Nishani në Sofje, takime me Plevneliev dhe Borissov: Bullgaria, mbështetje të palëkundur për Kosovën

Shqipëria

Nishani në Sofje, takime me Plevneliev dhe Borissov: Bullgaria, mbështetje të palëkundur për Kosovën

Nga: Gjergj Koja Më: 6 tetor 2015 Në ora: 18:05

Presidenti Bujar Nishani po zhvillon një vizitë zyrtare në Bullgari ku është pritur në takime të vecanta nga homologu bullgar Rosen Plevneliev dhe Kryeministri Boyko Borissov.

Fillimisht të dy Presidentët zhvilluan një takim kokë më kokë të pasuar nga bisedimet dypalëshe në krye të delegacioneve zyrtare respektive. Një nga temat kryesore të bisedimeve zyrtare ishte mbështetja e palëkundur nga ana e Bullgarisë ndaj Kosovës për përfshirjen e saj në nisma dhe projekte rajonale, ashtu edhe në kuadër të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, sidomos për anëtarësimin e saj në UNESCO.

Ndërsa i konsideroi marrëdhëniet mes dy vendeve si shumë të mira, tradicionale dhe historike, Presidenti Nishani tha se në takimin me homologun bullgar, u diskutua për zhvillimet rajonale dhe shumëpalëshe, ku një vëmendje të veçantë ua kushtuam edhe sfidave dhe kërcënimeve në nivel global.

“Në aspektin dypalësh një vëmendje të veçantë ia kushtuam edhe bashkëpunimit ekonomiko-tregtar, që ashtu si edhe Presidenti Plevneliev, mendoj se nuk i përgjigjet nivelit të marrëdhënieve shumë të mira politike, por edhe mundësive dhe resurseve që dy vendet disponojnë. Ramë dakord që të nxisim më tej të gjitha strukturat shtetërore të dy vendeve tona për të krijuar atmosferën e nevojshme për një bashkëpunim të mirë ekonomik dhe tregtar. Pavarësisht se kemi një kuadër shumë të mirë ligjor bashkëpunimi në fuqi, si dhe vullnet politik të shprehur, ende rezultatet në këtë aspekt janë larg të qenit shumë të mira. Për sa i përket bashkëpunimit rajonal, shpreha rëndësinë që Shqipëria i kushton këtij bashkëpunimi, duke theksuar se politika e fqinjësisë së mirë do të mbetet e pandryshuar. Në kontekstin rajonal, solla në vëmendje nevojën e implementimit të projektit multimodal të Korridorit 8, i cili do t’i japë mundësi të reja zhvillimit të marrëdhënieve si në nivel rajonal ashtu edhe atyre dypalëshe mes Shqipërisë dhe Bullgarisë. Ndërsa, në kontekstin ndërkombëtar, një vend të rëndësishëm zuri bashkëpunimi, veçanërisht në kuadrin e NATO-s dhe të Kombeve të Bashkuara, kontributet dhe angazhimet konkrete që Shqipëria dhe Bullgaria kanë në funksion të ruajtjes së paqes dhe forcimit të sigurisë në vende e rajone të ndryshme të globit. Sigurisht që nuk mund të liheshin mënjanë temat e emigracionit nga vendet në konflikt, si dhe kërcënimet që vijnë nga terrorizmi ndërkombëtar dhe ISIS. Sa i përket emigracionit nga Siria dhe Iraku, deri tani vendet tona nuk kanë qenë rrugë kalimi, por situatat e ndryshme na bëjnë që të jemi të vëmendshëm dhe marrim masat e nevojshme për përballimin e çdo situate”, tha Nishani.

Në vijim të vizitës në Bullgari, Presidenti zhvilloi një takim me KryeministrinBoyko Borissov, me të cilin bisedoi për mundësitë e bashkëpunimit dypalësh e shumëpalësh mes dy vendeve në frymën e miqësisë tradicionale që ekziston.

Kreu i Shtetit i shprehu edhe Kryeministrit bullgar ndjenjat e mirënjohjes së shqiptarëve për mbështetjen që Bullgaria i ka dhënë Shqipërisë në procesin e Integrimit Evropian, duke evidentuar edhe besimin se kjo ndihmë nuk do të mungojë edhe për hapjen e negociatave të aderimit për në BE. Gjithashtu, Presidenti Nishani, duke iu referuar eksperiencës më të fundit bullgare të anëtarësimit në BE u shpreh se: “eksperienca që ju keni fituar gjatë anëtarësimit në Bashkimin Evropian do ta ndihmonte shumë Shqipërinë që të ecte më shpejt në këtë drejtim”.

Nga ana e tij, Kryeministri Borissov u shpreh i gatshëm për të ndihmuar me ekspertizë, veçanërisht në kuadrin e hartimit të projekteve zhvillimore që mund të mbështeten nga Bashkimi Evropian, domen ku Bullgaria është shumë efiçente dhe e suksesshme.

Të dy bashkëbiseduesit i kushtuan një vëmendje shumë të veçantë bashkëpunimit ekonomik, duke theksuar se ky bashkëpunim megjithëse ishte nga të parat e suksesshme në fillim të viteve ’90, sot ai nuk i përgjigjet aspak nivelit shumë të mirë të marrëdhënieve politike mes dy vendeve. Kryeministri bullgar Borissov shprehu mbështetjen e tij dhe të Bullgarisë për Korridorin 8, duke e konsideruar atë si një korridor shumë të rëndësishëm për zhvillimin jo vetëm të tre vendeve nga ai kalon, Shqipëri, Maqedoni dhe Bullgari, por edhe të të gjithë rajonit, duke përfshirë edhe vende të tjera jashtë tij. “Ndërtimi i Korridorit multimodal 8 duhet të jetë një prioritet për qeveritë tona.” – u shpreh Kryeministri Borissov.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat