Rama i akordon Medaljen e Mirënjohjes Fondacionit Shqiptaro-Amerikan për Zhvillimin

Shqipëria

Rama i akordon Medaljen e Mirënjohjes Fondacionit Shqiptaro-Amerikan për Zhvillimin

Më: 6 tetor 2015 Në ora: 11:10

Qeveria i ka akorduar Medaljen e Mirënjohjes, Fondacionit Shqiptaro-Amerikan për Zhvillimin, gjatë një ceremonie në selinë e Këshillit të Ministrave, ku ishin të pranishëm Kryeministri Edi Rama, drejtues të Fondacionit dhe studentët që morën pjesë në program.
Kryeministri Rama ka evidentuar kontributin e tij të madh në zhvillimin e ekonomisë shqiptare me modelin e ri të sipërmarrjes dhe si shoqata më fitimprurëse në vend dhe i ka njohur në veçanti, kontributin për sjelljen e Përkrenares së Skënderbeut në Shqipëri me rastin e 100-Vjetorit të Pavarësisë.
“Merita kryesore e Fondit është modeli, modeli që ai ka afruar për ata që hyjnë në rrugën e sipërmarrjes. Është fondi më i sukshëm në zinxhirin e fondeve simotra, duke investuar në më shumë se 40 shoqëri dhe ka kontribuar në GDP me 2 miliadë USD dhe ka tërhequr 300 milionë euro, investime të huaja direkte. Ai ka sjellë dhe një qasje novatore, duke krijuar kushte që të tjerët të shikojnë rrugë pas shtigjeve të hapura, nga aeroporti tek bankat, nga dokumentat e sigurisë me teknologji moderne, tek sipërmarrja për të ndërtuar zona urbane në funksion të përfshirjes së biznesit dhe deri tek kontributi për të sjellë në Atdhe, përkrenaren e Skënderbeut me rastin e 100 – Vjetorit të Pavarësisë”, tha Rama.
LEAD Albania” është një program i ngjashëm me Programin e Shtëpisë së Bardhë për Lidershipin në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Qëllimi i Programit në Shqipëri është që t’u sigurojë profesionistëve të rinj dhe të talentuar shqiptarë përvoja të drejtpërdrejta në procesin e qeverisjes së Shqipërisë. Pjesëmarrësve u ofrohet mundësia për të punuar në pozicione të larta në stafet drejtuese të institucioneve shtetërore si Kryeministria, Institucioni i Presidentit, Ministri të ndryshme dhe Bashkia e Tiranës.
Përvoja e punës për pjesëmarrësit pasurohet me një komponent trajnimi, ku në një seri seminaresh do të trajtohen tema si integrimi evropian, politikat publike, vendimmarrja, politika e jashtme, politika të sigurisë apo zhvillimi i kompetencave sociale dhe i aftësive të lidershipit. Programi ka si synim që individët e përzgjedhur jo vetëm të mësojnë në pozicionet e tyre, por edhe të kontribuojnë në mënyrë domethënëse në produktivitetin, eficiencën dhe novacionin tek institucionet pritëse.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat