Nis me iniciativë hetimin , Romët te Liqeni, Avokati i Popullit: Bashkia të shmangë zhvendosjen me forcë

Shqipëria

Nis me iniciativë hetimin , Romët te Liqeni, Avokati i Popullit: Bashkia të shmangë zhvendosjen me forcë

Më: 6 tetor 2015 Në ora: 09:57

Avokati i Popullit ka nisur me iniciativë shqyrtimin e çështjes, që lidhet me zhvendosjen e pritshme të familjeve rome të vendosura në zonën pranë Liqenit Artificial të Tiranës nga Bashkia e Tiranës.
Në kuadër të hetimit administrativ, Avokati i Popullit, kërkon shpjegime nga Bashkia Tiranë, për bazën e trajtimit të kësaj çështje, studimit të mundshëm paraprak që ka kryer në lidhje me këtë, si dhe të masave të parashikuara për vazhdimin normal të jetesës të familjeve rome, të cilat jetojnë në këtë zonë.
Po kështu, ekspertët e Avokatit të Popullit kanë inspektuar në vend familjet rome dhe kanë marrë informacionet e para.
Në deklaratën për mediat, Avokati i Popullit, thekson se “ky është rast i përsëritur, në të cilin dalin probleme të mprehta sociale, që lidhen me strehimin e familjeve rome, të cilat janë vendosur në zona periferike të qyteteve të mëdha”.
Trajtimi i mëtejshëm i këtij rasti është në ndjekje të posaçme nga ana e Avokatit të Popullit, i cili i ka paraprirë këtyre zhvillimeve me konstatime të hershme, duke evidentuar gjendjen e të drejtave të minoritetit romë në Shqipëri edhe në raporte të posaçme.
Gjithashtu, Avokati i Popullit ka përgatitur dhe u ka drejtuar institucioneve përgjegjëse, një sërë rekomandimesh të rëndësishme, që synojnë marrjen e masave për përmirësimin e kushteve të jetesës së minoritetit romë.
Përtej çdo paragjykimi lidhur me këtë çështje, konsiderojmë si prioritare: përjashtimin kategorik të zhvendosjes me forcë të këtyre familjeve rome nga territori publik në zonën e Liqenit Artificial.
“Shmangia e keqtrajtimit fizik të këtyre banorëve duhet të jetë në vëmendjen e çdo institucioni shtetëror, aktorëve të shoqërisë civile, si dhe të partnerëve ndërkombëtarë, pasi në të kundërt kalojmë në një situatë të kundraligjshme, që cenon çdo standard ndërkombëtar, të vendosur për përmirësimin e kushteve të jetesës normale të këtij komuniteti”.
Në përfundim të deklaratës institucioni i Avokatit të Popullit nënvizon se do të vazhdojë ndërhyrjen e tij proaktive për sqarimin e plotë dhe zgjidhjen sa më optimale të kësaj çështje.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat