Qeveria, Rama sqaron deputetët

Shqipëria

Qeveria, Rama sqaron deputetët

Më: 6 tetor 2015 Në ora: 07:35

Do të ketë apo jo ndryshime në kabinetin qeveritar kjo është një nga pyetjet që prej ditësh shtrohet jo vetëm në ambientet politikbërës, por edhe në jetën e përditshme të qytetarëve. Zërave që qarkullojnë jo vetëm në ambientet mediatike, por edhe më gjerë, kreu i ekzekutivit Rama iu përgjigj prerë se për momentin nuk ka nevojë për ndryshime në kabinetin e tij. Dje, në ambientet e selisë rozë ishte një ditë e zakonshme pune, ku grupi parlamentar mbajti takimin e radhës. Përpos axhendës rutinore, deputetët, por jo vetëm, prisnin një përgjigje nga Rama nëse do të ndodhin ndryshime në qeveri apo jo. Burimet bënë të ditur se Rama e tha qartë dhe prerë. “Ndryshimet në qeveri janë një sajesë. Qeveria do të vazhdojë punën me kompozimin aktual për ndryshimin e Shqipërisë. Ata që kërkojnë ndryshime në qeveri nuk ia duan të mirën koalicionit tonë qeverisës”, citohet të ketë thënë kryeministri. Si për ta përforcuar atë që tha në mbledhjen e grupit kreu i ekzekutivit iu përgjigj edhe interesit të medias, vetëm pak ditë pasi iu uroi një fundjavë të qetë. Rama tha se në lidhje me faktin nëse do të ketë ndryshime në qeveri apo jo janë fjalë që nuk janë thënë prej tij. “Puna juaj është që ju mendoni, ju flisni, ju informoni, ju komentoni dhe pastaj kujtoni që ajo që është folur e kemi folur ne, ndërkohë që e keni folur ju”, u shpreh Rama në dalje nga selia rozë. Burimet bënë me dije se gjatë mbledhjes Rama e hapi vetë bisedën për ndryshimet në qeveri, duke u thënë deputetëve me doza humori. “Kur të dilni jashtë do ju pyesin dhe ju thoni që nuk ka ndryshime në qeveri”, citohet të ketë thënë Rama.

Duke folur për këtë temë Rama është shprehur para deputetëve se një kryeministër, në një moment të caktuar, mbi bazë edhe të performancës së qeverisë së tij mund të bëjë lëvizje në kabinet, por, sipas tij, për momentin, nuk bëhet fjalë për ndryshime në qeveri. Mbledhja e grupit parlamentar të Partisë Socialiste zgjati rreth një orë, ndërsa në pjesën më të madhe të saj ishte kreu i PS-së Rama që preku disa nga çështjet më aktuale, duke mos kursyer as kritikat ndaj deputetëve. Ndër të tjera lideri i PS-së Rama kërkoi nga deputetët që të jenë të pranishëm gjatë mbledhjeve të strukturave në bazë ndonëse ata kanë të deleguarit e tyre aty, kjo lidhet sidomos me fushatën e zgjedhjes së kryetarëve të rinj. “Duhet të jeni sa më prezentë në mbledhjet e bazës, nuk delegohen punët me telefon”, citohet të këtë thënë kreu i PS-së. Në lidhje me çështjen e punësimit Rama u ka thënë deputetëve që nuk kanë arsye që për çdo shqetësim apo pakënaqësi që kanë me të punësuarit në bazë, të flasin me ministrat, pasi edhe për vendet vakante konsultat do të bëhen nëpër shtabe.

Pra për një vend të lirë punë nuk duhet të diskutohet në një marrëdhënie të ngushtë deputetministër, por duhet të përzgjidhen 3-4 kandidatura dhe të vendoset në shtab. Duhet të funksionojë meritokracia dhe konkursi sidomos në arsim, tatime, etj, për çdo pozicion të nëpunësit të statusit civil. “Për çdo vërejtje për shembull për “x” drejtor jepni argumentet tuaja dhe më pas parashtroni alternativat”, u ka thënë Rama deputetëve. Kreu i PSsë pati një këshillë për deputetët edhe në lidhje me deklaratat që ata japin në media apo në ambiente miqësore, pasi nuk duhet të interpretohen si qëndrime të Partisë Socialiste. “Nuk mund të bëjë askush nga ju politikë personale në emër të PS-së. As unë nuk kam të drejtë që të shprehem si individ, por duke i vendosur fjalët e mija në emër të partisë. Duhet të bëni kujdes me ato që thoni nëpër kafene apo me gazetarët, duhet të koordinoheni edhe me kryetarin e grupit parlamentar jo vetëm për këtë çështje, por edhe për mungesat në seancë apo për lëvizjet jashtë vendit. Duhet të bëni kujdes qoftë me partinë apo edhe me koalicionin” është shprehur Rama. Kritikat e Ramës për mungesën e deputetëve në sallën e Kuvendit u bënë sidomos për rastet kur duhet të diskutohen dhe të votohen ligjet që kërkojnë shumicë të cilësuar.

Rama: Më shumë angazhim në anëtarësimet e reja

Kreu i PS-së gjatë mbledhjes së grupit parlamentar ritheksoi edhe njëherë tjetër faktin se tashmë anëtarësia e partisë duhet të rritet si pasojë edhe e punës që po bëhet në shtab, duke fiksuar edhe njëherë shifrën e 150 mijë anëtarëve. Sipas një anketë që tashmë socialistët po bëjnë në bazë 11 për qind e personave të pyetur, që aderojnë në parti të tjera apo që nuk janë të anëtarësuar në ndonjë të tillë janë gati të bëhen pjesë e Partisë Socialistë, ndërsa 16 për qind janë endë në mëdyshje. Ndaj, sipas Ramës, ka shumë njerëz që janë gati të bëhen pjesë e partisë, por dikush mund të jetë pengesë apo dikush nuk i motivon për ta ndërmarrë këtë hap ndaj në këtë mes duhet puna e deputetëve për të rekrutuar anëtarë të rinj.

Duke dashur të motivojë të tijtë Rama u ka kujtuar se secili ka një figurë të vetën që e ka krijuar mbi bazën e punës, ndaj të tillë duhet të vazhdojnë të jenë. “Secili prej jush nuk është rastësisht këtu, por ka një figurë të vetën që e ka krijuar me punën e tij, nuk ja kemi krijuar ne. Ndaj me këtë figurë duhet të paraqiteni edhe në veprimtarinë tuaj të përditshme. Ashtu siç keni ardhur deri në këtë pikë me figurën tuaj duhet të silleni edhe tani që jeni në pushtet qoftë në mbledhje komisionesh, në grup parlamentar, apo edhe gjatë seancave”, u shpreh Rama.

Naço: Ndryshimet në qeveri i takojnë kryeministrit

Nëse do të ketë ndryshime apo jo në qeveri u pyet edhe ministri i Drejtësisë Nasip Naço. Gjatë një aktiviteti ku u diplomuan 9 magjistratë të rinj kreu i drejtësisë u shpreh se kjo është dita e këtyre të diplomuarve, ndërsa për ndryshimet në qeveri i takon kryeministrit Rama të vendosë. Në lidhje me një takim të tij me kreun e Kuvendit Meta, menjëherë pas takimit të këtij të fundit me kryeministrin Rama, Naço u shpreh se nuk ka qenë në vizitë me Metën, por me Petrit Vasilin. Kreu i komisionit parlamentar të Sigurisë, Spartak Braho i pyetur në lidhje me situatën e krijuar pas letrës së tij u shpreh: “Destabilizimi ka filluar të qetësohet”. Vetëm pak ditë më parë Spartak Braho u nisi një letër krerëve më të lartë të shtetit ku i informonte për një situatë destabilizimi që po krijohej në vend dhe për një komplot që po kërkonin të ngrinin ndaj kreut të Kuvendit, Ilir Meta, deputeti Tom Doshi dhe ish-ministri Dritan Prifti.

Rama takon grupin e punës për zgjedhjet e 2017

Pas rikthimit nga Shtetet e Bashkuara kreu i ekzekutivit dhe njëkohësisht lideri i PS-së Edi Rama nisi një axhendë të ngjeshur takimesh për sa i përket aktualitetit politik. Takimet e Ramës nisën nga kryesia e Kuvendit, ku pasi përshkoi në këmbë rrugën nga kryeministria në kryesi, u takua kokë më kokë me Ilir Metën. Ditën e djeshme kreu i PS-së Edi Rama e nisi javën shumë herët në një takim organizativ në selinë e Partisë Socialiste. Për rreth një orë, Rama drejtoi mbledhjen e “Grupit për organizmin dhe Koordinimin e Fushatës elektorale të 2017-ës”, ku morën pjesë disa nga anëtarët e këtij grupi si ministrat Saimir Tahiri, Bledi Çuçi, Blendi Klosi dhe Lindita Nikolla. Pjesë e takimit ishin edhe kryetari dhe nënkryetari i grupit parlamentar Gramoz Ruçi dhe Taulant Balla dhe kryebashkiakët Dritan Leli, Erion Veliaj dhe Vangjush Dako. Burime nga mbledhja u shprehën se ky ishte një takim pune i zakonshme ku u bë një raportim mbi ecurinë e përgatitjeve në bazë për zgjedhjet e ardhshme.

Prej disa kohësh Partia Socialiste ka nisur punën organizative për zgjedhjet parlamentare që do të mbahen në vitin 2017. Fillimisht u bë një ndarje e re e vendit në 6 rajone dhe u caktuan nga një koordinator për secilin rajon. Ndërsa në kuadër të këtyre zgjedhjeve, por edhe në përshtatje me ndarjen e re territoriale Partia Socialiste është futur në fazën e evidentimit të figurave për kryetarët e rinj të degëve, që do të jenë 61 të tillë. Për të shkuar më pas tek punimet e Kongresit të partisë që do të mbahet në muajin janar të vitit të ardhshëm. Në kuadër të Kongresit pritet që në ditët në vijim kreu i PS-së të zhvillojë edhe një takim me grupin e punës për përmirësimet dhe ndryshimet në statut. Tashmë ky grup është futur në fazën e përthithjes dhe të përshtatjes së statutit me atë të partisë të majta në Britani, Francë, Gjemani dhe Kroaci.

Meta: Qeverisë i duhen impulse të reja, ndryshimet i bën kryeministri

Lëvizja Socialiste për Integrim mblodhi kryesinë e saj për të diskutuar mbi tema si reforma në drejtësi, dekriminalizimi apo nisma më e fundit e qeverisë për luftën ndaj informalitetit. Ndërsa në përfundim të mbledhjes kreu i LSI-së Meta iu përgjigj interesit të medias në lidhje me çështjen nëse duhet të ketë ndryshime në qeveri apo jo. “Ne gjithmonë kërkojmë impulse të reja qeverisëse, kërkojmë standarde më të larta të qeverisjes. Për sa i takon ndryshimeve, ia kemi lënë iniciativën gjithmonë kryeministrit kur ai e gjykon të arsyeshme”, tha Meta. I pyetur nëse qeveria aktuale i ka këto impulse Meta u shpreh se gjithmonë janë të nevojshme impulse më të gjalla. Në qoftë se ju jeni të kënaqur me impulset e deritanishme, unë nuk do të isha shumë i lumtur për vlerësimin tuaj. Unë besoj se gjithnjë ka nevojë për impulse gjithnjë e më të gjalla dhe më të fuqishme”, tha kreu i LSI-së. Nëse do të ketë apo jo ndryshime në qeveri Meta ritheksoi se kjo është një pyetje që i takon kryeministrit.

Ndërkohë që më herët gjatë mbledhjes së grupit Meta u ndal në tre pika kyçe si sfidat që sipas tij ekzistojnë në vend Dekriminalizimi, Reforma në Drejtësi dhe Ekonomia duke kërkuar kështu angazhim të plotë të të gjithë strukturave të LSI. Rritja ekonomike sipas kryeparlamentarit Meta kërkon një strategji më të mirë menduar. Për Metën, realizimi me sukses dhe sa më parë i dekriminalizimit, ndryshimet rrënjësore në sistemin e drejtësisë janë kusht për realizimin e objektivit më kryesor, hapjes së negociatave me BE-në. “Ne mbështesim dhe i përkrahim të gjitha përpjekjet, reformat apo edhe aksionet për formalizimin e ekonomisë, por është shumë e rëndësishme të kemi dhe një strategji më të qartë për rritjen ekonomike të vendit në kapacitetet e mundshme të tij dhe për këtë duhet të kontribuojmë të gjithë. Duhet të kontribuojnë përfaqësuesit tanë në qeveri dhe në qeverisje, deputetët, ekspertët tanë, me propozime konkrete për sa i takon projektbuxhetit të ri, për sa i takon paketës së re fiskale, por edhe për sa i takon përpjekjeve gjithnjë e më konstruktive, jo vetëm për formalizimin e ekonomisë dhe të biznesit, por padyshim edhe të krijimit të një klime sa më të mirë midis qeverisëse dhe administratës me biznesin dhe me sipërmarrjen” tha Meta.

Duke folur për procesin e dekriminalizimit Meta tha se tashmë është duke u gjendur dialogu mes dy palëve dhe kërkoi që ky proces të përmbyllet sa më shpejt, në mënyrë që, siç tha ai, të çrrënjoset njëherë e mirë çdolloj ndikimi kriminal në politikën e vendit dhe të vendosën edhe standardet më të larta të integritetit të politikanëve. “Vlerësojmë faktin që ky proces tashmë ka hyrë në trasenë e konsensusit, dhe jemi mjaft të interesuar që ky proces të përfundojë sa më shpejt, pasi të dyja draftet janë më shumë se 90 për qind të tyre të përafërta dhe shpresojmë që diferencat të kapërcehen me konsensus. Nëse jo, kemi rënë dakord për t’iu drejtuar Komisionit të Venecias dhe për të pranuar çdo vendim të tij”, tha Meta. Sa i takon reformës në drejtësi, kreu i LSI-së kërkoi një debat publik për ndryshimet kushtetuese.

“Po kështu, çelja e negociatave me BE-në mbetet një prioritet kryesor, i cili natyrisht mund të arrihet vetëm pas kalimit me sukses të dy sfidave që përmenda më parë. Njëkohësisht në këtë drejtim do të doja të theksoja edhe rëndësinë që ka raporti i ODIHR-it për zgjedhjet vendore të 21 qershorit. Është e rëndësishme që ky raport të shërbejë si një platformë për të përmirësuar sistemin tonë zgjedhor dhe njëkohësisht për të zbatuar të gjitha ato rekomandime të cilat janë mjaft të vlefshme dhe të dobishme në mënyrë që të mos kemi asnjë shqetësim për zgjedhjet e ardhshme”, theksoi Meta. Kreu i LSI-së u bëri thirrje të zgjedhurve vendorë të LSI-së, që të angazhohen në përmbushjen e zotimeve të marra përpara elektoratit, jo vetëm si pjesë e kësaj force politike, por si pjesë e një koalicioni qeverisës edhe në nivel vendorë. “Shpresoj që të zgjedhurit tanë t’i përmbahen të gjithë angazhimeve që kemi ndërmarrë si LSI dhe si pjesë e koalicionit. Të gjitha sfidat kërkojnë angazhim të të gjithë strukturave të LSI-së dhe kam besim në përkrahjen për t’i përballuar me sukses këto sfida”, tha Meta.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat