Milva Ekonomi: Lobet e farmaceutikës kanë kapur opozitën

Shqipëria

Milva Ekonomi: Lobet e farmaceutikës kanë kapur opozitën

Nga: Gjergj Koja Më: 4 tetor 2015 Në ora: 19:40

Zëvendësministrja e Shëndetësisë, Milva Ekonomi reagoi ndaj deklaratave të opozitës, e cila akuzoi qeverinë se hapi portat e ilaçeve të dyshimta e të skaduara.

Në një konferencë për media në zyrat e Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor, Ekonomi tha se është e qartë se lobet e farmaceutikës që e kanë zënë për fyti mazhorancën e djeshme dhe opozitën e sotshme, janë aktivizuar rishtazi dhe aspak rastësisht, duke përbaltur arritjet e qeverisë në sektorin e barnave dhe shërbimit farmaceutik.

“Deri në vitin 2013, qeveria e Sali Berishës kishte vendosur monopol në fushën e farmaceutikës dhe çmimet e barnave ishin tepër të larta. Kompanitë fitonin me të padrejtë më shumë, zyrtarët e korruptuar fitonin shumë dhe e gjitha ishte në kurriz të shqiptarëve që paguanin shumë më shumë”, tha zv/ministrja.

Në vitin 2013, theksoi Ekonomi, qeveria jonë premtoi se çmimet e barnave në Shqiperi nuk do të ishin më të larta se sa në vendin e tyre të prodhimit. “Sot, vetëm dy vjet më pas, ky premtim është i mbajtur. Çmimet e barnave janë ulur në mënyrë të konsiderueshme dhe jo vetëm që qytetarët paguajnë më pak për barnat, por falë uljes së çmimit, spitalet furnizohen me më shumë barna dhe mungesa e tyre si në të kaluarën ndihet shumë më pak”, bëri të ditur Ekonomi.

Sulmi i opozitës sipas Ekonomit vjen pikërisht në tetor, kohë kur kompanitë negociojnë me qeverinë. “Ajo që ndodh çdo tetor, është se teksa prej dy vitesh kompanitë negociojnë realisht me qeverinë dhe ofrojnë çmime të ulëta, pikërisht këtë muaj, opozita dhe disa nga kompanitë kliente të saj, kujtohen për kërdinë që bënin së bashku deri në 2013. Dhe mendojnë se duke sulmuar qeverinë, mund të kthehen sërish në periudhën kur ata dhe firmat farmaceutike mbushnin xhepat e tyre në kurriz të shqiptarëve”, u shpreh ajo.

Sulmet e Partisë Demokratike theksoi më tej, janë të ulëta dhe fyejnë inteligjencën e shqiptarëve. Sot, sipas saj, çdo pacient që blen një bar në farmaci e kupton se çmimet janë më të lira, rreth 30% më pak se sa në kohën kur në pushtet ishte qeveria e Partisë Demokratike.

“Jo vetëm që ka perënduar koha kur barnat bliheshin shumë lirë jashtë dhe tregtoheshin shumëfish më shtrenjtë në vendin tonë, por, për të njëjtat barna dhe për të njëjtën sasi, të vendosura në treg në vitin 2013, sot kushtojnë 70 milion dollarë më pak. Qeverisja e PD-së, që nga viti 2010 ku rezulton se ka pasur dijeni të plotë për këtë situatë, i ka borxh shqiptarëve 280 milion dollarë”, deklaroi zv/ministrja.

Duke folur për sulmin që opozita po i bën p/ligjit të barnave, Ekonomi sqaroi se ndryshimet e propozuara ligjore bëhen për të vendosur zbatimin e plotë të detyrimeve që Shqipëria ka nga marrëveshje ndërkombëtare, dhe konkretisht, nga marrëveshja e CEFTA-s.

Dispozita e vendosur në Kuvendin e Shqipërisë në korrik të vitit 2014 për barnat me origjinë nga vendet e Ballkanit është vlerësuar se vendos barriera jotarifore për qarkullimin e barnave nga vendet e Ballkanit në Shqipëri. Në bazë të marrëveshjes së CEFTA-s, vendet nënshkruese duhet të mënjanojnë çdo lloj barriere që pengon qarkullimin e mallrave në vendet përkatëse.

Lidhur me këtë, Ekonomi shpjegoi se në Shqipëri kanë qarkulluar deri vjet, rreth 300 barna me origjinë nga vendet e Ballkanit.  “Dispozita e propozuar përcakton se në Shqipëri lejohen të qarkullojnë barna me origjinë nga vendet e Ballkanit me kushtin që të jenë të regjistruara dhe të qarkullojnë në vendin e origjinës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat