Detajet e plota të operacionit ku u vra Aishta, RENEA përdori kamera me fibra optike

Shqipëria

Detajet e plota të operacionit ku u vra Aishta, RENEA përdori kamera me fibra optike

Më: 4 tetor 2015 Në ora: 20:18

Më datë 03.10 2015, rreth orës 18.40, forcat e policisë të Komisariatit të Policisë së Shkodër, së bashku me forcat e Repartit FNSH Shkodër, kanë shkuar, sipas një plani, për të bërë kapjen dhe ndalimin e shtetasit Ruzhdi Aishta, vjeç 56, banues në Fshatin Obot i Ri, Njësia Administrative Ana e Malit Shkodër, pasi shtetasi Ruzhdi Aishta, gjatë një konflikti, ka plagosur rëndë me armë zjarri automatik, bashkëfshatarin e tij, shtetasin B.Sh, vjeç 21, banues në Fshatin Obot i Ri, Njësia Administrative Ana e Malit Shkodër, i cili, aktualisht ndodhet pranë Spitalin Rajonal Shkodër, jashtë rrezikut për jetën.

Në momentet e ndërhyrjes së forcave të policisë në banesën e shtetasit Ruzhdi Aishta, për të bërë kapjen e tij, ky shtetas ka hapur zjarr ndaj forcave të policisë, ku për pasojë, ka gjetur vdekjen e menjëhershme Komandanti i Njësisë, Komisariatit të FNSH Shkodër, N/Komisar Simon Gjeta, 49 vjeç, banues në Tiranë.

Menjëherë në mbështetje të punonjësve të policisë në vendngjarje, janë nisur forca të shumta policore, si ato të Repartit FNSH Shkodër, Drejtorisë së Policië së Qarkut Shkodër dhe Forcat Speciale RENEA.

Efektivat e Reneas, porsa kanë mbërritur në vendngjarje, kanë bërë rikonjicionin e terrenit përreth si dhe rrethimin e banesës, me qëllim ndërhyrjen e policisë, për të kapur autorin. Efektivat e Reneas, i kanë bërë thirrje të vazhdueshme autorit të dorëzohet, por autori i krimit, ka hapur zjarr në drejtim të forcave të Reneas.

Forcat Renea, kanë përdorur gaz lotsjellës, tymuese e strunë, për ta detyruar autorin që të dilte nga banesa, pasi autori kishte shkëputur energjinë elektrike në banesën e tij.

Autori i krimit, nuk ka dalur nga banesa edhe pas përdorimit të këtyre metodave, por në mënyrë të përsëritur, hapte zjarr ndaj Forcave Speciale të Reneas.

Rreth orës 07:10 të mëngjesit të ditës së sotme, në kushtet e ndriçimit të plotë, efektivat e Reneas, i kanë bërë përsëri thirrje të dorëzohet, por autori nuk është përgjigjur. Ndodhur në këto kushte forcat Renea, duke përdorur mburojën kolektive antiplumb dhe kamerat me fibra optike, kanë mundur të hyjnë në brendësi të banesës, ku nëpërmjet kamerave me fibra optike në cepin e aneksit të banesës, kanë evidentuar të fshehur, autorin e ngjarjes. Nga brenda banesës, Forcat Renea, kanë bërë përsëri thirrje të dorëzohej, por autori, kur ka konstatuar në brendësi të banesës së tij efektivat e Reneas, ka hapur zjarrë me breshëri në drejtim të tyre. Efektivat e Reneas, i janë kundërpërgjigjur dhe si pasojë e shkëmbimit të zjarrit, ka mbetur i vrarë autori i krimit, shtetasi Ruzhdi Aishta.

Në këtë operacion, janë angazhuar gjithsej rreth 250 forca policore dhe 15 automjete, ndër të cilët, 5 prej tyre kanë qënë të blinduara

Gjatë operacionit, u përdorën qeni i gjurmës, mburoja kolektive antiplumb dhe kamera me fibër optike.

Ky operacion, është drejtuar nga Drejtuesit më të lartë të Policisë së Shtetit.

Drejtoria e Policisë Qarkut Shkodër.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat