve, Presidenti Nishani theksoi se një nga dëshirat dhe interesat e përbashkëta ishte që përveç dimensionit politik, vizita e tij të kishte dhe një dimension ekonomik, me synimin thelbësor që t’i jepej një mundësi më shumë bizneseve të të dy vendeve, për të vijuar intensivisht kontaktet dhe gjeneruar më shumë bashkëpunim ekonomik e tregtar. Presidenti vuri në dukje se në takimet që zhvilloi dje me Presidentin Plevneliev, me Kryetaren e Asamblesë Kombëtare Tsacheva dhe me Kryeministrin Borissov u konfirmuan marrëdhëniet shumë të mira dhe tradicionalisht miqësore e historike: “Vetëm një vit më parë ne kremtuam 100-vjetorin e marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve dhe sot pas 101 vjetësh konstatojmë me kënaqësi se mes nesh nuk ka probleme”.

“Mendoj se potencialet që vendet tona kanë, sfidat me të cilat duhet të përballemi për një të ardhme më të sigurt për popujt dhe fëmijët tanë, si dhe të qenit pjesë e një hapësire fqinjësore, duhet të na nxisin të gjithëve për të shfrytëzuar të gjitha kapacitetet dhe mundësitë tona edhe për rritjen e bashkëpunimit ekonomiko-tregtar”, u shpreh Kreu i Shtetit shqiptar.

“Mendoj se ne si politikanë, Qeveritë e të dy vendeve, por edhe të gjitha institucionet përkatëse, duhet të bëjmë më shumë për të krijuar një ambient miqësor biznesi e t’ju japim ju dhe të gjithë përfaqësuesve të biznesit së të dy vendeve, por jo vetëm, garancitë dhe lehtësirat e nevojshme, si dhe të mbështesim aktivitetet tuaja përbashkëta.” – theksoi më tej duke shtuar se mundësitë e bashkëpunimit në sektorët e infrastrukturës dhe transportit, energjetikës, turizmit, bujqësisë, industrisë agro-përpunuese, etj., por edhe në projektet rajonale, veçanërisht ato të lidhura me Korridorin VIII, mund të shfrytëzohen edhe më mirë.

“Shpirtit ndërmarrës të përfaqësuesve të bizneseve të të dy vendeve i duhet dhënë vëmendja e duhur. Dhe, në këtë këndvështrim vlerësoj se, shkëmbimi i informacionit mbi resurset dhe potencialet ekonomike të të dy vendeve, si dhe mundësitë për vendosje kontakti mes bizneseve, duhet të marrë një vëmendje më të madhe si nga institucionet shtetërore ashtu edhe nga vetë Dhomat e Tregtisë dhe Industrisë.” – nënvizoi Presidenti.

“Shqipëria dhe Bullgaria, janë dy vende që luajnë një rol shumë të rëndësishëm për zhvillimet në Evropën Juglindore. Janë dy vende anëtare të NATO-s që japin një kontribut shumë të qenësishëm në sigurinë e rajonit por gjithashtu ndajnë dhe vizion dhe vlera të përbashkëta evropiane. Mbështetja, ndihma dhe eksperienca bullgare janë shumë të vyera për ne shqiptarët, veçanërisht në këtë fazë të afrimit me Bashkimin Evropian. Jemi të ndërgjegjshëm që Bashkimi Evropian po kalon ditë të vështira e sfida shumë serioze, që lidhen me krizën ekonomiko-financiare dhe atë të emigrantëve nga vendet në konflikt në Lindjen e Mesme, por gjithashtu besojmë fort se për asnjë moment dhe arsye nuk do të neglizhohet vijimi procesit të zgjerimit dhe integrimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor. Mesazhet që vijnë nga, Komisioni dhe Parlamenti Evropian, si dhe Vendet Anëtare, ku ndër to bën pjesë dhe Bullgaria, na inkurajojnë që të vijojmë me rrugën e reformave dhe përmbushjen e standardeve. Shqipëria është e angazhuar për të përmbushur detyrat e shtëpisë dhe garantuar një zhvillim të qëndrueshëm, me objektiv kryesor anëtarësim të mundshëm të vendit në Bashkimin Evropian, duke e konsideruar anëtarësimin në Union si të vetmen alternativë orientuese të vendit dhe objektiv strategjik kombëtar.” – u shpreh Kryetari i Shtetit.

“Reformat nuk janë qëllim në vetvete, por janë garantuese të rendit kushtetues demokratik, si dhe zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik të vendit. Ekonomia dhe bizneset, qofshin ato vendase apo të huaja, investitorë apo ente tregtare, kanë nevojë për konkurrencë të ndershme dhe kushte të barabarta, të cilat mund të garantohen nga rregulla, procedura dhe drejtësi e pavarur. Shqipëria prej më se një viti ka filluar një proces për reformimin e sistemit të drejtësisë, duke e konsideruar atë përparësi të përparësive dhe çelës për suksesin e reformave në fusha të tjera.

Synimi ynë është krijimi i një gjyqësori të pavarur, larg ndikimeve politike dhe konfliktit të interesave. Vetëm kështu do të mund të kthehet besimi i qytetarëve, por edhe i bizneseve tek drejtësia. Besoj fort se, zhvillimi ekonomik i vendit, funksionimi i bizneseve dhe investimet kanë nevojë dhe për një klimë politike të qëndrueshme dhe garantim të sigurisë së vendit, për të cilat duhet të kontribuojnë të gjithë aktorët politikë dhe institucionalë.” – theksoi Presidenti.

Në mbyllje të fjalës së Tij, duke siguruar për mbështetjen e fuqishme, Presidenti Nishani theksoi edhe njëherë se “është në interesin e përbashkët të dy vendeve tona, por edhe rajonit të Evropës Juglindore ku bëjmë pjesë, nxitja e mëtejshme e bashkëpunimit në frymën e miqësisë dhe interesit të ndërsjellë, ku bashkëpunimi ekonomiko-tregtar mbetet një prej komponentëve kryesore.”

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat