Balla i përgjigjet LSI: Nuk është koha për ndryshime në Qeveri

Shqipëria

Balla i përgjigjet LSI: Nuk është koha për ndryshime në Qeveri

Më: 7 tetor 2015 Në ora: 08:51

Nënkryetari i Grupit Parlamentar socialist, Taulant Balla, i kërkoi maxhorancës të fokusohet te reforma në Drejtësi dhe jo te ndryshimet në qeveri.

I ftuar në emisionin “Opinion” në ”News 24”, Balla tha se ndryshimet në qeveri janë kompetencë e Kryeministrit dhe se Kryeministri është shprehur se nuk do të ketë.

Kreu i Grupit Parlamentar të LSI-së, Petrit Vasili, kërkoi impulse të reja në qeverisjen e vendit. Cili është qëndrimi i Partisë Socialiste për këtë kërkesë?

Në këtë moment, maxhoranca është e fokusuar në prioritetin e këtij sesioni kuvendor, që është përmbyllja e reformës në Drejtësi. Nuk besoj se kemi çështje më të rëndësishme sesa finalizimi i procesit të shqyrtimit dhe miratimit të ligjit në Kuvend pas ardhjes së opinionit të Komisionit të Venecias, pas një pune kolosale, ku unë gjej rastin të falënderoj zotin Xhafaj publikisht për një proces që rrallëherë ka ndodhur në Shqipëri, që është reforma më e rëndësishme në këto 25 vjet. Dua ta falënderoj për mënyrën se si ka rrjedhur procesi i reformës nga zoti Xhafaj, si kryetar i komisionit të posaçëm, ku në çdo hap kanë qenë të përfshirë partnerët tanë më të rëndësishëm europianë dhe SHBA, përmes institucioneve që ato kanë përfshirë në procesin këshillues të kësaj reforme. Dua të them që është koha që në mënyrë urgjente ne ta përmbyllim këtë reformë, ashtu siç është thënë që ditën e parë të këtij sesioni edhe nga kryetari i Kuvendit, edhe nga Kryeministri. Kjo përgjegjësi duhet shqyrtuar dhe jo shmangur. Për të qenë korrekt ndaj pyetjes suaj, mendoj se duhet të kemi parasysh disa gjëra që janë shumë të rëndë- sishme: Së pari, qeveria Rama mori vlerësim maksimal me votën e 21 qershorit. Kryeministri Rama po drejton një qeveri që në këto 2 vite të mandatit të saj ka ndërmarrë me dhjetëra dhe qindra reforma. Mjafton të fokusohemi tek axhenda e këtyre ditëve, që është lufta kundër informalitetit, rezultatet e së cilës janë të paimagjinueshme në këto 25 vjet. Mjafton të marrim në konsideratë numrin e bizneseve të formalizuara ditët e fundit, duke sjellë respekt ndaj qytetarit, por edhe ndaj biznesit. Çdo ditë takojmë përfaqësues të biznesit nga të cilët marrin falënderime pa fund për vendosjen e barazisë në treg. Të gjithë janë të kënaqur, përveç ndonjërit nga SHQUP-i apo atyre që kishin ndonjë dyqan të paformalizuar, por kjo është çështje e SHQUP-it dhe jo e shqiptarëve. Përgjigjen për pyetjen tuaj e ka thënë edhe vetë kryetari i partisë sonë aleate, LSI-së, pra zoti Meta, i cili ka theksuar në mënyrë shumë korrekte që ndryshimet në qeveri janë në vlerësimin e Kryeministrit. Unë si nënkryetar i Grupit Parlamentar socialist, dua të ripërsëris qëndrimin e bërë publik nga Kryeministri, që nuk është koha për të biseduar apo folur për këtë çështje. Ky është qëndrim i thënë në publik.

Pra nuk ka nevojë për ndryshime në kabinetin qeveritar…
Unë e mbështes qëndrimin e Kryeministrit Rama. Por përsëri mendoj se fokusi publik në këtë moment duhet të jetë reforma në Drejtësi, sepse ka një përpjekje edhe nga opozita që të zhvendosë fokusin nga çështja themelore.

Politika u përfshi në skandalin e CEZ-it me kompanitë…

Unë kam drejtuar gishtin te Sali Berisha, te ministri i tij i Financave, Ridvan Bode, i cili është i zhytur kokë e këmbë me letra, me vendime, me urdhra. Është e paimagjinueshme që Prokuroria vonon sot që të marrë në pyetje Ridvan Boden për diçka që e ka bërë ditën me diell, publike, kur i dërgon shkresë ERE-s që KESH-i të ulë çmimin e energjisë që ia shet CEZ-it dhe ndërkohë CEZ të rrisë çmimin që do t’u shesë konsumatorëve. Vjedhje kompanisë shtetërore KESH, vjedhje edhe qytetarëve. Ndërkohë që ministri i Ekonomisë i asaj kohe, Nasip Naço, në mënyrë ligjore dhe shumë të rregullt i dërgon shkresë ERE-s dhe i thotë që rekomandimi i Bankës Botërore është që të mos dëmtojmë KESH-in, pra të mos e ulim çmimin që CEZ-i do të blejë nga KESH. Ky është dallimi mes dy ministrave të së njëjtës qeveri: ministri i Berishës thotë që të vidhet KESH dhe e ka bërë këtë me letër, ndërkohë që zoti Naço, që ishte ministër i LSI-së, aktualisht ministër i Drejtësisë, ka vepruar në mënyrë shumë korrekte në respektim të ligjit dhe këtu është mbyllur kjo çështje.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat