Ministria: Mandati i OSBE-së në përputhje me vendimin e 2003-it

Shqipëria

Ministria: Mandati i OSBE-së në përputhje me vendimin e 2003-it

Më: 6 tetor 2015 Në ora: 09:14

Ministria e Jashtme sqaron pozicionin e Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, por edhe marrëdhëniet e vendit tonë me këtë organizëm. Sqarimet e bëra dje në Komisionin e Jashtëm nga drejtori i Drejtorisë për Çështjet politike dhe Strategjike në ministri, Sokol Gjoka,vijnë pas akuzave të opozitës për cenimin e marrëdhënieve me OSBE-në. Gjatë fjalës së tij në komision, drejtori Gjoka deklaroi se zhvillimet pozitive të demokracisë shqiptare kanë ndryshuar tërësisht marrëdhëniet me OSBE-në për sa kohë që Shqipëria nuk është vetëm konsumatore e ekspertizës së OSBE-së, por kontribuon në mënyrë të qenësishme në këtë organizëm. Sa i përket mandatit të OSBE-së në Tiranë, Gjoka sqaroi se ai është në përputhje me dokumentin e miratuar nga OSBE-ja në vitin 2003. Por për demokratin Aldo Bumçi marrëdhënia jonë me OSBE-në ka mbërritur në pikën më të ulët historike, ndërsa solli si argument mungesën e përfaqësimit tonë në këtë organizatë në nivel ambasadori, pas kthimit të Spiro Koçit përmes një shkrese të Ministrisë së Jashtme.

Marrëdhëniet me OSBE-në dhe KiE-në

“Gjatë harkut kohor 2003-2015 Shqipëria ka përjetuar zhvillime cilësore, në planin e brendshëm dhe të jashtëm, që lidhen me vetë rolin e vendit në Organizatë. Zhvillimet pozitive të demokracisë shqiptare, rritja e rolit dhe profilit të Shqipërisë në rajon, në arenën ndërkombëtare dhe në Organizatë, anëtarësimi në NATO dhe marrja e statusit të vendit kandidat në BE, kanë sjellë një ndryshim rrënjësor të marrëdhënieve me OSBE-së”, deklaroi drejtori Gjoka lidhur me marrëdhëniet e vendit tonë me OSBE-në. Ai sqaroi më tej bashkëpunimin konkret të Shqipërisë me institucionet e specializuara të OSBE-së ndërsa sa i përket mandatit të pranisë së OSBE-së në Tiranë, Gjoka tha se: “Mandati i Pranisë së OSBE-së në Tiranë është në përputhje me dokumentin e miratuar nga Këshilli i Përhershëm i OSBE-së në vitin 2003.

Mandati është përqendruar në: reformën legjislative dhe gjyqësore, përfshirë reformën në pronësi; reformën administrative rajonale; reformën zgjedhore; forcimin e kapaciteteve të Kuvendit; luftën kundër trafikut dhe korrupsionit; zhvillimin e ligjeve dhe rregulloreve efikase për një media të pavarur si dhe një Kod Etike; nxitjen e mirëadministrimit dhe projekteve për forcimin e shoqërisë civile dhe mbështetje për policinë, veçanërisht, në trajnimin e policisë kufitare”. Drejtori Gjoka vlerësoi dhe bashkëpunimin me Këshillin e Evropës. Ndërkohë që deputetja Valentina Leskaj kërkoi më shumë koordinim mes parlamentit dhe ministrisë lidhur me qëndrimet në mbahen në KiE.

“A ka pasur ndonjë përpjekje për të bashkëpunuar dhe për t’u koordinuar me delegacionin e parlamentit shqiptar në Asamblenë Parlamentare të KiE-së? Më vjen keq ta them por në kërkesën e fundit që kam bërë ka ardhur një letër nga zëvendësministrja ku vinte raporti dhe rezoluta e vitit të kaluar. Më fal por ne raportin dhe rezolutën e kemi mbrojtur vetë”, - ngriti shqetësimin Leskaj. Në përgjigje të saj Gjoka theksoi se koordinimi është një prioritet por pranoi vërejtjen duke shprehur angazhimin për më shumë bashkëpunim. Ndërsa kryetarja e Komisionit, Arta Dade vlerësoi bashkëpunimin pozitiv me OSBE-në por edhe Këshillin e Evropës.

“Mbështes marrëdhënien pozitive që Shqipëria ka me këto dy organizma por ka ardhur koha që ne të kemi prani më të madhe në të dy organizmat. Ministria e Jashtme të shikojë mundësinë edhe të kandidimit nëpër poste të rëndësishme të ekzekutivit nëpër këto dy organizma duke qenë se ka mjaft kapacitete të cilat duhet të kandidojnë dhe konkurrojnë në mbështetje të strukturave diplomatike të shtetit shqiptar”, - tha Dade. Por për demokratin Bumçi marrëdhëniet e Shqipërisë me OSBE-në janë në pikën e tyre më të ulët duke dëmtuar rëndë interesin tonë kombëtar.

“Sot Shqipëria nuk ka ambasador në OSBE, ndërkohë që Serbia ka presidencën e radhës së OSBE-së, çka do të thotë se interesat e Shqipërisë por dhe të shqiptarëve në rajon të jenë tërësisht të papërfaqësuara”, deklaroi Bumçi. Sipas tij tërheqja e ambasadorit nga OSBE-ja vjen mbas kritikave të forta të përmendura në raportin e OSBE-ODIHR për zgjedhjet lokale ku flitet për blerje të votës apo presion masiv ndaj votuesve. Një tjetër element i rëndë sipas tij është heqja e të drejtës së presidentit për të dekretuar fillimin por edhe mbarimin e mandatit të një ambasadori. Komentet e deputetit të PD-së u bë jashtë tryezës së komisionit pas bojkotit të mbledhjes. Shkak për largimin e tyre u bë një debat i kryetares Dade me një përfaqësues të medias.

Debatet në komision

Kryetarja e Komisionit të Jashtëm, Arta Dade replikoi dje me një përfaqësues të media të cilit i tërhoqi vëmendjen se po xhironte një raport konfidencial të Ministrisë së Jashtme. Përgjigjja e operatorit bëri që Dade të kërkonte largimin e tij nga mbledhja ndërkohë që bashkë me të dolën dhe gjithë kamerat e tjera. Kjo çoi në reagimin e opozitës e cila i kërkoi kryetares Dade praninë e medias. Tonet e ashpra të shkëmbyera mes Dades dhe deputetit demokrat Aldo Bumçi bënë që edhe opozita të largohej nga komisioni. “Shpreh keqardhjen që deputetët e opozitës kanë humbur rrugën dhe toruan. Ata nuk kanë argumente politike, vijnë të papërgatitur në komision dhe përdorin argumentin e medias”, - tha Dade në mbyllje të mbledhjes.

Siguria në burgje, opozita akuza për korrupsion me lejet e të burgosurve

Opozita shfrytëzoi mbledhjen e djeshme të Komisionit të Sigurisë për të akuzuar qeverinë për korrupsion dhe se po krijon hapësira për narkotrafikun. Akuzat e deputetëve Flamur Noka e Asllan Dogjani u bënë ndërkohë që në komision po diskutoheshin ndryshimet në ligjin “Për të drejtat dhe trajtimin e të dënuarve me burgim dhe të të paraburgosurve”. “Nga njëra anë është një shtet që i dhunon qytetarët e tij dhe nga ana tjetër shohim një shtet dhe qeveri që për narkotrafikun dhe bandat e drogës nuk ekziston. Në vend që të ishte shtet represioni për to është shtet represioni për qytetarët.

Qytetarët për 3 mijë lekë të reja, për mungesë pagese të energjisë shoqërohen në komisariate bashkë me fëmijët, ndërsa me makinën e ministrit, trafikantët livadhisin gjithandej”, deklaroi Noka. Por për mazhorancën nuk mund të shfrytëzohej çdo moment për akuza në një kohë që komisioni kishte një tjetër çështje në rend dite. “Nuk jemi mbledhur për drogën këtu”, reagoi kreu i Sigurisë, Spartak Braho. Ndërsa për socialisti Pjerin Ndreu politikat djathtas dhe majtas kanë shumë kusure me burgjet ndaj Komisioni i Sigurisë duhet të diskutonte për përmirësimin e kushteve të të dënuarve dhe jo të bënte debate politike.

Por në linjën e akuzave vijoi edhe deputeti demokrat Asllan Dogjani i cili akuzoi drejtorin e Burgjeve, Artur Zoto se në institucionin që ai drejton korrupsioni është masiv aq sa për një ditë leje të veçantë duhen paguar 100 euro. “Mos ky projektligj është një mundësi për rritjen e korrupsionit? Sot për një ditë leje paguhet 100 euro, për një vizitë po ashtu​. Korrupsioni është shumë i madh”, tha Asllan Dogjani. Në përgjigje të tij, socialisti Paulin Sterkaj, ftoi deputetin demokrat të bënte denoncime në polici të këtyre rasteve dhe jo të diskutonte në komision. Ndërkohë drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, Artur Zoto i pranishëm në komision mohoi akuzat dhe tha se ndaj këtij fenomeni janë marrë masa. “Qëllimi i projektligjit është garantimi i elementëve të sigurisë dhe për herë të parë të kemi modele të hapura.

Lufta kundër korrupsionit ka qenë prioriteti ynë. Kemi marrë masa. Jam krenar për modelin shumë të mirë. Për herë të parë kemi ndryshuar planifikimin e lejeve. Të dënuarit e dinë datën e lejes. Forcuam kriteret dhe ulëm korrupsionin. Kemi zgjidhur një problem gangrenë ndërkohë që lejet janë të monitoruara”, tha Zoto. Pas debateve komisioni miratoi projektligjin e propozuar nga Ministria e Drejtësisë për të rritur sigurinë në burgje.

Projektligji që mban firmën e ministrit Nasip Naço parashikon regjim të posaçëm në burgjet e sigurisë së lartë duke shtuar kufizimet në raste të jashtëzakonshme revolte apo në situata emergjente. Këto masa shtesë kufizojnë takimet por edhe kontaktet e të burgosurve që i nënshtrohen këtij regjimi me pjesën tjetër. Projektligji parashikon në mënyrë taksative dhe llojet e veprave penale për të cilat të dënuarit duhet të vuajnë dënimin në një burg të sigurisë së lartë. Një tjetër ndryshim është shtimi i nocionit të burgut me regjim të hapur, i cili garanton zvogëlimin e masave të sigurisë ndaj të burgosurve.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat