Shqipëria, me listë kombëtare të profesioneve

Shqipëria

Shqipëria, me listë kombëtare të profesioneve

Më: 7 tetor 2015 Në ora: 15:53

Shumë shpejt Shqipëria do ketë listën kombëtare të profesioneve dhe përshkrimit të tyre specifik, e cila do t'i shërbejë biznesit dhe orientimit të politikave qeverisëse në arsimin profesional.

Ministria e Mirëqenies Sociale nënshkroi sot me UNDP-në një marrëveshje, e cila me mbështetjen financiare të qeverisë zvicerane do ndihmojë vendin tonë, që të ketë një listë të profesioneve të standardizuara.

I pranishëm në nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje ishte edhe ministri Blendi Klosi, i cili në fjalën e tij vlerësoi marrëveshjen e arritur si një mundësi të mirë për të bërë rishikimin, përditësimin dhe plotësimin e listës së profesioneve në Shqipëri nëpërmjet një procesi të gjerë konsultativ me sektorin privat.

“Lista e profesioneve ka një rëndësi të veçantë, si për ata që janë të punësuar, studentët, ashtu dhe për ata që kërkojnë një ndryshim karriere. Është po aq e rëndësishme edhe për institucionet e arsimit profesional dhe trajtimi, në mënyrë që kualifikimet të jenë transparente dhe të përshtaten me kërkesat e tregut të punës”, tha Klosi.

Gjithashtu, ai bëri të ditur se falë kësaj liste që do të hartohet, do bëhet e mundur jo vetëm identifikimi i profesioneve, por edhe certifikimi i tyre, duke i afruar me standardet europiane të punës.

“Duhet që koncepti që “di t'i bëj të gjitha” të marrë fund dhe gjithsecili të ketë profesionin e tij të standardizuar me karakteristikat specifike dhe të përcaktuara nga tregu i punës. Që sot do të fillojë një punë e detajuar për të pasur profesione specifike në Shqipëri. Ne në kuadër të arsimit profesional dhe të zhvillimeve në Shqipëri, po përpiqemi të kemi një hartë të plotë të interesave të biznesit”, u shpreh ministri.

Ndërkohë që drejtoresha e Përgjithshme e UNDP-së në vendin tonë, Yesim Oruc, theksoi se marrëveshja e arritur vjen në kuadër të mbështetjes së vazhdueshme që UNDP-ja i ka dhënë vitet e fundit zhvillimit të arsimit, formimit profesional dhe çështjeve të punësimit në vendin tonë.

“Synimi ynë në këtë detyrë është i dyanshëm. Nga njëra anë, ne mundohemi që standardet të jenë sa më afër atyre ndërkombëtare dhe nga ana tjetër, të jemi sa më afër nevojave të biznesit, nevojave të tregut të punës”, tha drejtoresha e UNDP-së, Yesim Oruc .

Ajo ka shprehur besimin se produkti që do prodhohet nga kjo marrëveshje do shfrytëzohet në mënyrë maksimale dhe në mënyrën më të mirë të mundshme.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat