Basha qetëson demokratët nga Lushnja: S'ka koalicion me Ramën e Metën

Shqipëria

Basha qetëson demokratët nga Lushnja: S'ka koalicion me Ramën e Metën

Më: 6 tetor 2015 Në ora: 17:19

Kryetari i opozitës shqiptare nisi sot një tur takimesh me qytetarë të të gjithë vendit, duke i qetësuar ata me premtimin se nuk ka në plan të bëjë koalicion as me P e Ramës dhe as me LSI-në e Metës.

Lulzim Basha ishte sot në Lushnje nga ku nisi turin e takimeve në përpjekje për t’i bindur shqiptarët që t’i bashkohen projektit të ri demokrat për rrëzimin e qeverisë së majtë të kryeministrit Edi Rama.

Ai foli me një numër qytetarësh dhe denoncoi atë që e cilësoi “Aleanca e 1 Prillit”, duke iu referuar 1 prillit 2013 kur u shpall shkëputja e LSI nga koalicioni i djathtë dhe bashkimi me Partinë Socialiste. Kjo datë njihet edhe si dita e gënjeshtrave.

Lideri i opozitës, pasi denoncoi atë që e cilësoi pazar koalicioni, iu referua përplasjeve të kohëve të fundit brenda mazhorancës së majtë. Basha aludoi se Rama kishte arritur orët e fundit të stabilizojë koalicionin me kreun e LSI, partia e dytë më e madhe e të majtës.

Por nga ana tjetër, një ndër pyetjet që haset më shumë në opinionin publik dhe sidomos tek mbështetësit e opozitës, është nëse PD do të bëjë sërish koalicion me LSI siç ndodhi më 2009-2013.

Një dilemë për qytetarët është edhe nëse do të ketë një koalicion mes PD dhe PS sikundër po aludohet në media.

Për të zbehur këto dyshime, z.Basha u tha qytetarëve sot në Lushnje se opozita nuk ka ndërmend të bëhet pjesë e asnjë pazari politik.

Basha siguroi se opozita që ai drejton nuk do të bëhet pjesë e asnjë pazari me dy partitë në qeveri dhe se të vetmen aleancë e ka me qytetarët.

“Lulzim Basha e ka aleancën me qytetarët. Kurrë pazar me Edi Ramën dhe Ilir Metën. Jemi gati për pastrimin e Tiranës politike nga plehrat e 1 prillit”, - qartësoi kryetari i Partisë Demokratike.

Kryetari i opozitës tha se dy drejtuesit e mazhorancës, kryetari i Kuvendit, Ilir Meta dhe kryeministri Edi Rama, kanë përfituar përmes klientelës së tyre, qindra milionë euro në kurriz të shqiptarëve.

Kurse shtoi se qytetarët shkojnë çdo natë në shtrat me ankthin e ditës së nesërme, për shkak të varfërisë, papunësisë dhe pasigurisë për jetën.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat