Fotolajm/ Gjeta mes dëshmorëve do të prehet krah Ibrahim Bashës

Shqipëria

Fotolajm/ Gjeta mes dëshmorëve do të prehet krah Ibrahim Bashës

Më: 4 tetor 2015 Në ora: 18:16

Dëshmori i atdheut Simon Gjeta do të prehet krah një tjetër heroi që dha jetën në krye të detyrës, efektivit të RENEA-s Ibrahim Bashës.
Të hënën paradite në Pallatin e Brigadave do të mbahet ceremonia në kujtim të Simon Gjetës. Ai do të përcillet për në banesën e fundit pranë Varrezave të Dëshmorëve me një ceremoni zyrtare.

Një plumb në kokë i mori jetën nënkomisarit nga Mirdita gjatë aksionit për kapjen e autorit të një plagosjeje në fshatin Obot të ri të Shkodrës. Komandanti i Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë në këtë qytet, i doli në ballë aksionit për të kapur 56-vjecarin Ruzhdi Arishta që i përgjigjej me breshëri automatiku policisë nga brenda banesës së tij. Ai humbi jetën si dëshmor, ndërsa kolegët e tij pas gati 15 orëve shkëmbimi zjarri me agresorin e ekzekutuan atë mëngjesin e kësaj të diele. 56-vjecari i cili dyshohet se kishte problem të shëndetit mendor “luftoi” me efektivët e RENEA-s deri në momentin e fundit.

Drejtuesit më të lartë të shtetit shqiptar, Presidenti, kryeministri e kryetari i Kuvendit, në mesazhet e tyre të ngushëllimit për vdekjen e nënkomisar Simon Gjetës, kishin sot një kryefjalë të përbashkët: Lufta ndaj krimit nuk do të ndalet.

255 policë të rënë në krye të detyrës në 24 vjet
Nga viti 1991 deri pasditen e 3 shtatorit kur përballë krimit Simon Gjeta humbi jetën, për oficerët e policisë të rënë në detyrë ai është dëshmori i 255.

Por për vitin 2015, Gjeta nuk është dëshmori i vetëm pasi më 24 Qershor po nga forcat speciale efektivi i RENEA-s Ibrahim Basha u vra gjatë operacionit në Lazarat.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat