Raport-analiza e PD për humbjen e zgjedhjeve/Anëarët nuk u angazhuan në zgjedhje për shkak të presioneve

Shqipëria

Raport-analiza e PD për humbjen e zgjedhjeve/Anëarët nuk u angazhuan në zgjedhje për shkak të presioneve

Nga: Gjergj Koja Më: 4 tetor 2015 Në ora: 19:38

Anëtarët e Partisë Demokratike nuk u angazhuan në zgjedhjet vendore të 2015 për shkak të pasigurisë dhe presioneve. Kjo është një nga pikat e raportit që iu shpërnda anëtarëve të Kryesisë së PD-së nga kreu demokrat Lulzim Basha në mbledhjen e fundit të kryesisë së kësaj partie.

Raporti është përgatitur nga një grup pune, por në fund ka marrë miratimin e Sekretarit të Përgjithshëm Arben Ristani. Materiali shmang përgjegjësinë e kandidatëve apo strukturave drejtuese të PD-së për rezultatin e arritur në 21 Qershor, ku nga 61 bashki, partia më e madhe e opozitës fitoi vetëm 15, ndërsa ka humbur këshillat bashkiake në pothuajse të gjithë njësitë vendore, përjashto Shkodrën. Raporti nuk i ka dhënë përgjigje një sërë pikëpyetjesh të ngritura pas zgjedhjeve të 21 Qershorit mbi mosangazhimin e deputetëve në fushatë, apo për faktin se shumë nga seksionet e PD ekzistojnë vetëm në letër, pasi në realitet ato kanë ose vetëm një anëtar ose nuk kanë anëtar fare.

Raport-analiza gjithashtu ka shmangur informacionet që janë depozituar në selinë e PD-së nga degët e kësaj partie mbi rezultatet e 3 zgjedhjeve të fundit, sipas qendrave të votimit, sikundër nuk jep shpjegime sepse kanidatët për kryetarë bashkie nuk u mbështetën në strukturat partiake, por krijuan struktura paralele sikundër ndodhi në Tiranë.

Raporti në fjalë i është dhënë anëtarëve të Kryesisë së PD ditën e mbledhjes, ndërsa mësohet se ka pasur edhe një debat me tone të ulta mes kreut demokrat Lulzim Basha dhe deputetes Majlinda Bregu, pikërisht për këtë fakt.

Tashmë pritet që PD të hedhë hapin e riorganizimit të saj, ku duket se gjithcka do të nisë nga anëtarësia. Basha pati deklaruar kohë më parë se PD numëronte 104 mijë anëtarë, të cilat sipas tij ishin pjesë e një regjistri elektronik. Por duket se PD do ti duhet të verifikojë anëtarësinë e saj, të ngrejë seksione reale kur ato nuk ekzistojnë, dhe më pas të mendojë për riorganizimin e strukturave të tjera në nivel lokal apo qendror. Basha ka paralajmëruar se do të nisë dialogun me qytetarët, ku do të diskutojë me ta mbi programin e kësaj partie, formë kjoe ngjashme me praktikat e aplikuara nga Edi Rama kur ishte në opozitë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat