Shqipëria bën gati kampet për sirianët

Shqipëria

Shqipëria bën gati kampet për sirianët

Më: 7 tetor 2015 Në ora: 10:38

Raportimet e mediave të huaja disa ditë më parë se Shqipëria do të strehojë rreth 75 mijë refugjatë sirianë duket se ishin të vërteta. Ditët e fundit kemi angazhime konkrete të qeverisë shqiptare në këtë drejtim.
Lapsi.al mëson se Ministria e Brendshme i ka kërkuar institucioneve vendore në Gjirokastër, Prefekturës dhe Bashkisë, që të gjejnë hapësira të mëdha për ngritjen e kampit, ku do të strehohen refugjatët sirianë. Është zgjedhur Gjirokastra jo pa qëllim. Në këtë qytet, gjatë stinës së dimrit zbarkojnë shumë klandestinë përmes pikës kufitare të Kakavijës.
Për shkak të motit të ftohtë, ata ndjekin itinerarin Greqi-Shqipëri-Mali i Zi, për të shkuar drejt Evropës. Për këtë arsye qeveria shqiptare është duke marrë masat në jug të vendit.
Deri më tani janë përcaktuar dy hapësira të mëdha, ku do të ngrihen rreth 5 mijë çadra, të cilat mund të mbajnë mbi 10 mijë persona. Aerodromi i Gjirokastrës dhe një territor rreth ish-Brigadës së Këmbësorisë të Forcave të Armatosura në repartin e Gërhotit. Të dyja këto hapësira janë jo shumë larg njëra-tjetrës. Infrastruktura e këtij kampi pritet të ndërtohet sapo të zyrtarizohen këto hapësira të siguruara nga institucionet vendore në Gjirokastër.

Jo zyrtarisht mësohet se Ministria e Brendshme i ka siguruar tashmë rreth 5 mijë çadrat ambulatore. Por përveç strehimit të refugjatëve është menduar edhe për kujdesin ndaj tyre, të paktën në aspektin shëndetësor. Kështu, në dispozicion të këtij kampi do të jenë tre doktorë dhe pesë infermierë. Nuk do të mungojnë as kuzhinierët që do të përgatisin ushqimin.
Deri më tani qeveria shqiptare është treguar e rezervuar për të dhënë informacion për kampet e sirianëve. Pas raportimit të lajmit nga mediat ndërkombëtare për ardhjen e 75 mijë refugjatëve sirianë në Shqipëri, ministri Bushati deklaroi se nuk kishte një kërkesë nga BE-ja për pritjen e refugjatëve, por sidoqoftë tha se Shqipëria po përgatitet.
Në total, jo zyrtarisht mësohet se Shqipëria do të presë tani për tani 25 mijë sirianë. Rreth 10 mijë do të strehohen në kampin e Gjirokastrës, ndërsa pjesa tjetër në një tjetër kamp që pritet të ngrihet në Korçë, një tjetër qytet kufitar me Greqinë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat