Dega e Korçës dështimi më i madh

Shqipëria

Dega e Korçës dështimi më i madh

Më: 6 tetor 2015 Në ora: 09:18

Nga krahasimi i rezultateve të zgjedhjeve, dega e PD-së në Korçë, rezulton me më pak vota se në 2013-ën. Në raport thuhet se kandidati i PD-së për bashkinë e Korçës në vitin 2015, ka marrë 17549 vota, që rezulton më pak se koalicioni i PD-së në 2013-ën me rreth 1800 vota dhe me mbi 4 mijë më 2009-ën. Në rast se krahasimi do të bëhej ashtu si duhej, pra kandidatë dhe koalicione 2015-2011-2007, do të ishin të paktën mbi 10 mijë vota më pak. Pra PD-ja si subjekt ka minus 2857 vota në krahasim me 2011-ën, si forcë politike, ndërsa si koalicion humbja është edhe më e thellë. Rezulton që PD-ja dhe aleatët e saj të kenë minus 6100 vota në vitin 2011. Mësohet se në kryesinë e PD-së është hedhur në diskutim dhe gjetja e arsyes për humbjen kaq të thellë në këtë bashki.

Një pjesë e eksponentëve të PD-së fajin ia kanë faturuar bazës, duke shtruar për diskutim dhe çështjen e riorganizimit të degës si dhe largimin e disa prej drejtuesve aktualë në strukturën drejtuese, kryesisht në ato seksione dhe grup-seksione ku dështimi është i dukshëm. Edhe para zgjedhjeve kritikat në drejtim të degës së Korçës nuk kanë munguar. Të shpeshta kanë qenë sulmet për lënien jashtë listës së këshilltarëve bashkiakë të disa prej intelektualëve dhe kontribuesve ndër vite. Ndërkohë në raport nuk thuhet se largimi dhe braktisja e personaliteteve të opozitës në Korçë dhe afrimi në struktura i njerëzve jo përfaqësues, janë arsyeja e vërtetë e humbjes së thellë në këtë bashki. Por në raport theksohet se “kjo degë duhet të pësojë ndryshime urgjente në kryesinë e saj drejtuese”, shkruan raporti, por pa theksuar nëse duhet ndryshuar dhe kryetari i degës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat