Xhafa: Ndryshimet kushtetuese, Adriatik Llalla do të shkarkohet nga detyra

Shqipëria

Xhafa: Ndryshimet kushtetuese, Adriatik Llalla do të shkarkohet nga detyra

Më: 6 tetor 2015 Në ora: 15:02

Fatmir Xhafa: Menjëherë pas ndryshimeve kushtetuese, do të zgjedhim një Prokuror të ri të Përgjithshëm Qeveria po përgatit largimin e kryeprokurorit Adriatik Llalla. Ndryshimet e reja kushtetuese që pritet të miratohen nga Parlamenti, do t’i japin fund dhe mandatit të Kryeprokurorit Adriatik Llalla. Paketa e re kushtetuese për reformën në drejtësi pritet që t’i ndërpresë në mes mandatin Prokurorit të Përgjithshëm, pikërisht në një kohë që ai kishte paralajmëruar një “furtunë” arrestimesh ndaj drejtuesve të lartë të shtetit që akuzoheshin për korrupsion.

Lajmin për këtë veprim e ka deklaruar sot kreu i Komisionit Parlamentar të Ligjeve, Fatmir Xhafa, gjatë një interviste televizive për “ABC News”. Sipas Xhafës, menjëherë pas miratimit të ndryshimeve kushtetuese, Adriatik Llalla do të shkarkohet nga detyra. Kreu i Komisionit të Posaçëm për Ndryshimet Kushtetuese, Fatmir Xhafaj, tha edhe se, “do të zgjidhet një prokuror i ri, sipas procedurave të reja që kanë parashikuar ekspertët që hartuan ndryshimet”.

“Nëse këto ndryshime ligjore të propozuara nga ne do të marrin edhe miratimin e Komisionit të Venecias dhe si do të shprehen palët, do të ndërpritet mandati i kryeprokurorit aktual dhe do të zgjidhet një tjetër sipas formulës së re, me funksionet e reja, me përgjegjësitë e reja”,- tha Xhafa i cili shtoi: “Prokurori i ardhshëm mund të jetë edhe ai që është aktualisht në detyrë, dhe që mund të marrë pëlqimin për të vijuar detyrën duke u zgjedhur sipas formulës së re”. Por këtë deklaratë të fortë Xhafa e ka zbutur duke thënë se për kryeprokurorin Llalla, pas ndërprerjes së mandatit do të “mendojë parlamenti dhe qeveria, duke mos e lënë rrugëve për punë, siç është bërë me paraardhësit e tij, por duke i gjetur një sistemim dinjitoz për një ish-kryeprokuror”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat