Bregu: PD të bindë qytetarët që do të qeverisë ndryshe

Shqipëria

Bregu: PD të bindë qytetarët që do të qeverisë ndryshe

Më: 6 tetor 2015 Në ora: 10:03

Majlinda Bregu flet në një intervistë për Enkel Demin, për situatën politike dhe marrëdhëniet brenda PD-së.

Të shtunën u bë analiza e zgjedhjeve vendore apo jo?

U bë një mbledhje në të cilën është diskutuar për zgjedhjet, jo analiza e mirëfilltë. Ishte një bazë për të filluar analizën e zgjedhjeve. Në raport kishte informacion, prezantim se çfarë ndodhën në zgjedhje, më pas bëhet analiza nëpër të gjitha degët.

Zgjedhjet janë bërë në qershor, analiza ende nuk është bërë… do na kapin zgjedhjet e përgjithshme edhe pak pa analizën e vendoreve…

Në fakt mund të ishte bërë më shpejt, por e rëndësishme është që të bëhet një analizë e sinqertë me veten. Një proces i pasinqertë me veten është i padobishëm. Ishin zgjedhje të pafitueshme për opozitën, prandaj është e rëndësishme që kjo analizë sapo të fillojë është mirë të jetë e sinqertë dhe e vërtetë. Nesër kryetari Basha nis një tur në rrethe me takime me qytetarët.

Raporti i Ristanit shkaktoi reagime apo jo?

Pati diskutime. Nuk e kuptoj përse sa herë kërkohet që mbledhjet të jenë të mbyllura, të nesërmen i gjen të gjitha debatet herë të sakta e herë të deformuara në faqet e gazetave. Ka patur diskutime, por jo për cilësinë e materialit dhe shifrat. Kjo pasi shifrat siç tha Basha dhe sekretari i pergjithshëm i PD-së, janë publike në KQZ dhe mbi to është ndërturar raporti. Nuk kërkoi njeri shifra ndaj jam habitur nga zbardhja. Me siguri kanë gabuar zbardhësit. Ka patur debate mbi zgjedhjet vendore dhe mbi mënyrën sesi duhet bërë kjo analizë. Asnjë nuk pati paqartësi për shifrat, as për rezultatin, por për mënyrën se si PD-ja duhet të mbërrijë në bazë.

Gjatë së shtunës, i kam rënë telefonit pafund dhe ishte e pamundur të komukoje me ju…

Nuk ka kapur telefoni, pasi ishim në mbledhje kryesie. Mund të ketë patur probleme me valët gjatë mbledhjes, nuk e di çfarë ka ndodhur….

Kur Rama ishte në opozitë përdori disa metoda teknologjike që në mbledhjet e PS-së të zhurmoheshin telefonat, sepse mendonte që Berisha e përgjonte…

Nuk e di, ka lënë ca bëma Ed’ Rama… . Të shtunën nuk kanë punuar linjat me ç’duket.

PD a mori çfarë meriton në zgjedhjet e fundit?

Jo, PD është një parti e madhe, por që këtë herë ka patur një rezultat që linte për të dëshiruar. Kemi fituar vetëm 15 bashki, kemi patur mijëra vota më pak. Nuk ka marrë atë që meriton një parti serioze. Duke qenë se është e vetmja parti serioze e spektrit të djathtë që i ka mbijetuar tallazeve të furishme, u përball me zgjedhje të pafitueshme. Ta thuash pas zgjedhjeve duket e lehtë, por në këto zgjedhje ne hymë me një sistem jo të favorshëm për PD-në. Lum kush ka patur ndërgjegjësimin se ishin zgjedhje të pafitueshme. Përsa i përket reformës territoriale ishte gabim për ne mospjesëmarrja. Duhet të ishim aty dhe të mbronin alternativën tonë për ndarjen. Harta e re ishte minus për të djathën. Arsyeja e dytë ishte presioni politik shtetëror me të cilën hymë në zgjedhje. Arsyeja e tretë ishte një lloj pakënaqësie, apatie, tërheqje nga ana e anëtarësisë së PD-së. Pak para zgjedhjeve lokale u zgjodhën strukturat e reja, por në zgjedhje këto nuk dhanë rezultatin që pritej pas një riorganizimi. shpresoj që tashmë të fillojmë të rikuperohemi me nxitim.

Është interesante të vihet re që në disa zona ku ka patur përfaqësues po themi me përvojë të PD-së dolët shumë mirë. Fjala vjen në në Lezhë ku punoi Bumçi, në Kukës Noka, në Shkodër ku punoi Imami, në Vorë ku punoi Patozi dolët mirë, në Kamëz ku ishte Gjana, si e shpjegoni që në zonat e tjera pati humbje katastrofike…

Të gjithë që kanë punuar në rrethe patën shumë më tepër vështirësi. Është fituar në ato zona ku njerëzit politikë kanë përcjellë qartë mesazhin politik si dhe kanë përcjellë qartë mënyrën sesi organizohet një fushatë. Për të fituar një palë zgjedhje duhet të jenë shumë faktorë bashkë. Struktura bazë, seksionet më aktive ka qenë ato që unë i mbaj mend të paktën që nga 2005. Pra, janë njerëz që ende i mban një lidhje ideali me PD-në. Duhet të kesh besim tek ata me të cilët punon. Në rast se beson dhe ka qartësi, ideal dhe devotshmëri, puna është më e lehtë. Por ka patur problematikë në disa zona edhe për shkak të zgjedhjes së lidershipit të ri në disa degë në Tiranë dhe rrethe bazë. PD-ja duhet të rikuperojë, sepse është frryma e solidaritetit dhe bashkësisë, asnjë fushatë zgjedhore nuk fitohet vetëm me anëtarësinë dhe militantët, vota e elektoratit gri, është thelbësisht e rëndësishme, sepse do të dëgjojë argumente, por këto argumente nuk i çon atje askush më mirë se baza e partisë. Ka nevojë për një qartësi për të kuptuar se cila ishte fizionomia dhe strategjia me të cilën PD-ja hyri në zgjedhje

Si shpjegohet që deputetët e njohur te partisë nuk u pranuan në ligjërimin politik gjatë fushatës në Tiranë?

Këtë bisedë e kemi konsomuar në ditët e para të fushatës për të përcaktuar njerëzit, me të cilët kandidati i PD-së në kryeqytet dr. Halim Kosova do të ndjehej komod në fushatë. U vendos që ligjërimi të ishte më së shumti i tij, sesa i deputeteve të tjerë. Besoj se zoti Kosova ka marrë vota më shumë sesa PD. Kjo është e provuar tashmë. Kjo ishte strategji, por unë e kam thënë publikisht pak ditë para zgjedhjeve, duke marrë edhe kosto mbi veten, tek kam deklaruar se nuk besoj tek modeli apolitik në fushata politike. Kandidati kryesor nuk duhet të përcjellë mesazhin se apolitika është më e mirë se politika. Kjo është vetëvrasje. Halim Kosova u zgjodh sepse ishte një figurë e mirënjohur në kryeqytet, jo se ishte figurë e njohur e PD-së dhe të thuash se mesazhin më të mirë e japin figurat apolitike, nuk e besoj as sot këtë. Unë besoj se fushatat drejtohen nga partitë, jo nga individët. Qofsha e gabuar, por e kam bindje se politika bëhet më e mirë me njerëz që besojnë tek politika.

Në Durrës ishte një kandidate që mediatikisht u cilësua yll, së cilës vetë Basha u investua personalisht duke i shkuara të paktën tre herë në fushatë. Mos vallë humbja e Durrësit i duhet faturuar veç Kandidates edhe kryetarit..

Durrësi ishte një ndër qytetet me shanse të mëdha për t’u fituar, por edhe për këtë ka patur shumë zhurmë për deklaratat e mia. Për Durrësin kam qenë dyshuese që në fillim. Aty kishte premisa për të fituar. E parë nga sot fushata e Grida Dumës ka qenë shumë e mirë, aktive, me prani mediatike. Absolutisht ka qenë një fushatë shumë më e mirë se sa fushata e kandidatit të socialist. Në zgjedhje dhe e mira i faturohet kryetarit, edhe humbja i faturohet lidershipit, por unë prapë i kthehem asaj që thashë se zgjedhjet ishin të pafitueshme.

Si shpjegohet që koalicioni parazgjedhor opozitar u rrudh?

Nuk kam qenë pjesë e këtyre bisedimeve për koalicionin, thjesht edhe unë e kam parë këtë rrudhje.

Ka fjalë që PD-ja do të ketë riorganizim…

Këtu nuk janë fjalë. Ky ishte thelbi i diskutimit të mbledhjes së të shtunës. Në bazë të analizës që do të bëhet nëpër degë do të mbajnë përgjegjësi kush nuk ka patur rezultate.

Si ka mundësi që një parti që do të vijë në pushtet nuk ka një kryetar dege në Tiranë?

Kjo, sepse Tirana ka funksionuar me krerët e minibashkive të PD-së. Kështu është struktura së fundmi.

PD-ja e tiranës ka nxjerrë shumë figura apo jo?

Po, Minarolli, Nishani, Bumçi, Olldashi e shumë të tjerë. Ka nxjerrë shumë figura të përkushtuara. Por edhe sot ka prej tyre që janë të përkushtuar për të punuar çdo ditë. Krahasimisht me kohën kur njësia 8, ajo 11, Lapraka, apo zona e Don Boskos të cilat kanë qenë njësitë tradicionale të djathta, edhe në këto zona ka patur rrudhje, sepse dhe zonat që nga 2005 kanë pasur ndryshime. Duhet një analizë për të kuptuar se çfarë ka ndodhur në këto zona. Sot PD nuk është ajo e 1997, në dallim me atëherë sot kjo opozitë është shumë më e kollajtë. Në 1997 kishte më shumë ideal, sot ka më shumë llogari.

A ka një konflikt ta quajmë “brezash” brenda PD-së?

-Unë mbase nuk jam njeriu i duhur për t’u pyetur, sepse unë e kam nisur karrierën politike së bashku me Lulëzim Bashën, jemi në të njëjtën moshë, i njëjti brez. Në PD, nuk besoj se ka konflikt brezash, sepse ndryshe i bie të pozicionohem si brez i mesëm dhe ata që gjetëm brez i vjetër? Unë nuk e ndjej këtë.

A është një lider frymëzues Basha?

Një lider mund të jetë frymëzues për disa, kurse për disa të tjerë mund të mos jetë. Them që një lider është frymëzues sigurisht për karakteristika personaliteti, por edhe kur krijon besimin, ka një frymë grupi, ka një vizion për të parë përpara, dhe unë këtu besoj se Basha nuk ka arsye që të shohë pas. Besoj se lideri duhet të frymëzojë ekipin. Ekipi duhet të ketë një ndjesi të përbashkësisë, duhet të ketë respekt për grupin, të ketë respekt për zërat ndryshe të grupit. Pra, duhet të jetë një dirigjent i mirë që orkestron më së miri orkestrën që ajo të mos stonojë. Orkestra e tij duhet të ketë një tingull të qartë.

Berisha nuk e di për dirigjent si është, por ishte frymëzues…

Berisha jo vetëm krijoi PD-në, por krijoi dhe imazhin si rivalin e partisë më të vjetër në vend, Partinë e Punës që rilind herë pas here. Berisha është lideri historik. Në kohën e tij kishte gjithmonë një zgjidhje.

Kushdo që të ishte pas Berishës dihej se do ta kishte shumë të vështirë. Uroj dhe shpresoj që në asnjë moment kryetari aktual i PD-së të mos mendojë se do të jetë si Sali Berisha. Është i papërsëritshëm si lider Berisha.

Ju hyni tek nostalgjikët që kanë shkuar në zyrën e tij për t’i kërkuar që të rikthehet në krye të PD-ë?

-Berisha si një njeri që i ka dhënë mundësinë mua dhe shumë të tjerëve, meriton mirënjohjen prej secilit prej nesh. Berisha mori një vendim i bindur se duhet të mbante një përgjegjësi. Ishte vendim i marrë prej kohësh siç e ka thënë dhe vetë në rast se do të humbiste. Berisha përveç mirënjohjes nuk ka nevojë për asgjë.

Ne jetojmë në periudhën e rrjeteve sociale dhe në to kam lexuar diku se në Vjenë të kishte marrë Ed Rama me vete, se ti po shkon…

Këto anekdotat tani nuk më bëjnë më as për të qeshur. Nuk më shqetësojnë jo e jo. Përveç faktit që kemi qenë në të njëjtën sallë, të tjerat janë pallavra. Kam qenë si kryetare e Komisionit të Integrimit. Kam qenë e ftuar nga fondacioni austriak që e organizonte këtë samit pas procesit të Berlinit, si dhe për të dakordësuar një projekt rajonal për të përfshirë dhe parlamentet si pjesë e këtij procesi. Pas përfshirjes së qeverive dhe shoqërisë civile në këtë proces duhet të përfshihen dhe parlamentet.

Ky procesi i Berlinit me fjalë të thjeshta çfarë i ofron Shqipërisë?

E bën më të përkthyeshëm procesin e integrimit, më shumë investime në infrastrukturë, më shumë mundësi punësimi të të rinjve, arsimin profesional. Procesi i Berlinit mundohet ta bëjë më të prekshëm procesin e integrimit për qytetarët e rajonit deri në momentin kur vendet antarësohen në BE.

Ke thënë se ke shkruar një libër, sepse kishe kohë në dispozicion. Tani si je me kohën?

-Pas një ritmi marramendës, kur dita dihet se kur fillon dhe nuk dihet se kur mbaron, kur del ne opozitë thua me veten, po tani me çfarë do të merrem, me çfarë mund ta mbush ritmin tim. kështu që gjen kohë për të bërë gjëra që ke përzemër; unë shkrova librin.

Ishit e ftuar në PPE me ftesë të kreut të saj Jozef Doll?

Po isha në një takim të tillë, i cili ishte planifikuar rreth 30 minuta, por zgjati më shumë, gati 1 orë e çerek. Isha e ftuar personalisht në takim. U fol kryesisht për çështjet e integrimit europian të vendit tonë.

Një memo e shkruaR për kreun e partisë për këtë takim apo jo?

Jo, jo. As për këtë dhe as për ndonjë takim tjetër nuk kam shkruar memo. As më është kërkuar dhe as besoj se i kërkohet ndonjërit prej nesh ndonjë memo. Por mund të veçoj se përsa i përket cilësisë së bisedimeve politike, prej kohësh nuk isha kenaqur me takimet në Bruksel sesa këtë rradhë. Aty politika, megjithëse përdor gati të njëjtët mekanizma nuk është një sport makabër, nuk është një nxjerrje sysh si këtu.

Si rrëzohet një qeveri e cila sipas opozitës është e zhytur deri në grykë me skandale?

Nëse ka një kauzë që rezultoi e saktë dhe me dobi për vendin, e ngritur dhe e ndjekur qartë nga opozita, ishte çëshja e dekriminalizimit, megjithë ndjesinë e keqe që përcjell kjo çështje dhe veçanërisht kur u flet të huajve. Kjo ishte causa më e qëndrueshme, asaj që po i shkohet deri në fund. Është imediate, sepse dhe propozimet ishin shumë të mira. Për shembull çështja e përfshirjes së ministrit të Brendshëm në trafiqet e drogës është çështje madhore që po bind gjithkënd. Po aq e rëndësishme është çështja e ndryshimit të situatës ekonomike. Të gjitha aferat korruptive janë çështje madhore, por qytetarët shqiptarë sot ndjejnë ndëshkimin që po i japin reformat e ndërmarra nga qeveria. Reformat nuk duhen gjykuar vetëm nga parimi “po bëhen për të vendsour rregull”, por duhen gjykuar nga rezultati. Aksioni kundër informalitetit sot nuk po jep rezultat tek ata që vërtetë kanë bërë evazion. Sot, njerëzit po ndjejnë presionin e të jetuarit keq dhe nga ana tjetër nuk po shohin ndonjë shtyllë për t’u kapur dhe për të besuar se gjendja do të përmirësohet. Imediate për të sjellë ndryshimin është një paketë propozimesh për ndryshime për t’i dhënë një hov ekonomisë. Faktet tregojnë se një situatë si sot nuk ka qenë kurrë gjatëe qeverisjes së PD-së. INSTAT-i njoftoi se qytetarët konsumojnë më pak, pa folur për keqtrajtimin që iu bëhet, shkeljen e të drejtave të njeriut apo seleksionimi që i bëhet personave që i nënshtrohen arbitraritetit shtetëror.

Më bëre një shpjegim për hallet e qeverisë…

Jo, bëra një shpjegim për hallet e popullit.

A ka një strategji të opozitës për rrëzuar qeverinë?

Unë e thashë që ndoshta ngulmimi tek ekonomia mund të na sjellë më të mirën.

Në ketë çerek shekulli shqiptarët kanë kaluar trauma të forta. Si e gjykoni këtë të azilantëve?

Azilantët janë trajtuar me zero vëmendje. Unë e shoh si një problem që mund të marrë të tjera përmasa. Më të vështirë e shoh kthimin e tyre. Ata kanë harxhuar edhe ato dy pare që kanë patur mënjanë, kanë shitur shtëpi e katandi në shumë raste, kanë hequr fëmijët nga shkolla. Duhet një paketë masash për të ndimuar këta qytetarë. Është tepër vonë edhe tani. Ende nuk di asnjë plan masash për këtë kategori. Vetëm në Gjermani janë 37 mijë shqiptarë që kërkojnë azil. Fjala vjen një i mitur që ka lënë shkollën në shkurt e ka shkuar me prindërit, tani në tetor kthehet e do të nisë shkollën, si e nis? Ka ndonjë ndihmë për librat? Nuk duhen në këto raste strategji të mëdha e kombëtare, por ndërhyrje të menjëhershme dhe të menjëhershme. Ku do strehohen, si do të riintegrohen këta njerëz në Kukës a Vlorë? A ka menduar kush?

A ka gjasa të kthehen vizat?

Nuk besoj, por do të jetë më i madh kontrolli. Kur je ne listën e vendeve të sigurta, siç Shqipëria është sot, tashmë përgjigjja për azil vjen për një javë. Pas një jave azilkërkuesit duhet të kthehen pas. Në rast se e shkelin këtë mundësi e djegin mundësinë për tu kthyer në vendet e BE për tre deri në katër vjet. Kjo është një arsye tjetër pse qeveria duhet të ishte përfshirë në një fushatë ku kjo çështje duhet të ishte trajtuar me seriozitet. Duhen të kishte që në fillim një fushatë ndërgjegjësimi.

Kemi vështirësi me emigrantët tonë, por ndërkohë themi se do të presim refugjatët sirianë….

Unë nuk bëj dot Majlindën kundër Majlindës. E kam thënë që në fillim që duhet të ecim paralelisht me vendet që duam të arrijmë në BE. Në këtë situatë duhet të jemi pjesë e zgjidhjes. Në të gjithë Europën nuk flitet për asgjë veçse për krizën e refugjatëve. Pas dy ditësh në Parlamentin Europian do të shkojnë kancelarja gjermane dhe Presidenti francez për të marrë pjesë në një dëgjesë për këtë çështje. Kjo nuk ndodhte që nga 1989. Me muret e ngritura në Hungari e gjetkë në rajon, Shqipëria nuk do të shpëtojë të qenurit vend tranzit i këtij fluksi. Për këtë duhet të marrim masat dhe nuk duhet të themi se kishim hallin tonë, po na iknin njerëzit tanë. E thashë një herë nuk ka nevojë për strategji afatgjata, por për plane konkrete.

Qeveria po bën shumë aksione, por ka patur edhe kontestime qytetare në Shkodër e Elbasan. Opozita çfarë duhet të bëjë?

-Sa kohë ka protesta, kjo është shenjë qytetarie, megjithëse ne si komb jemi të vonuar në protesta. Qeveritë i hyjnë reformave edhe kur i dijnë kostot edhe kur janë të dhëmbshme. Një qeveri e përcakton vetë sesi do të konsumojë mandatin, megjithatë ndëshkueshmëria sot është bashkërendëse me reformat.

A e dini në këtë moment se depresioni i shtuar qytetarëve ka të bëjë me shpresën? Nuk e shohin as majtas, as djathtas. Ju konsiderojnë të gjithëve njësoj…

Ka një frymë mosbesimi apatik tek politika. Polarizimi i politikës dhe drejtimi i gishtit tek njëri-tjetri nuk luftohet me apolitikë, as me anësi politike dhe as me reagim të ulët social. Për të mos qenë të gjithë njësoj, duhet të japësh shembullin se je ndryshe. PD-ja duhet t’i bindë qytetarët që do të qeverisë ndryshe.

Është krijuar ideja që ka dy fraksione në PD, një që do qeverisje me PS dhe një me LSI. Majlinda Bregu me kë është?

Unë jam me PD-PD-në. Kjo forcë duhet t’i kthehet historisë së saj të ditëve më të mira.

Marrë nga: “Shih programin” në TVSH të Enkel Demit

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat